2017-01-21 19:13:00

Papa Françesku kremton meshën e Jubileut të Domenikanëve në shën Gjonin e Lateranit


Me Meshën kremtuar sot pasdite nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, u mbyll Jubileu kushtuar 800 vjetorit të lindjes së urdhrit të fretërve Domenikanë. Një rast i veçantë, ky, “për t’i dhënë lavde Atit Qiellor”, tha në homeli Papa Françesku “për një Vepër që ka ndihmuar, burra e gra, të mos shthureshin në kotësinë sipërfaqësore të botës, por ta ndjenin shijen e Ungjillit duke u bërë artizanë të veprave të mira.

Kremtimi i sotëm i “Jubileut të Domenikanëve” (7 nëntor 2015-21 janar 2017) ishte historik, simbolik, plotë emocione për atë që në një farë mënyre kujton data e 21 janarit të vitit 1217, kur me një Bullë papnore pikërisht në Lateran, ku kishte rezidencën asokohe, Papa Onorio III konfirmonte përfundimisht në gjirin e Kishës katolike lindjen e urdhrin themeluar nga spanjolli Shën Domeniku de Guzmàn. Aso kohe ishte një grup i vogël fretërish, sot është një familje jashtëzakonisht e madhe e bashkuar rreth Papës me sytë drejt së ardhmes.

Me rastin e këtij 800 vjetori të Urdhrit të Domenikanëve, Papa e shpalli sot një mesazh edhe në profilin e tij në Twitter: “Me Shën Domenikun të shkojmë përpara me gëzim, duke menduar në Shëlbuesit tonë.”#OP800”.

Në çdo epokë, sot, si edhe në kohët e shën Dominikut me vëllezërit e tij të parë, ashtu si dymijë vjet më parë kur Pali Apostull i shkruante dishepullit të tij Timoteut, vërejti Papa Françesku duke komentuar Fjalën e Zotit të ditës së sotme, jeta lëviz “ndërmjet dy skenarëve njerëzor të kundërt”: “karnevalit të kureshtjes mondane” dhe “glorifikimit të Atit përmes veprave të mira”:

“Pali i kujton Timoteut se e ka për detyrë ta kumtojë Ungjillin në një kontekst ku njerëzit kërkojnë gjithmonë ‘mësues’ të ri, ‘fabula’, ‘tregime të këndshme’, doktrina të ndryshme, ideologji. Është fjala për karvenvalin e kureshtjeve mondane, joshëse. Për këtë arsye Apostulli e mëson dishepullin e vet për të përdorur edhe fjalë të forta, “nxit”, “këshillo”, “urdhëro”, ”qorto”, e pastaj “rri zgjuar”, “duroj të vështirat””.

Sot, ky skenar, tha Papa Françesku, ka ndryshuar e është zhvilluar e globalizuar shumë për shkakun e “joshjes së relativizmit subjektiv”. Të ruhemi nga pasojat e një shoqërie që ‘përdorë, shfrytëzon, hedhë e mënjanon’. Prandaj kujdes ndaj së ‘vërtetës së falsifikuar’, tërhoqi vëmendjen Papa dhe përdori imazhin e sociologut polak Zygmunt Brauman që vdiq  më 9 janarin e kaluar: Sot ne “lëvizim në të ashtuquajturën ‘shoqëri likuide’, pa pika të sigurta e të qëndrueshme referimi. Përballë këtij ‘karnevali’ mondan del në pah skenari i kundërt, të cilin e gjejmë në fjalët e Jezusit”. Prandaj sot lypet një nxitje e fortë, theksoi Papa: “ Por që të ndodhë kjo ‘dridhje’ duhet që kripa të mos e humbë shijen dhe drita të mos fshehët. Jezusi e thotë shumë qartë: nëse kripa e humbë shijen, s’vlen më për asgjë. Kujdes pra që kripa të mos e humbë shijen! Kujdes që Kisha të mos e humbë shijen! Kujdes që prifti, i përkushtuari, rregulltari, a një Kongregatë të mos e humbasin shijen!”. E mos të harrojmë se në Krishtin e kemi pikëmbështetjen tonë të qëndrueshme, e veprat e mira që mund t’i bëjmë, arrijmë t’i realizojmë falë Krishtit e Shpirtit të Tij të Shenjtë”. “Mos harroni – u tha Papa Domenikanëve – ju jeni artizanë të veprave të mira në një shoqëri likuide”.








All the contents on this site are copyrighted ©.