2017-02-04 06:00:00

Papa Françesku takon afaristët e Ekonomisë së Bashkimit


Papa Françesku u takua sot me më se njëmijë pjesëmarrës në Takimin mbi Ekonominë e Bashkimit, organizuar nga Lëvizja e Fokolarinëve. Është fjala për një rrjet afaristësh, i pranishëm në të gjitha kontinentet, lindur në vitin 1991 nga një ide e Chiara Lubich, themelueses së fokolarinëve. Përvoja e ndërmarrjeve të këtij lloji bazohet mbi vëllazërimin e ndarjen e përbashkët të fitimeve. Në ditët para audiencës me Papën, disa nga pjesëmarrësit e Takimit u sqaruan gazetarëve ç’është Ekonomia e Bashkimit.

Sipas kësaj ekonomie, fitimet ndahen jo vetëm ndërmjet punëtorëve, por edhe jashtë ndërmarrjes, duke menduar për nevojtarët e duke e zgjeruar prodhimin përtej kufijve të biznesit personal, për të mirën e përbashkët, jo teorikisht, por praktikisht. Të dëgjojmë koordinatorin ndërkombëtar të rrjetit, Luigino Bruni:

Është një këndvështrim i ndryshëm mbi ekonominë, nuk është formë e re për ndonjë organizatë pa qëllime fitimi. Duam të themi se thirrja e vërtetë e ekonomisë është bashkëndarja. Kur ekonomia është pasurim i dikujt në dëm të të tjerëve, kthehet në të kundërtën e saj. Nëse ekonomia  është bashkëpunim, është zhvillim i përbashkët, atëherë nuk mund të mos jetë edhe ndarje e pasurisë me të tjerët. Është sfidë ambicioze.

Po cili është ai afarist, që do të dëshironte të merrte pjesë në këtë Ekonomi?

Së pari, kjo është thirrje e brendshme. Bota është plot me zëra, që kur i dëgjon, të frymëzojnë. Edhe jeta ekonomike ka thirrjet e saj, ashtu si fushat e tjera, ajo fetare, ajo artistike, etj.. Nga pikpamja e përfitimit material mund të japë pak, por të shpërblen me forma të tjera, si: të jesh në paqe me ndërgjegjen, të ndjehesh pjesë e një projekti, që ndihmon njerëzit në vështirësi, të ndjesh se po bën detyrën.

Të parët, që e bënë të tyren Ekonominë e Bashkimit, kanë qenë brazilianët, por më pas, ajo është përhapur kudo, sidomos në vende si Kuba, Vietnami, vendet e Amerikës Latine, por edhe në SHBA. Ndër afaristët, që u takuan dje me Papën, ishte edhe John Mundel, pronar i një ndërmarrjeje në Indiana të SHBA-ve, që merret me konsulencë ambientale. Ja dëshmia e tij:

Hapi i parë është të impenjohem unë si afarist, në Ekonominë e Bashkimit. Duhet që unë, i pari, ta zbatoj atë në ndërmarrjen time e kjo do të thotë të kujdesem për njerëzit, që kam përreth e që punojnë me mua, nga punonjësit tek korrierët. Pra, nuk është fjala vetëm për të ndihmuar të varfërit, por ky stil duhet jetuar përditë, duhet bërë i zakonshëm. Kemi edhe një stazh për të rinjtë, që kanë ardhur tek ne nga e gjithë bota, për ta mësuar këtë frymë bashkëndarjeje e për t’ua propozuar pastaj ndërmarrjeve të tyre në vendet e origjinës. Mendoj se Ekonomia e Bashkimit shërben edhe për të kapërcyer krizat ekonomike. Vështirësitë mund të përballohen së bashku, askush nuk e shpëton botën i vetëm, por duhet të punojmë së bashku për të bërë diçka pozitive. Për këtë kemi nevojë sot, jo për heronj të vetmuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.