2017-02-09 13:23:00

Maroku: liri për ta lënë Islamin. Paolo Branca: kthesë historike


Një lajm shumë i mirë arrin nga Maroku, ku u shfuqizua dënimi me vdekje për krimin e ndërrimit të fesë islame me një fe tjetër. Vendimin e mori Këshilli i Lartë i Ulemave, autoriteti më i lartë i vendit, që hodhi poshtë vendimin e kundërt, dekretuar më 2012-tën. Folëm për këtë me Paolo Branca-n, pedagog i Islamistikës dhe i Historisë së vendeve arabe, në Universitetin e Milanos:

Profesor Branca, në faqet e shtypit dikush e quajti “kthesë historike” këtë, që bëri Maroku. Është kështu?

Po, kështu është, sepse për herë të parë ky njihet si parim. Edhe pse, në praktikë, dënimi me vdekje për apostazi, apo për ndërrimin e fesë, në shumicën e rasteve nuk zbatohej prej kohe, duke u zëvendësuar me  rrugëzgjidhje të tjera, që po i quajmë më pak të rrepta.

Ky vendim i Këshillit të Lartë të Ulemave do të zbatohet menjëherë?

Besoj se po, sepse Maroku po bën hapa të shpejta përpara, duke pasur parasysh edhe se Kodi Civil përfshiu prej vitesh disa të drejta të rëndësishme për gratë. Ndërmjet tyre, edhe e drejta për t’u ndarë nga burri, gjë që ligji islamik e parashikon vetëm për mashkullin, i cili mund ta ndajë lirisht gruan. Ndërsa para këtij ligji të ri, burri e gruaja janë të barabartë. E pastaj duhet kujtuar edhe dokumenti i rëndësishëm i Marrakeshit, një vit më parë, që dekretoi se pakicat fetare duhen respektuar mbi bazën e parimit të qytetarisë, duke pranuar, kështu, një parim universal.

Profesor Branca, ky vendim merret pak ditë para hyrjes së Marokut në Bashkimin afrikan... Thua të ketë lidhje me këtë?

Besoj se po. Mendoj se jo vetëm Maroku, por edhe ne - vendet e Evropës - posaçërisht të Evropës mesdhetare - duhet të interesohemi për ardhmërinë e Afrikës, e cila vitet e ardhshme do ta dyfishojë  popullsinë, ndërsa ajo e Evropës do të mbetet në vendnumro, falë edhe emigracionit. Prandaj mund të themi se zhvillimi në drejtimin e duhur posaçërisht i viseve bregdetare, pa përjashtuar as pjesën tjetër të Afrikës, është largpamës dhe me interes për të gjithë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.