2017-02-10 12:28:00

Atë Lombardi: Françesku e ndjen mbështetjen e Benediktit XVI


Më 11 shkurt 2013, Benedikti XVI hiqte dorë nga shërbimi pjetrin. Gjest pa precedent në kohët moderne, që pas katër vjetësh, kuptohet më mirë edhe falë marrëdhënieve vëllazërore ndërmjet Papës Françesku dhe Papës së nderit. Për një reflektim mbi dëshminë, që po jep Benedikti XVI gjatë këtyre viteve, kaluar në lutje e studim, intervistuam kryetarin e Fodacionit vatikanas “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI”, atë Federiko Lombardi:

Mënyra si ka jetuar e jeton gjatë këtyre viteve përkon me ç’na pati thënë: se do të jetonte në lutje, i tërhequr, shpirtërisht e pa bujë, shërbimin e tij të shoqërimit me lutje të jetës së Kishës dhe të solidaritetit me pasardhësin. Kjo po ndodh gjithnjë, krejt qetësisht.

Ju e keni takuar edhe kohët e fundit Benediktin XVI. Si është?

Po, kam pasur disa raste muajt e fundit. Shpresoj të vazhdoj t’i kem, sepse, sidomos tani që kam përgjegjësinë e Fondacionit Ratzinger, kam arsye më shumë për ta takuar. Është krejtësisht i kthjellët, i pranishëm shpirtërisht e mendërisht, prandaj është kënaqësi e vërtetë të rrish me të. Natyrisht, koha kalon e forcat fizike nuk shtohen, por pakësohen, megjithatë gjendja shpirtërore e mendore është e përsosur. Nuk ka sëmundje të veçanta, shihet një lloj brishtësie, që shtohet me moshën, por ecën për bukuri nëpër shtëpi. E takon si njeri të moshuar, që është bërë pak më i brishtë me kalimin e kohës, por që arsyeton gjithnjë mirë. Është kënaqësi ta takosh.

Në librin “Bisedimet e fundit”, Benedikti XVI pohon se vënia e temës së Zotit dhe të fesë në qendër të papnisë së tij, ka qenë orientim themelor për të. Në këto katër vjet, cila është dëshmia, që po na jep Papa i nderit, sipas jush?

Do të thosha se jeta e tij në lutje është përsosurisht koherente me çfarë thamë: Zoti në qendër, feja si kuptim i jetës… Diçka, që unë e shoh si tejet të bukur e delikate – e që del nga vëllimi “Bisedimet e fundit” – është kjo ndjenja e afrimit të takimit me Zotin, përjetimi i moshës së shtyrë si kohë përgatitjeje e familjarizimi – do të thosha – me Zotin, të cilin bëhemi gati ta takojmë. Kjo më duket një dëshmi e jashtëzakonshme. Mendoj se është gjë e bukur të kemi një Papë nderi, që lutet për Kishën e për pasardhësin e tij. Është prani, që e ndjejmë, e dimë se është, pavarësisht se nuk e shohim shpesh e kur e shohim, jemi të lum se e duam shumë. Prandaj, e ndjejmë si prani që na shoqëron, na ngushëllon, na qetëson.

Ju e njihni mirë Papën Françesku e Benediktin XVI. Çfarë ju bën përshtypje në marrëdhëniet ndërmjet tyre, të papara ndonjëherë për Kishën?

Është e vërtetë, janë të papara, por të jetuara me qetësi e normalitet, sepse arsyeja dhe mënyra me të cilën ndodhi gjithçka është jashtëzakonisht e qartë, e qetë. Të gjithë e kujtojmë takimin e fundit të Papës Benedikti me kardinajtë, që po mbërrinin në Romë për t’u përgatitur për Konklavin, kur ai, megjithëse nuk e dinte akoma kujt i fliste, premtonte bindjen e plotë e respektin për pasardhësin. Kardinali Bergoglio ishte i pranishëm e natyrisht, të gjithë e kujtojmë atë çast. Pastaj, u realizua ç’pati thënë Benedikti XVI, i cili i qëndroi e i qëndron afër shpirtërisht pasardhësit, që, nga ana e tij, - siç na ka thënë disa herë – e ndjen mbështetjen e Papës së nderit dhe të lutjes së tij, i kultivon marrëdhëniet me të, nganjëherë me vizita, nganjëherë me telefonata, sigurisht, me shumë shenja familjariteti, respekti e pritjeje për mbështetjen e tij shpirtërore. Pra, vërtet po jetojmë këtë realitet të paparë, por është i bukur, është ngushëllues. Sa herë që shohim fotografitë e Papës Françesku së bashku me paraardhësin e tij, është gëzim i madh për të gjithë e shembull i bukur i bashkimit në Kishë, pavarësisht nga gjendjet e kushtet e ndryshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.