2017-01-31 00:00:00

Fugurja e Zojës, Nënë e Mëshirës, kurorëzuar e ekspozuar në Vatikan


Fugurja e “Virgjërës Mari, Nënë e Mëshirës”, dashur nga të varfërit dhe vullnetarët e Shtëpisë së Vogël të Mëshirës në Xhela të Sicilisë, si homazh për Zojën në Jubileun e Mëshirës, do të kurorëzohet dhe do të ekspozohet në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Fugurja përfaqëson Virgjërën, e cila i tregon botës Jezu Krishtin, mëshirën e Atit Qiellor, si edhe përparësen, shenjë identifikuese e shërbimit të Krishtit e të mëshirës për të afërmin. Që nga 13 nëntori 2016, me përfundimin e Jubileut në nivelin dioqezan, fugurja nderohet në elterin kryesor të kishës së Shën Augustinit në Xhela, Qendër shpirtërore kombëtare e Mëshirës Hyjnore dhe mencë e strehim për të varfërit.

Më 2 shkurt, mesha e Papës në praninë e fugures

Rreth njëqind banorë të Xhelës, kryesuar nga Vikari i përgjithshëm i dioqezës së Piazza Armerina, don Antonino Rivoli dhe nga nismëtari i Qendrës, don Pasqualino di Dio, së bashku me disa të varfër e vullnetarë nga Shtëpia e Vogël, do të jenë në kryeqytetin italian më 1 shkurt për të marrë pjesë në audiencën e Atit të Shenjtë e në meshën e Bazilikës së Vatikanit, ku do të kremtohet edhe riti i kurorëzimit të Fugures Shenjte, kryesuar nga kardinali Angelo Comastri, Vikar i përgjithshëm i Papës për Shtetin e Vatikanit e Kryeprift i vetë Bazilikës. Më 2 shkurt, në festën e Paraqitjes së Krishtit në Tempull, Papa Françesku do të kryesojë meshën në praninë e Fugures së Nënës së Mëshirës. Të dielën, më 5 shkurt, në orën 17.30, Fugurja do të kthehet në Xhela e do të pritet në kishën e Shën Françeskut të Paolas. Më pas, do të çohet me procesion në kishën e Shën Augustinit nga vjen, ku meshën do ta kremtojë ipeshkvi i Piazza Armerina, imzot Rosario Gisana.








All the contents on this site are copyrighted ©.