2017-01-27 14:39:00

Komunitetet e krishtera të Tiranës në lutje të përbashkët


“Pajtimi është një dhuratë e Zotit! Kështu u shpreh Papa Françesku në kremtimin ekumenik të lutjes së Mbrëmësore, të mërkurës pasdite në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në Romë, në festën e Kthimit të Shën Palit, apostullit të popujve, me rastin e mbylljes së javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. “Bashkimi i vërtetë është kur të jemi të aftë të mësojmë njëri nga tjetri”.

Gjithnjë, në kuadrin e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, edhe në ambientet e Arqipeshkëvisë së Tiranë-Durrësit, u mbajt një takim lutjeje, ku morën pjesë anëtarë të bashkësive të krishtera të Tiranës. Konkretisht ishin të pranishëm nga Kisha Katolike, Kisha ortodokse dhe Vëllazëria Ungjillore. Takimin e hapi jezuiti shqiptar, Atë Zef Bisha, i cili është i ngarkuar për Ekumenizmin në Arkidioqezën Tiranë-Durrës. Në takim ishte i pranishëm Arqipshkëvi i Tiranë – Durrësit, Imzot George Frendo O.P.  dhe kryetari i Vëllazërisë Ungjillore Pastor Ylli Doçi, klerikë ortodoksë e një numër i konsiderueshëm besimtarësh.

Gjatë lutjes u lexuan disa pjesë biblike dhe u bënë tre ndërhyrje nga tre përfaqësues të komuniteteve të krishtera të pranishme në kryeqytetin e Shqipërisë. Në fund u ndanë dhuratat e ndërsjellta dh u shkëmbye shenja e paqes. Pas Takimit ekumenik të lutjes, pati një moment bashkëndarje vëllazërore të ushqimit.

Ky është i disati vit që në Arkidioqezën Tirane-Durrës kremtohet Java për Lutjen e Bashkimit të të Krishterëve e duhet theksuar se gjithmonë pritet me entuziazëm nga besimtarët e Kishave përkatëse, njoftojnë nga kryedioqeza katolike e Tiranës.








All the contents on this site are copyrighted ©.