2017-02-08 15:25:00

Numri 4000 i “Qytetërimit Katolik”. Nesër, takim me Papën


Nesër paradite, Papa Françesku do të presë shkrimtarët e revistës së jezuitëve “Qytetërimi katolik” (Civiltà Cattolica), e cila më 11 shkurt do të publikojë numrin e saj të 4000-të. Tashmë, kjo revistë e përjavshme botohet në 5 gjuhë të ndryshme: italisht, spanjisht, anglisht, frëngjisht e në gjuhën koreane.

Lindur më 5 prill 1850, revista, që aktualisht drejtohet nga atë Antonio Spadaro, është praktikisht e vetme, një “unicum”, në historinë e revistave kulturore. Ka pasur gjithnjë një lidhje të veçantë me papët e Romës e bocat e saj rishikohen nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit. Me Papën e parë jezuit në historinë e Kishës, “Qytetërimi Katolik” ka fituar një rol vendimtar në shpjegimin dhe kuptimin e papnisë së Françeskut.

Edhe Papët e mëparshëm kanë kremtuar numrat shumëfish të njëmijës: Papa Piu XI në vitin 1892, Papa Leoni XIII në vitin 1933 e Papa Pali VI në vitin 1975. Ndërkaq, janë 12, papët që u kanë shkruar mesazhe e fjalime etërve të revistës gjatë viteve. Me këtë rast, ato bëhen publike për herë të parë në një vëllim të Shtëpisë Botuese italiane “Rizzoli”, me titull “Guximi dhe trimëria. Nga Piu IX tek Françesku”. Mesazhet papnore paraprihen nga një paraqitje e pasur historike.

Më 11 shkurt, për herë të parë në historinë e revistës, do të dalin në librari edhe 4 edicione mujore në spanjisht, në anglisht, në frëngjisht e në gjuhën koreane. Kujtojmë se edicioni spanjoll, me titull “Herder”, paraqitet më 9 shkurt, në orën 18.00, në Ambasadën e Spanjës pranë Selisë së Shenjtë, ndërsa edicioni anglez, me titull “Union of Catholic Asian News” (Bashkimi i Lajmeve Katolike Aziatike), më 28 shkurt, në orën 18.30, në rezidencën e ambasadores së Britanisë së Madhe pranë Selisë së Shenjtë. Edicioni francez quhet “Parole et Silence”.

Ndërkaq, vetë fashikulli i “Qytetërimit Katolik”, që mban numrin 4000, do të paraqitet në selinë e revistës, në rrugën Porta Pinciana 1, të shtunën, më 18 shkurt, në orën 18.00, me një tryezë të rrumbullakët, në të cilën marrin pjesë Giuliano Amato, gjykatës kushtetues, Emma Fattorini, historiane e studiuese e historisë së Kishës, dhe Andrea Riccardi, themelues i Bashkësisë së Shën Egjidit, edhe ai historian. Në muajt e ardhshëm, nisma të tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.