2017-01-18 14:59:00

Françesku: bashkimi i të krishterëve është shpresë për Evropën


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku kujtoi se sot fillon Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Motoja e saj, “Dashuria e Krishtit na shtyn drejt pajtimit”, është sfidë për ne, nënvizoi Ati i Shenjtë:

“T’i lutemi Zotit që të gjitha bashkësitë e krishtera, duke njohur më mirë historinë, teologjinë dhe të drejtën e tyre, të jenë gjithnjë e më të gatshme për pajtim. Na përshkoftë Shpirti i mirësisë dhe i mirëkuptimit, si edhe dëshira për bashkëpunim”.

Papa kujtoi lutjen ekumenike në Lund të Suedisë

Papa kujtoi me mallëngjim lutjen ekumenike së bashku me luteranët, në Lund të Suedisë, më 31 tetorin e kaluar, me rastin e përkujtimit të 500-vjetorit të Reformës protestante:

“Në frymën e atij përkujtimi të përbashkët të Reformës, ne shikojmë më shumë ç’na bashkon se ç’na ndan dhe vazhdojmë të ecim së bashku për ta thelluar bashkimin tonë e për t’i dhënë një formë gjithnjë e më të dukshme. Në Evropë, kjo fe e përbashkët në Krishtin është si një fill i gjelbërt shprese: i përkasim njëri-tjetrit. Bashkimi, pajtimi e uniteti janë të mundura. Si të krishterë, kemi përgjegjësinë e këtij mesazhi e duhet ta dëshmojmë me jetë. Zoti e bekoftë këtë vullnet për bashkim e i ruajttë të gjithë njerëzit, që ecin në rrugën e unitetit”.

Ati i Shenjtë përshëndeti një delegacion të Itinerarit Evropian Ekumenik

Ati i Shenjtë përshëndeti një delegacion të Itinerarit Evropian Ekumenik dhe foli për frytet e dhjetra viteve të dialogut. “Ungjilli i Krishtit – shpjegoi – është në qendër të jetës sonë dhe i bashkon njerëzit, që flasin gjuhë të ndryshme, banojnë në vende të ndryshme dhe e jetojnë fenë në bashkësi të ndryshme”:

“Lëvizja ekumenike po sjell fryte falë Zotit. Ati Qiellor vijoftë të dikojë bekimet e Tij mbi gjurmët e të gjithë bijve të vet. Motra e vëllezër të dashur, shërbejini çështjes së bashkimit e të paqes!”

Të rinj, të sëmurë, të sapomartuar lutuni për bashkimin e të krishterëve 

Pastaj, Papa Françesku përshëndeti të rinjtë, të sëmurët dhe të sapomartuarit:

“Të dashur të rinj, lutuni që të gjithë të krishterët të kthehen sërish në një familje të vetme; të dashur të sëmurë, ofrojini vuajtjet tuaja për çështjen e bashkimit të Kishës; e ju, të dashura çifte të reja, provoni dashurinë pa interes, si ajo e Zotit për njerëzimin”.

Fëmijët e të rinjtë e Bosnjë-Hercegovinës, mysafirë në Siçili

Së fundi, Ati i Shenjtë tha dy fjalë edhe për dialogun ndërfetar, gjatë përshëndetjes për fëmijët e të rinjtë e Bosnjë-Hercegovinës, që, së bashku me familjet, janë mysafirë në shtëpitë e siçilianëve:

         “Të dashur të rinj, duke kaluar kohën së bashku, si vëllezër e motra, në familjet ku jeni mysafirë, keni mundësi të rriteni në një klimë shprese. Vetëm kështu, ju të rinj katolikë, ortodoksë dhe myslimanë, mund ta shpëtoni shpresën për të jetuar në një botë më vëllazërore, më të drejtë e më paqësore, më të sinqertë e më të përshtatshme për njeriun. Qëndroni gjithnjë të fortë në fe e lutuni për paqen e për bashkimin në vendin tuaj e në botën mbarë. Falenderoj nga zemra familjet mikpritëse për shembullin e dashurisë dhe të solidaritetit të krishterë: jetimët duhen mbrojtur, ruajtur e pritur gjithnjë me dashuri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.