2017-01-20 12:55:00

Papa: të krishterët ta kapërcejnë mendësinë, që dënon gjithmonë


Duhet kapërcyer mendësia egoiste e dijetarëve të Ligjit, që dënon gjithnjë çdo gjë. Kjo ishte kërkesa e Papës Françesku, gjatë meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Duke marrë shkas nga Leximi i parë i liturgjisë së sotme, Ati i Shenjtë nënvizoi se besëlidhja e re e Zotit me ne, përmes Jezu Krishtit, na e përtërin zemrën dhe na e ndryshon mendësinë.

Të kapërcejmë mendësinë egoiste të dijetarëve të ligjit

 Ky risim është rrënjësor e jo vetëm sa për sy e faqe. Besëlidhja e re, që përshkruhet në Letrën drejtuar Hebrenjve, ka disa tipare. Së pari, theksoi Papa, ligji i Hyjit nuk na ndryshon nga jashtë, por na shndërron zemrën e mendjen. I shohim gjërat ndryshe. Për të shpjeguar veprimin e Zotit, Ati i Shenjtë dha shembullin e arkitektit, i cili mund ta shohë një vepër, ftohtë, me zili, ose me gëzim e kënaqësi:

“Besëlidhja e re na e ndryshon zemrën dhe na bën ta shohim ligjin e Zotit me këtë zemër të re, me këtë mendje të re. Le të mendojmë për dijetarët e ligjit, që e persekutonin Jezusin. Këta bënin gjithçka, gjithçka parashikohej nga ligji, e kishin të drejtën në dorë, gjithçka…gjithçka. Por mendësia e tyre ishte larg nga Hyji. Ishte mendësi egoiste, e përqendruar në vetvete: zemra e tyre ishte zemër, që dënonte… gjithnjë flisnin keq. Besëlidhja e re na e ndryshon zemrën e mendjen”.

Zoti na i fal mëkatet e na e ndryshon jetën

Zoti na i fal mëkatet, vijoi shpjegimin Papa Françesku, dhe i harron ato. Nganjëherë, bëri shaka, më duket se Hyji nuk ka kujtesë. Kjo është dobësia e Tij:

“Ai harron, sepse fal. Para zemrës së penduar, fal e harron: ‘Unë do të harroj, nuk do t’i kujtoj më mëkatet e tua’. Por kjo është edhe ftesë për të mos e nxitur Zotin t’i kujtojë mëkatet, pra, ftesë për të mos mëkatuar më: ‘Ti më ke falur, Ti ke harruar, por unë duhet…’. Ndryshim jete… besëlidhja e re më përtërin e më bën ta ndryshoj jetën, jo vetëm mendësinë dhe zemrën, por edhe jetën. Të jetojmë kështu: pa mëkat, larg mëkatit. Ky është rikrijimi. Kështu Zoti na rikrijon të gjithëve”.

Zoti na i ndryshon zemrat për të na ndryshuar mendësinë

Së fundi, tipari i tretë i ndryshimit, që dikon Zoti mbi ne. I përkasim Hyjit, theksoi Ati i Shenjtë, nuk ka tjetër Zot. Duke vepruar në ne, përsëriti dy tiparet e para, Hyji na “ndryshon mendësinë”, na “ndryshon zemrën e jetën” e së treti, na “ndryshon përkatësinë”. Nuk i përkasim më kësaj bote, por Zotit:

"Vula e kësaj besëlidhjeje është besnikëria ndaj punës, që bën Zoti për të na ndryshuar mendësinë dhe zemrën. Profetët thoshin: ‘Hyji do ta nxjerrë zemrën e gurtë e do t’ju japë zemër të mishtë’. Ta ndryshojmë zemrën, ta ndryshojmë jetën, të mos mëkatojmë më e të mos i kujtojmë Zotit mëkatet tona, që Ai i ka harruar, si edhe të ndryshojmë përkatësi: të mos i përkasim kurrë më botës, shpirtit të kësaj bote, marrëzive të saj, por vetëm Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.