2017-02-05 12:30:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: jini kripa e tokës e drita e botës


Papa Françesku tha sot Lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ndër të cilët, edhe shoqatat pro jetës, ardhur me rastin e kremtimit të Ditës së 39-të të Kishës Italiane për jetën. Tema e sivjetme i nxit të gjithë njerëzit vullnetmirë të ndjekin shembullin e gjurmët e Nënë Terezës, shenjtes shqiptare të dashurisë.

         Ashtu si të dielën e kaluar, Ati i Shenjtë komentoi sërish Fjalimin e Jezusit mbi Mal, të cilin vazhdon ta vërë në pah liturgjia e sotme. Krishti përvijon tiparet e dishepujve, që impenjohen të ndjekin gjurmët e Birit të Zotit. Ata janë kripa e tokës, që i jep asaj shije, e janë drita e botës, për ta shndritur atë. E Jezusi e vë theksin jo në prestigjin, që mund t’u japë kjo dritë, por në çka na bën bij të dritës: veprat e jetës sonë. Ashtu si Isaia profet, në Leximin e parë të sotëm, reagon kundër formalizmit fetar, duke treguar ato vepra për të varfërit, që janë drita e vërtetë e fesë, ashtu edhe Jezu Krishti shpall se dishepulli i Tij shndrit vetëm nëse vepron për lavdi të Hyjit.

         Në qendër të jetës është vetëm Zoti: asnjë protagonizëm për të krishterët, asnjë përpjekje për të pasur nderime e bujë. Veprat e tyre, nëse kryhen për dashuri, e shndrisin botën, por nuk i bëjnë hije dritës hyjnore, që shndrit çdo njeri. Ashtu si Shën Pali në Leximin e dytë të sotëm, nuk shohin tjetër, veçse Jezusin e kryqëzuar e vetëm prej Tij orientohet çdo vendim i tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.