2017-01-24 13:47:00

Papa: Zotit i pëlqen kur zemërohemi me Të, sepse nuk shtiremi


Të bëjmë vullnesën e Zotit, nuk do të thotë të mos diskutojmë e të mos zemërohemi me Hyjin. Rëndësi ka të jemi të vërtetë e jo të shtirur e në fund, t’i themi: “Ja ku jam”. Kështu tha sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.

Historia e Shëlbimit është historia e “Ja ku jam”

         Në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë ishte Letra drejtuar Hebrenjve e liturgjisë së sotme. Kur Krishti vjen në botë, thotë: “Ti nuk deshe as flijime as mblatime, as holokauste e as flijime për mëkatin. Ja, unë vij të bëj vullnetin Tënd”. Kjo fjalë e Krishtit, shpjegoi Papa, mbyll një histori të tërë me “Ja ku jam” të lidhura me njëra-tjetrën. Pas Adamit, që fshihej, sepse kishte frikë nga Hyji, Zoti fillon t’i thërrasë e të dëgjojë edhe përgjigjen e këtyre burrave e grave, që thonë: “Ja ku jam. Jam gati”. Nga gatishmëria e Abrahamit, Moisiut, Elisë, Isaisë, Jeremisë, deri sa të arrijmë tek ai “Ja ku jam” i shën Marisë dhe tek i fundit “Ja ku jam” i Jezusit. Kjo gatishmëri nuk është automatike, sepse Zoti vihet në dialog me ata, që fton, nënvizoi Papa:

         “Zoti dialogon gjithnjë me ata, që i fton në këtë udhë, që i fton të thonë ‘Ja ku jam’. Ka shumë durim. Kur lexojmë Librin e Jobit, gjithë arsyetimet e Jobit, që nuk kupton e përgjigjet, që i jep Zoti, i cili e ndreq… e në fund, cili është ai ‘Ja ku jam’ i Jobit? ‘Ah, o Zot, Ti ke të drejtë: unë të njihja vetëm me të dëgjuar: tani të panë sytë e mi’. ‘Ja ku jam’ thuhet me vullnet, eh? Kjo është jeta e krishterë: një ‘Ja ku jam’, një ‘Ja ku jam’ i vazhdueshëm për të bërë vullnetin e Zotit… Është bukur të lexohet Shkrimi Shenjt, Bibla, duke kërkuar përgjigjet e njerëzve të Zotit, si përgjigjeshin ata… e t’i gjejmë ato… është bukur. ‘Ja ku jam, unë bëj vullnetin Tënd’”.

Mos u shtir kurrë para Zotit

         Liturgjia e sotme na fton të reflektojmë për përgjigjen, që i japim Zotit, vijoi Papa:

         “Shkoj të fshihem, si Adami, për të mos u përgjigjur? Apo, kur Hyji më thërret, në vend që të them ‘Ja ku jam’ apo ‘çfarë do prej meje?’, iki, si Jona, që nuk donte të bënte ç’i kërkonte Zoti? Apo shtirem sikur e bëj vullnetin e Zotit, por vetëm nga jashtë, si dijetarët e ligjit, që Jezusi i dënon ashpër? Shtireshin: ‘Gjithçka mirë… asnjë pyetje: unë bëj kaq e asgjë më tepër’. Apo e kthej kokën nga ana tjetër, siç bënë leviti dhe meshtari, para atij njeriut të shkretë të plagosur, i rrahur nga kusarët, lënë gjysëm i vdekur? Si është përgjigjja ime para Zotit?”

Edhe kur zemërohemi me Zotin, lutemi

         Zoti na thërret përditë e na fton t’i themi “Ja ku jam”, përfundoi Papa, por mund edhe “të diskutojmë” me Të:

         “Atij i pëlqen të diskutojë me ne. Ndokush më thotë: ‘Shpesh, kur shkoj të lutem, zemërohem me Zotin…’, po edhe kjo është lutje! Atij i pëlqen kur zemërohesh dhe i thua në sy atë, që ndjen, sepse është Atë! E kjo është një ‘Ja ku jam’… Apo fshihem? Apo iki? Apo shtirem? Apo shikoj nga ana tjetër? Secili prej nesh mund të përgjigjet: si është ai ‘Ja ku jam’ i imi për Zotin, për të bërë vullnetin e Tij në jetën time. Si është? Shpirti Shenjt na dhashtë hirin për ta gjetur këtë përgjigje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.