2017-02-09 14:56:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: revista "Qytetërimi Katolik"


Të dashur dëgjues, sot, pas takimit të Papës Françesku me jezuitët e revistës “Qytetërimi Katolik”, po përshkojmë së bashku historinë e kësaj reviste të rëndësishme, ku kanë shkruar edhe jezuitë, që kanë punuar e jetuar në Shqipëri, si atë Fulvio Cordignano, atë Giuseppe Valentini, atë Giovanni Fausti e të tjerë.

“Qytetërimi Katolik” është revistë e Shoqërisë së Jezusit, ndër më të lashtat e panoramës kulturore italiane. Është e vetmja revistë katolike, bocat e së cilës rishikohen nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit dhe botohen me miratimin e saj. Në të shkruajnë vetëm jezuitë e përmbajtja është e nivelit të lartë kulturor, pavarësisht se divulgativ (popullor).

Revista u themelua në vitin 1850 nga një grup jezuitësh të Napolit, me nismën e atë Carlo Maria Curci-t. Ideja që e nxiti atë Curci-n ishte pikërisht mbrojtja e “qytetërimit katolik”, kërcënuar nga armiqtë e Kishës, në veçanti nga liberalët dhe masonët, të cilët frymëzonin mendimin e Rilindjes(Risorgimento) Italiane, në kohën e përpjekjeve për themelimin e shtetit.

Atë Curci u mbështet plotësisht nga Papa Piu IX, i cili ndoqi nga afër themelimin e revistës, sepse në nëntor 1848 ndodhej në mërgim, i strehuar në fortesën e Gaetës, pjesë e Mbretërisë së Napolit. Edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Giacomo Antonelli e favorizoi nismën, si mjet i përshtatshëm për të mbrojtur mendimin katolik. Ndërsa eprori i atëhershëm i jezuitëve, atë Joannes Philippe Roothaan (1783-1853) nuk ishte entuziast, pasi nëse revista do të trajtonte çështje politike, mund ta dëmtonte Shoqërinë e Jezusit.

Numri i parë doli më 5 prill 1850 me drejtor vetë atë Curci-n. Me kërkesën e tij, revista u publikua në italisht e jo në latinisht, siç do të kishin dashur eprorët e jezuitëve. Ndër redaktorët e saj të parë, ia vlen të përmenden: Luigi Taparelli D’Azeglio (1793-1862), filozof i së drejtës; Matteo Liberatore (1810-1892), kultivues i filozofisë tomiste e pararendës i mësimeve shoqërore të Kishës, saqë Papa Leoni XIII e thirri për të shkruar enciklikën “Rerum Novarum”; Antonio Bresciani (1798-1862), letrar; Giovanni Battista Pianciani (1784-1862), studiues i shkencave natyrore.

Shumë nga këta etër jezuitë do të formonin më pas Kolegjin e parë të Shkrimtarëve, themeluar më 12 shkurt 1866, sanksionuar nga “Gravissimum supremi” të Papës Piu IX. Deri në vitin 1933, autorët ruajnë anonimatin, ndërsa pas atij viti, artikujt nënshkruhen me emër.

Revista pati që në fillim karakter polemik e luftarak, i cili u ruajt për një kohë të gjatë. Ishte stili tipik i ‘800-ës, që ndiqej, natyrisht, edhe nga kundërshtarët e Kishës. Për shkak të censurës së policisë së Mbretërisë së Dy Siçilive, pas pak muajsh, redaksia u transferua në Romë, ku “Qytetërimi Katolik” doli çdo dy javë, me 128 faqe. Revista mori gjithnjë e më tepër detyrën e interpretimit besnik të mendimit e të direktivave të Selisë së Shenjtë.

“Qytetërimi Katolik” pezulloi botimin pas 20 shtatorit 1870, menjëherë pas hyrjes së trupave italiane në Romë. Redaksia u transferua në Firence, për t’u kthyer më pas sërish në Romë, më 26 dhjetor 1887.

Protagoniste e debatit kulturor në Itali e brenda Kishës, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, “Qytetërimi Katolik” dha një kontribut vendimtar për dokumentin “Sillabo” të Papës Piu IX, për Koncilin I të Vatikanit e sidomos, për riafirmimin e filozofisë tomiste, që do të arrinte kulmin gjatë papnisë së Leonit XIII (1878-1903). Ndoqi me vëmendje bashkimin e Italisë dhe pas “marrjes së Portës Pia” (1870), mbajti qëndrim kritik ndaj klasës politike liberale. Bota laiciste reagoi ndaj revistës me themelimin e një reviste tjetër “Il Cimento”, e cila pati vetëm 4 vjet jetë, nga viti 1852 deri në vitin 1856.

Në fillimet e ‘900-ës, “Qytetërimi Katolik” i fliste shumicës së popullsisë katolike në Itali, në përpjekjen për të qenë shkollë për klasën drejtuese, e cila duhej të përballonte të ardhmen, sidomos pasi direktiva e Selisë së Shenjtë, që u kërkonte katolikëve të mos merrnin pjesë në votimet e shtetit italian, humbte dalëngadalë vlerën e saj.

Në vitin 1930, pas Konkordatit të vitit 1929, u zbuluan lidhjet e një grupi antifashist me frymëzim monarkiko-katolik dhe atë Enrico Rosa-s, në atë kohë drejtor i revistës. Gjatë viteve të fashizmit, revista synoi gjithnjë në formimin e klasës drejtuese, trajtoi ligjshmërinë e aneksimeve koloniale, mbajti qëndrim ndaj Luftës Civile në Spanjë, mbrojti hebrenjtë kundër antisemitizmit fashist, pavarësisht se fillimisht iu desh të bënte kompromise me fashizmin. Revista e jezuitëve u shpreh gjithnjë kundër totalitarizmave, që karakterizuan shekullin e kaluar në gjithë botën, megjithëse me një gjuhë tepër të matur për historianët e tjerë, edhe të sotëm. Meriton të përmendet këtu vepra e atë Robert Graham për përgënjeshtrimin e teorive historike mbi të ashtuquajturën “heshtje” të Papës Piu XII rreth kampeve të shfarosjes naziste.

Pas Luftës II Botërore, revista paralajmëroi popujt për rrezikun komunist në Itali e në vendet e Evropës Lindore. Artikuj të zjarrtë, si ata, që u nënshkruan nga atë Riccardo Lombardi (1908-1979), i bënin thirrje botës katolike të organizohej kundër së majtës në zgjedhjet politike të vitit 1948, pavarësisht se jo të gjithë anëtarët e Kolegjit të Shkrimtarëve të revistës e mendonin kështu.

Revista informoi gjerësisht mbi Koncilin II të Vatikanit, ku morën pjesë si ekspertë, edhe disa nga shkrimtarët e saj. Nga ajo kohë, “Qytetërimi Katolik” nuk përdor më tonin e opozitës, por atë të dialogut me botën moderne, në përpjekjen për të afirmuar të vërtetën e krishterë pa kompromise, në kërkim të një dialogu ndërmjet fesë dhe kulturës. Papnia e shën Gjon Palit II ndikoi fuqishëm për këtë, duke favorizuar perspektivën misionare dhe artikujt apologjetë, me idenë se ungjillëzimi i ri duhej të kishte parasysh se bota po bëhej gjithnjë e më e larmishme nga pikpamja kulturore dhe tërhiqej edhe nga pika referimi të ndryshme nga ato të Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.