2017-02-09 14:13:00

Egjipt. Patriarku Sedrak: kishat janë rindërtuar, por kemi frikë nga sulme të reja


Gjendja e Kishës në Egjipt kalon kohë shpresash e vështirësish. Për këtë folën me Papën, të hënën e kaluar, prelatët e Kishës patriarkale të Aleksandrisë së koptëve, për vizitë “ad limina Apostolorum”. Formimi i të rinjve ishte në qendër të bisedimeve. Intervistuam Fotlumturinë e Tij,  Ibrahim Isaac Sedrak, patriark i Aleksandrisë së Koptëve të Egjiptit, që  flet për kisha të rindërtuara, por edhe për frikën se mund të nisin sulme të reja.

Pyetje: - Dy fjalë për takimin me Papën?

Përgjigje: - Mund të themi se ishte dulcis in fundo (ëmbëlsira në fund), sepse javën e parë shkuam për vizitë në shumë dikastere, ku shkëmbyem informacione dhe ide. Ishte shumë e rëndësishme. Paraditen e së hënës, bashkëkremtuam me Atin e Shenjtë në Shën Martë. Pastaj, në orën 11.00, u takuam për më se një orë. Dy, argumentet kryesore, që trajtuam: formimi i përgjithshëm si i klerit, ashtu edhe i laikëve, posaçërisht i atyre që i prijnë Kishës, dhe vëmendja që u duhet kushtuar të rinjve. Papa e shikoi si diçka shumë të rëndësishme këtë të fundit. E pastaj i dhamë një letër të shkruar, duke e ftuar të vizitojë Egjiptin. Na premtoi se do ta mendojë këtë mundësi e ne shpresojmë se do të kemi lajme të mira.

Pyetje: - Fortlumturia Juaj, në Egjipt vërehen akoma raste diskriminimi  kundër të krishterëve, akte terrorizmi, për shembull si ai i 11 dhjetorit të kaluar kundër kishës kopte të Shën Pjetrit, në Kairo, ku gjetën vdekjen 29 vetë. Ju shqetësojnë këto raste dhune?

Përgjigje: - Natyrisht! Dhuna, për fat të keq, vërehet në nivel botëror. Tek ne, në Egjipt, në nivel shtetëror: myslimanë, të krishterë e të gjithë ata, që e duan Egjiptin, janë, pa dyshim, të shqetësuar. Dhuna është vetëm në favor të atyre, që duan ta rrëzojnë shtetin egjiptian e, siç kemi thënë shpesh, falë injorancës, sepse i shpërdorojnë të rinjtë e pafajshëm, që ndoshta nuk kanë punë, duke i paguar për të bërë gjëra të tilla.

Pyetje: - Në këtë situatë, të krishterët  duhet të kenë frikë, apo jo?

Përgjigje: - Po, pa tjetër. Të krishterët në mënyrë të veçantë, sepse, fatkeqësisht, për të bërë të bjerë Egjipti, terroristët shkojnë e sulmojnë pikën më të dobtë të shoqërisë, domethënë pakicën e krishterë. E pastaj, e paraqesin si të ishte hakmarrje kundër vetë të krishterëve sepse, sipas tyre, të krishterët mbështesin Al Sisin. Po të krishterët nuk i përgjigjen kurrë dhunës me dhunë.

Pyetje: - Forma dhune kundër të krishterëve, e atentate, kanë ndodhur edhe më parë...

Përgjigje: - Kanë ndodhur, e askush nuk dënohej si fajtor. Ndërsa tani diçka lëviz e ndonjë edhe dënohet; pastaj është edhe reagimi i presidentit,  që merr pjesë në funerale në mënyrë shumë zyrtare. Por klima e frikës mbetet, sepse sulmet vijojnë: sulmohen të krishterët, sulmohen ushtarët, sulmohet në çdo çast, pa përjashtuar as myslimanët. Me rëndësi, ligji për lejet e ndërtimit, i përfshirë në Kushtetutë. Së paku tani e kemi një ligj, pavarësisht se nga e thëna, në të bërë, është në mes një det i tërë!

Pyetje: - Si janë në këtë çast marrëdhëniet e të krishterëve të Egjiptit  me popullsinë myslimane? A shkojnë përpara nismat e dialogut? Çastet e takimit?

Përgjigje: - Në nivel të institucioneve është ajo, që ne e quajmë “Shtëpia e familjes”, institucion i al-Azhar dhe Kishave egjiptiane ortodokse, katolike e protestante. E, pavarësisht nga e gjithë kjo që ndodh në Egjipt, egjiptianët vijojnë ta duan fort vendin e tyre!








All the contents on this site are copyrighted ©.