2017-01-18 14:33:00

Pajtimi në qendër të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve


“Dashuria e Krishtit na shtyn drejt pajtimit”: kjo është tema, marrë nga Letra e dytë e shën Palit drejtuar Korintianëve (2Kor 5,14-20), e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve 2017, e cila sivjet bie në përkim me 500 vjetorin e Reformës Luterane. Takimi i përvitshëm, tradicional i uratës nga data 18 deri më 25 janar, na thërret ta përqendrojmë vëmendjen tonë mbi lutjen e Jezusit për bashkimin e të gjithë dishepujve të vet dhe për të mbështetur njohjen e miqësinë ndërmjet të gjithë anëtarëve që u përkasin Kishave e konfesioneve (besojmave) të ndryshme të krishtera.

Bashkimi është vullneti i Zotit: këtë na kujton Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, por angazhimi ynë për t’i kapërcyer kundërshtitë dhe ndarjet duhet të jetë i përditshëm. Këtë e nënvizon drejtori i Zyrës së Konferencës Ipeshkëvnore Italiane për ekumenizëm e dialogun ndërfetar, don Cristiano Bettega.

“Besoj se synimi parë është për të zgjuar, nëse mund të themi kështu, vëmendjen e Kishave mbi vlerën e unitetit, për të kuptuar se, në njërën anë, bashkimi veç ekziston, por në anën tjetër është edhe pikarritje e bashkimit të plotë, sipas vullnetit të Jezu Krishtit. Prandaj besoj se para se gjithash vlera e Javës së lutjes është pikërisht kjo; pastaj prej vitit në vit jemi duke kuptuar përherë e më shumë se Java e lutjes nuk është caku i vetvetes. E jam i bindur se ky mentalitet është duke ndryshuar e duke u përhapur gjithnjë më tepër, pra do të thosha se Java e lutjes nuk është më vetëm një rast i përvitshëm për t’u lutur a për të reflektuar mbi bashkimin ndërmjet të krishterëve, por është rast i volitshëm për t’i dhënë një shtytje të mëtejshme kësaj lëvizjeje ekumenike, këtij ndërgjegjësimi, e kjo nënvizohet edhe nga nismat e shumta e të larmishme që organizohen, kremtohet e zhvillohen gjatë tërë vitit, me një shtrirje e pjesëmarrje edhe të bazës, do të thotë të të gjithëve”.

Dashuria e Krishtit na shtyn, sepse jemi të sigurt se “Njëri vdiq për të gjithë”. Kështu pohon teksti i Letrës së dytë të Korintianëve (2Kor 5,14-20), nga ku është marrur tema e Javës së Lutjes, tekst i cili vijon duka na kujtuar se ‘Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetveten, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre e duke na besuar neve fjalën e pajtimit”. Pikërisht pajtimin me njëri-tjetrin dhe me Të, Krishti na e ka lënë si detyrë, që ta zbatojmë e t’ua sjellim edhe të tjerëve.  Thamë se Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, sivjet përkon me 500 vjetorin e Reformës Luterane. E sivjet, Kisha katolike e ajo luterane kanë vendosur ta përkujtojnë së bashku këtë përvjetor, të dyja duke njohur në Martin Luterin një “dëshmitar të Ungjillit”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.