2017-01-19 15:58:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: dominicanes – qentë e Zotit


Të shtunën, më 21 janar, Papa Françesku kremton meshën për mbylljen e vitit jubilar domenikan, në 800 vjetorin e themelimit të Urdhërit të Predikatarëve. Vetë rregulltarët janë mbledhur këto ditë në Romë. Por cili është kuptimi i fjalës “domenikan”?

Gjithçka nis nga një vizion i së Lumes Gjovana d’Aza, nënës së Shën Domenikut, e cila e pa veten duke lindur një qen, që pastaj i vinte flakën gjithë globit. “Në vizionin e qenit paralajmërohej lindja e një predikatari të shquar, që do të sillte pishtarin e fjalës së zjarrtë, me të cilën do të përflakte, përmes forcës së dashurisë, shumë zemra të ftohura e, përmes të ‘lehurave’ të predikimit këmbëngulës, do t’i përzinte ujqërit nga grigja dhe do të nxiste vigjëlimin mbi virtytet e shpirtrave, që flinin në mëkat” shpjegon i Lumi Umberto de Romans, pasardhësi i katërt i Shën Domenikut. Që këndej, një qenush i vogël bardh e zi, ashtu si ngjyra e rrobeve të domenikanëve, bëhet simbol i urdhërit të predikatarëve. Vrapon me një pishtar në gojë, duke përflakur botën. Kështu domenikanët, në latinisht “dominicani”, që e marrin emrin nga “Dominicus”, emri i Shën Domenikut, i cili rrjedh nga emri i Zotit “Dominus”, bëhen “Domini canes”, pra, “qentë e Zotit, qen të butë e besnikë ndaj Zotit të tyre.

Për ata që nuk e dinë, programi i jetës së domenikanëve është “dashuria për të vërtetën”. Jeta e tyre bazohet në ekuilibrin e drejtë ndërmjet kundrimit të Hyjit dhe veprimit, duke ndjekur shembullin e jetës së apostujve, ashtu siç ua la trashëgim Shën Domeniku, i cili i vuri themelet e Urdhërit mbi bashkimin vëllazëror, lutjen, studimin dhe predikimin. Sipas tij, “dashuria për të vërtetën” është mënyrë e veçantë për ta dashur Hyjin, njerëzit dhe botën, që ka nevojë për dëshmi njerëzish të aftë e të përgatitur. Shën Katerina e Sienës, në njërën nga vizionet e saj, dëgjoi nga Zoti sintezën e përsosur të planit të Shën Domenikut, kur Hyji, në Dialogun e famshëm me të, i kujtoi se: “Ati yt Domeniku… deshi që fretërit e vet të impenjoheshin vetëm për nderin tim e për shpëtimin e shpirtrave, me dritën e dijes. Mbi këtë dritë deshi t’i themelonte parimet, pa mohuar varfërinë e vërtetë e vullnetare… Por si objektiv më të veçantë, ai zgjodhi dritën e shkencës për t’i zhdukur gabimet, që ishin përhapur në atë kohë. Ai mori përsipër detyrën e Fjalës së vetme, Birit tim. Madje, dukej si apostull në botë, aq e madhe ishte e vërteta dhe drita me të cilën përhapte Fjalën time, duke zhdukur errësirën e duke dhuruar dritën”.

Dy janë impenjimet, që rrjedhin nga kjo dashuri për të vërtetën: kundrimi i Hyjit dhe veprimtaria apostolike, që është fryt e burim i këtij kundrimi. Kundrimi i dashurisë së Zotit e nxit rregulltarin domenikan drejt veprimtarisë apostolike, pra, jo vetëm të kërkojë përsosurinë personale, por edhe ta ofrojë e të predikojë, së pari, përmes dëshmisë së jetës, Fjalën e kundruar e të studiuar. Predikimi vjen pas kundrimit të frytshëm e kundrimi nuk është qëllim në vetvete, por synon të zgjojë dashurinë për Zotin e për të afërmin. “Ashtu si të shndrisësh është më tepër se të shkëlqesh, ashtu edhe të dhurosh gjithçka ke kundruar është më tepër se vetëm të kundrosh”, thoshte shën Toma i Akuinit.

Fretërit domenikanë përpiqen ta jetojnë këtë bashkërisht. Por bashkësia domenikane nuk është thjesht një bashkim vëllazëror njerëzish, mbledhur për një qëllim të përbashkët. Është shumë më tepër. Është bashkim dashurie, ashtu siç ishte ai i apostujve, sepse të formosh një bashkësi, në jetën rregulltare, nuk do të thotë vetëm të rrish së bashku, por edhe të jetosh së bashku.

E kjo nuk mund të ketë tjetër pasojë, përveçse ndarjen me të tjerët e dhuratës së madhe që domenikanët marrin çdo ditë në lutje, në studim, në respektimin e kushteve rregulltare e në jetën e përbashkët: ndarjen e Jezu Krishtit, Birit të Zotit bërë njeri me të tjerët. Është mision, që domenikanët e vijojnë edhe në Shqipëri, ku janë kthyer pas komunizmit.








All the contents on this site are copyrighted ©.