2017-02-08 11:20:00

Papa Françesku: të varfrit e të mënjanuarit na mësojnë të shpresojmë


Kush e humbet shpresën, përfundon në dëshpërim e bën “gjëra të këqija”: le të mësojmë të shpresojmë prej të varfërve e të mënjanuarve, duke qëndruar pranë atij që ndjehet pa shpresë nga “pesha e jetës” e nuk mbërrin të “ngrhet” në këmbë. Kështu tha Papa Françesku gjatë katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, në Vatikan, duke vazhduar me ciklin e katekizmit mbi shpresën e krishterë e duke u ndalur te gurra e ngushëllimit të anasjelltë e të paqes.

Jemi të thirrur të ndërtojmë ura e jo mure

Shpresa e krishterë – tha Papa Bergoglio - kërkon, “të mos mbyllemi brenda kufijve të komunitetit kishtar e bën që Fjala e Zotit të jehojë edhe jashtë, në mjediset shoqërore e civile, si thirrje për të mos krijuar mure, po ura; për të mos iu përgjigjur së keqes me të keqe, por për ta mposhtur të keqen me të mirë, fyerjen me falje, e kështu të jetojmë në paqe me të gjithë”.

Papa Françesku foli, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, mbi “Shpresën si burim ngushëllimi të anasjelltë, duke u frymëzuar nga fragmenti biblik i Letrës së Parë të shën Palit drejtuar Selanikasve (1Sl 5,14-18): “Jetoni në paqe me shoqi-shoqin! Ju nxisim, vëllezër, t’i qortoni ata që nuk jetojnë në rregull, jepuni zemër frikacakëve, ndihmoni të ligshtët, jini bujarë me të gjithë! Përpiquni që askush të mos ia kthejë askujt të keqen me të keqe, por gjithmonë bëni të përparojë e mira ndër ju dhe kundrejt gjithkujt! Gëzohuni gjithmonë!”.

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!

Të mërkurën e kaluar kemi parë se si shën Pali, në Letrën e Parë drejtuar Selanikasve, na fton të jemi të rrënjosur në shpresën e ringjalljes (krh 1Sl 5,4-11).  Në të njëjtin kontekst, Apostulli tregon se shpresa e krishterë nuk ka vetëm një frymëmarrje a vetëm një përmasë personale, individuale, por edhe kishtare, si bashkësi.

Për këtë, vështrimi zgjerohet menjëherë nga Pali, tek të gjitha realitetet që e përbëjnë komunitetin e krishterë, duke u kërkuar atyre të luten njëri për tjetrin e të ndihmojnë shoqi-shoqin. E nuk është e rastit nëse fillon pikërisht duke iu referuar atyre, të cilëve u është besuar përgjegjësia dhe udhëheqja baritore. Ata janë të parët që janë të thirrur ta ushqejnë shpresën, e këtë jo pse janë më të mirë se të tjerët, por në saje të misionit e të shërbimit hyjnor që shkon përtej forcave të tyre. Për këtë arsye, ata kanë më shumë se kurrë nevojë për respektin, për mirëkuptimin dhe mbështetjen dashamirëse të të gjthëve.

Vëmendja pastaj zhvendoset mbi vëllezërit që më së shumti rrezikojnë ta humbasin shpresën, të bien në dëshpërim. Prandaj duhet të kujtohesh e të kujdesesh për atë që është i shkurajuar, për atë që është i ligshtë, atë që ndjehet i këputur nga pesha e jetës dhe e fajeve personale e nuk mund të ngrihet më në këmbë. Në këto raste, afërsia dhe ngrohtësia e tërë Kishës duhet të bëhet edhe më e fuqishme e më e përzemërt, duhet të marrë formën e përdëllimit të këndshëm, të inkurajimit e të ngushëllimit.

Kjo është më se e rëndësishme: sepse shpresa e krishterë nuk mund të bëjë pa dashurinë dhe pa bamirësinë konkrete e të sinqertë. Vetë Apostulli i popujve, në Letrën drejtuar Romakëve, pohon me zemër në dorë: “Ne, që jemi të fortë, e kemi për detyrë t’i mbartim të metat e të ligshtëve e jo të kërkojmë çka na pëlqen” (Rom 15,1). Kjo dëshmi pastaj nuk duhet të mbyllet brenda kufijve të komunitetit të krishterë: por të jehojë me tërë fuqinë e vet edhe jashtë, përtej komunitetit të krishterë, në kontekstin shoqëror e civil, si thirrje për mos krijuar mure por ura, për të mos iu përgjigjur së keqes me të keqen, por për ta mposhtur të keqen me të mirën, fyerjen me falje, e kështu për të jetuar në paqe me të gjithë. Kjo është Kisha! E kjo është edhe ajo çka bën shpresa e krishterë, kur merr tiparet e forta e në të njëjtën kohë të buta të dashurisë.

Atëherë kuptohet se pse nuk mësojmë të shpresojmë të vetëm. Nuk është e mundur një gjë e tillë. Kjo, sepse shpresa, për t’u ushqyer, ka nevojë domosdoshmërisht për një “korp”, në të cilin gjymtyrët e ndryshme ndihmojnë e gjallërojnë njëra-tjetrën. Atëherë kjo do të thotë se, nëse shpresojmë, është sepse shumë vëllezër e motra tona na kanë mësuar të shpresojmë dhe e kanë mbajtur gjallë shpresën tonë. E ndër ta, dallohen të vegjlit, të varfrit, të thjeshtët, të mënjanuarit. Po, sepse nuk e njeh shpresën ai që mbyllet në mirëqenien personale, në kënaqësinë vetjake, kush ndjehet gjithmonë në rregull... Përkundrazi, shpresojnë ata që çdo ditë e përjetojnë sprovën, brishtësinë, paqëndrueshmërinë dhe kufizimin e vet. Këta janë vëllezërit tanë, që na japin dëshminë më të bukur, më të fortë,  sepse janë të qëndrueshëm në besimin që kanë në Zotin, duke ditur se, përtej trishtimit, trysnisë dhe vdekjes së pashmangshme, fjala e fundit nuk do të jetë e vdekjes, por do të jetë fjala e mëshirës, e jetës dhe e paqes.

Miq të dashur, nëse – siç kemi thënë – banesa e natyrshme e shpresës është “korpi” solidar, në rastin e shpresës së krishterë ky korp është Kisha, ndërsa fryma jetike, shpirti i kësaj shprese është Shpirti Shenjt. Atëherë ja se pse Pali Apostull së fundi na fton ta lusim pareshtur. Nëse nuk është e lehtë të besosh, aq më pak është të shpresosh. Por kur  Shpirti Shenjt banon në zemrat tona, është Ai që na ndihmon të kuptojmë se nuk duhet të kemi frikë, se Zoti është gjithmonë pranë nesh e kujdeset për ne; e është Ai që i modelon komunitetet tona, në një Rrëshajë të përhershme, si shenjë e gjallë e shpresës për familjen njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.