2017-01-31 13:17:00

Me 31 janar Kisha kujton Shën Gjon Boskun, themelues i Salezianëve, atë e mësues i të rinjve.


Me 31 janar kalendari kishtar kujton Shën Gjon Boskun, themelues i Salezianëve, atë dhe mësues i të rinjve. Gjon Bosku është shenjt i madh i kohëve moderne, pajtor qiellor i studentëve e i botuesve, meshtar torinez, i lindur në vitin 1841. Shenjti kujtohet si krijues i Oratorëve, vend takimi e dëfrimi për të rinjtë, edukimit të të cilëve Shenjti ia kushtoi gjithë jetën, dhe si themelues i vëllezërve Salezianë dhe i motrave Saleziane. Don Bosku vdiq më 31 janar 1888 dhe u kanonizua nga Papa Piu XI në vitin 1934. Festa e tij u kremtua kudo kryejnë misionin familjet saleziane, por kremtimet kryesore u mbajtën në Torino. 
Kujtojmë se familja rregulltare Saleziane është e pranishme ndër shqiptarë. Në Shqipëri që në vitet ’30 dhe pas ndërprerjes gjatë periudhës komuniste, në vitin 1992 rregulltarët salezianë janë kthyer menjëherë, për të ngritur oratorët dhe qendrat e tyre sociale në Tiranë e në Shkodër, në sa prej vitesh vijojnë misionin në Prishtinë e Gjilan të Kosovës, dhe në Podgoricë të Malit të Zi. 
Të guximshëm në shpalljen e Ungjillit e të durueshëm me të rinjtë. Këto veçoritë e rregulltarëve Salezianë. Të rinjtë e shohin botën që ndryshon me shpejtësi, duke shtruar para të rriturve probleme etike, kulturore, ambientale të rëndësishme, që tregojnë se ata vetë kanë vlera të shëndosha. E Salezianët mundohen të jenë në gjendje t’i kuptojnë aspiratat e tyre e të gjejnë përgjigje, që i kanë rrënjët në mesazhin e Jezusit e në thirrjen e veçantë të Shoqërisë së don Boskut.








All the contents on this site are copyrighted ©.