2017-02-07 11:35:00

Mesazhi i Papës për Kreshmët 2017 mbi temën: “Fjala është dhuratë. Tjetri është dhuratë.”


Çdo jetë që takojmë meriton “pritjen, respektin, dashurinë”, sidomos nëse është e “brishtë”. Kështu shkruan mes tjerash Papa Françesku në Mesazhin për Krezhmët 2017 mbi temën: “Fjala është dhuratë. Tjetri është dhuratë”, në të cilin nxit të mos jemi të burgosur të parasë, të pasurisë, që “nuk i le hapësirë dashurisë e pengon paqen”.

Në tekstin e mesazhit të Krezhmëve, që u paraqit sot nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Papa Françesku bën thirrje ta dëgjojmë, meditojmë dhe ndjekim Fjalën e Zotit, “forcën e gjallë” që na përtërin jetën, na nxit t’i ndryshojmë zemrat, pra t’i kthejmë zemrat tona ndaj vëllezërve tanë nevojtarë.

Në mesazhin e Krezhmëve, Papa ofron një fotografi të njeriut të sotëm që përballet çdo ditë me vështirësi të mëdha e të ndryshme, nga uria e deri te mënjanimi shoqëror, e pastaj duke u mbështetur në dritën e Fjalës së Zotit, na fton t’i hapim portat tona “ndaj të dobëtit e të varfrit”, sepse “tjetri është një dhuratë”,: vetëm kështu mund të “jetojmë e të dëshmojmë në plotësi” gëzimin e Pashkës. Kjo nxitja e Papës në Mesazhin e Krezhmëve, që fillojnë me të Mërkurën e Përhime, më 1 marsin e ardhshëm.

Ati i Shenjtë Françesku ndalet te shëmbëlltyra ungjillore e njeriut të pasur e Lazrit skamnor, të cilën na tregon Luka ungjilltar.  Le të frymëzohemi nga kjo faqe ungjillore kaq domethënëse, që na ofron çelësin për të kuptuar e për të mësuar si të veprojmë për t’ia arritur lumturisë së vërtetë dhe jetës së amshuar, duke na nxitur në një kthim të sinqertë te Zoti.

Pikërisht Lazri, shpjegon Papa, na paraqitet jo si një “anonim”, si një i “padukshëm”, siç paraqitet në anën tjetër pasaniku, por si një “individ” me të cilin mund të lidh edhe ndonjë histori personale, bëhet i “njohur” e gati-gati familjar”, do të thotë se ka një “fytyrë”. E, si i tillë, është një “dhuratë”, është një “pasuri e paçmueshme”, një qenie e dëshiruar, qenie e dashur, e kujtuar nga Zoti”, megjithëse gjendja e tij konkrete  është ajo e “refuzimit njerëzor”.

Marrëdhënia e drejtë me njerëzit, vijon Papa Bergoglio, është në “pranimin me mirënjohje të vlerës” së tjetrit. I varfri te dera e pasanikut nuk është pra një “pengesë e bezdisshme”, por një thirrje “për t’u konvertuar e për të ndryshuar jetën”, duke ia hapur “portën e zemrës sonë”, sepse çdo person është një dhuratë, “qoftë i afërmi jonë a qoftë një i varfër i panjohur”. Krezhmët bëhen kështu “kohë e volitshme” për t’ia hapur derën “çdo nevojtari” e për të “parë në të fytyrën e Krishtin”.

 “Çdonjëri prej nesh”, kujton Papës, në udhën e jetës personale takon së paku një të varfër a një nevojtar, që është dhuratë, e këndej e meriton pritjen, respektin dhe dashurinë” tonë. E është pikërisht Fjala e Zotit na ndihmon t’i “hapim sytë” për ta “pranuar jetën e për ta dashur, sidomos kur ajo është e brishtë”.

Për të mbërritur këtë është e nevojshme të marrim seriozisht edhe atë që shëmbëlltyra e Ungjillit na  dëfton lidhur me njeriun e pasur. Ai është një njeri pa emër sepse pasuria e tij “është jashtë mase, e tepruar, edhe për arsye se krenohej çdo ditë me pasurinë e tij” e kështu në të “tejduket dramatikisht korrupsioni i mëkatit, i cili realizohet në tre momente që pasojnë njëri tjetrin: dashuria për të hollat, kotësia dhe mendjemadhësia”.

Edhe vetë Pali apostull, në letrën e tij drejtuar Timoteut, argumenton Papa Françesku, pohon se “lakmimi i të hollave është rrënja e të gjitha të këqijave” (1Tm 6,10). Ajo është, pra, “shkaku kryesor i korrupsionit e burimi i smirës, përçarjes e dyshimit. Të hollat mund të arrijnë të na sundojnë, e kështu arrijnë të bëhen idhull tiranik. Në vend që të jenë mjet për të bërë vepra të mira e për të qenë solidarë me të tjerët, të hollat mund të na shërbejnë ne e botën mbarë për një logjikë egoiste që nuk i le hapësirë dashurisë dhe pengon paqen”.

Problemi i vërtetë i pasanikut, rrënja e të këqijave të tij është se nuk ia vë veshin dëgjimit të Fjalës së Zotit; kjo e ka sjell të mos ta duaj më Zotin e këndej ta përbuzë të afërmin. Fjala e Zotit është forcë e gjallë, e aftë të nxisë kthimin e zemrës së njerëzve e t’i orientojë përsëri drejt Zotit. Të mbyllësh zemrën ndaj dhuratës së Zotit që flet, ka si pasojë mbylljen e zemrës ndaj dhuratës së vëllait”.

Krezhmët, përfundon Papa Françesku, “janë kohë e volitshme për t’u përtërirë në takimin me Krishtin e gjallë në Fjalën e tij, në Sakramentet e në të afërmin. Zoti Jezus, që gjatë dyzetë ditëve kaluar në shkretëtirë, fitoi mbi mashtrimet e Tunduesit – na tregon udhën për ta ndjekur. Shpirti Shenjt na udhëheq drejt plotësimit të udhës së vërtetë të kthimit, për t’i zbuluar kështu dhuratat e Fjalës së Zotit, për t’u pastruar nga mëkati që na verbëron dhe për t’i shërbyer Krishtit të pranishëm në vëllezërit nevojtarë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.