2017-02-03 11:58:00

Vatikan: alarm hemorragjie ndër rregulltarë: 2300 braktisje në vit


Çdo ditë besnikëria ndaj jetës rregulltare vihet në provë nga sfidat e botës. Për ta kapërcyer, duhet thirrje e fuqishme e formim i vazhdueshëm. Këtë pohon kryeipeshkvi Josè Rodriguez Carballo, sekretar i Kongregatës për institutet e jetës rregulltare dhe shoqëritë e jetës apostolike, në një intervistë dhënë gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, menjëherë pas plenares së dikasterit, ku u theksua kushtrimi i dhënë nga Papa për një hemorragji të vërtetë ndërmjet rregulltarëve e rregulltareve:

“Nëse Papa flet për ‘hemorragji’, do të thotë se problemi është shqetësues, e jo vetëm për numrin, por edhe për moshën e atyre, që i braktisin kuvendet: ndërmjet 30 e 50 vjeç - shpjegon imzot Carballo. - Shifrat e braktisjeve gjatë viteve të fundit mbeten të njëjta - vijon. - Ndërmjet  2015-tës e 2016-tës u larguan nga jeta rregulltare rreth 2.300 vetë në vit, duke përfshirë edhe 271 dekrete për dorëheqje nga instituti, 518 përjashtime nga detyrimi i çelibatit, dhënë nga Kongregata për Klerin, 141 priftërinj të inkardinuar në dioqeze të ndryshme dhe 332 lirime nga kushtet ndër rregulltarët kundrues”.

“Gjatë plenares u bënë tri vërejtje kryesore - shton sekretari i dikasterit - mbi numrin tejet të lartë të atyre, që largohen nga jeta rregulltare, për t’u inkardinuar në dioqeze, numrin aspak indiferent të kundrueseve, që e lënë jetën rregulltare dhe numrin e atyre, që e braktisin (225 raste), duke pohuar se nuk kanë pasur kurrë thirrje. Duhet pohuar edhe se numri më i madh i  largimeve nga kuvendet, vërehet ndërmjet rregulltareve, fakt që, pjesërisht, mund të shpjegohet edhe me faktin që përbëjnë shumicën ndërmjet rregulltarëve.   








All the contents on this site are copyrighted ©.