2017-01-18 15:04:00

Toka e Shenjtë. Imzot Pizzaballa: “kudo ka shenja të vdekjes fizike dhe etike”


“Jemi dëshmitarë që rrëfejnë për ekzistencën e shenjave të vdekjes kudo e të të gjitha formave të dhunës. Jo vetëm të vdekjes fizike por edhe etike. E njohim dhunën që ua merr jetën njerëzve në këtë Tokë, të shenjtë e të vështirë”: nga bazilika e Varrit të Shenjtë, administratori apostolik për patriarkatin latin të Jerusalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, bëri thirrje të kundërshtohet kultura e vdekjes  e ta mbështesim shpresën në Ngjalljen e Krishtin.

Duke kremtuar sot paradite në Jerusalem me grupin e Koordinimit të ipeshkvijve të Tokës së Shenjtë – njofton agjencia Sir – kryeipeshkvi ripohoi se pikërisht “nga ky Vend besimtarët e krishterë duhet të mësojnë të jenë dëshmitarë të jetës, të asaj jete që është më e fuqishme se çdo formë e vdekjes. Eksperienca e së keqes dhe e vuajtjes është diçka që mbetët në jetë, por nuk e ka më forcën për të na bashkuar. Prandaj të qëndrojmë në shpresë – përfundoi administratori apostolik i patriarkatit latin të Jerusalemit -  e të kthehemi në shtëpitë tona me përvujtëri sepse nuk ka sfidë më të madhe se të ecësh në dritën e të Ngjallurit”.

Në mbarim të Meshës, moderatori i Koordinimit të ipeshkvijve për Tokën e Shenjtë, imzot Declan Lang, e falënderoi imzot Pizzaballa-n dhe ripohoi impenjimin e të gjithë ipeshkvijve, për të punuar për Tokën e Shenjtë e për gurët e gjallë (besimtarët) që banojnë aty, posa të kthehen nga ky shtegtim në kombet e tyre. 








All the contents on this site are copyrighted ©.