2017-01-31 14:49:00

Papa: Jezusi është gjithmonë në mesin e njerëzve por nuk kërkon popullaritet


Nëse me qëndresë shikojmë drejt Jezusit, ne zbulojmë me mahnitje se është Ai që e shikon çdonjërin prej nesh me dashuri: kështu tha Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan, në ditën e përkujtimit liturgjik të Shën Gjon Boskut.

Në Leximin I të meshës, autori i Letrës së Hebrenjve (Hb12,1-4), na nxit të vrapojmë në fe “me qëndresë, me shikimin drejtuar mbi Jezusin”. Në Ungjill (Mk 5,21-43) është Jezusi ai që na shikon e na  vështron. Ai është pranë nesh – shpjegoi Papa Françesku – “Ai është gjithmonë në mesin e turmës”:

“Nuk është me rojet shoqëruese, për t’u ruajtur që njerëzit të mos e prekin. Jo, jo! Ai ka mbetur aty dhe njerëzit shtrëngohet rreth tij. E çdo herë që Jezusi dilte, kishte më shumë njerëz. Specialistët e statistikave ndoshta kanë mundur të deklaronin se: ‘Bie popullariteti i Rabbit – Mësuesit Jezus’... Por ai kërkonte një gjë tjetër: kërkonte njerëzit. E njerëzit e kërkonin Atë: njerëzit i kishin sytë drejtuar te Ai dhe Ai i kishte sytë drejtuar mbi njerëz. ‘Po, po, mbi njerëz, mbi turmën’ – ‘Jo, mbi çdonjërin, në përgjithësi!’. E kjo është karakteristika e shikimit të Jezusit. Jezusi nuk i masifikon njerëzit: Jezusi e shikon çdonjërin”.

Ungjilli i Markut, që kumtohen në meshën e sotme, na tregon për dy mrekulli: Jezusi e shëron një grua të sëmurë dymbëdhjetë vjet nga gjakderdhja e cila, në mesin e turmës, mbërrini ta prekte petkun e Jezusit. E Jezusi e ndjeu se dikush ia preku petkat. Pastaj, ringjalli vajzën e Jairit, njërit prej krerëve të sinagogës. Jezusi e ndjeu se vajza kishte uri dhe u tha prindërve t’i japin të ha:

“Vështrimi i Jezusit shkon nga madhi tek i vogli. Kështu është shikimi i Jezusit: na shikon të gjithëve, por ai e vështron çdonjërin prej nesh, i shikon problemet tona të mëdha a gëzimet tona të mëdha, por i shikon edhe gjërat tona të vogla. E këtë sepse është afër, Jezusi nuk frikohet prej gjërave të mëdha, por i vlerëson gjërat e vogla. Kështu na shikon Jezusi”.

Nëse vrapojmë “me qëndresë, duke mbajtur shikimit drejt Jezusit” – pohoi Papa Françesku – do të na ndodh ajo që u ka ndodhur njerëzve pas ringjalljes së vajzës së Jairit, që u pushtuan nga “një mahnitje e madhe”. Prandaj, të mos kemi frikë! Të vrapojmë në këtë udhë, gjithmonë duke e mbajtur shikimin të ngulur mbi Jezusin. E do të kemi befasi të bukura, që na mbushin me mahnitje, sepse vetë Jezusi e ka të fiksuar vështrimin e tij mbi mua, mbi ne”, Ai është gjithmonë me ne.








All the contents on this site are copyrighted ©.