2017-01-17 16:33:00

Domenikanët predikatarë të mëshirës, në Kongresit ndërkombëtar


Mbi 600 fretër rregulltar domenikanë, motra rregulltare e laikë, nga mbarë bota, ndër ta edhe kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot Gjergj Frendo  – janë mbledhur në Romë, nga 17 deri 21 janar, pranë Universitetit Papnor Shën Toma i Akuinit ( Angelicum), në “Kongresin ndërkombëtar kushtuar misionit të urdhrit rregulltar” me temën “Të dërguar për të predikuar Ungjillin”. Kjo ngjarje përmbyll kremtimet Jubilare të 800 vjetorit të themelimit të urdhrit rregulltar të predikatarëve, pra të Domenikanëve.

Katër ditët e Kongresit ndërkombëtar, do të mbyllen me Meshën, të shtunën më 21 janar, të cilën do ta kryesojë në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran Papa Françesku.

“Në mbarim të vitit jubilar – tha eprori i përgjithshëm i urdhrit domenikan, fra Bruno Cadoré, duke takuar gazetarët në Sallën e shtypit të Selisë së Shenjtë – kemi vendosur të hapim pas-jubileun tonë duke përfshirë fretër e motra rregulltare domenikanë të mbarë botës, për të gjetur përgjigjen e dy pyetjeve: si ta bëjmë sot Ungjillin një lajm të mirë për gjithë njerëzit, si për atë që beson e po kështu edhe atë që nuk beson. E, së dyti, duke u nisur nga përvoja jonë rregulltare, çfarë shërbimi njerëzor e të krishterë të veçantë ne mund t’i ofrojmë Kishës”. Është pra një punë kjo, shtoi eprori i urdhrit të domenikanëve, “që duhet ta ndihmojë urdhrin të hapet ndaj së ardhmes”. Sfida, shpjegoi fra Franklin Buitragi, organizator i ngjarjeve jubilare, “është përherë ajo e komunikimit të Fjalës së Zotit, me një ungjillëzim që lind nga jeta kundruese, ushqehet nga dialogu i përhershëm ndërmjet arsyes e fesë dhe synon të krijojë një bashkim vëllazëror sa më të madh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.