2017-01-16 12:42:00

Papa në Setteville: “edhe unë kam përjetuar terrin e shpirtit”


“Edhe unë, nganjëherë, kam ecur në errësirën e fesë e ajo pakësohet shumë, por pastaj, me kohë, e gjen përsëri”. Papa Françesku u ndal veçanërisht me rreth 150 të rinjtë, që do të krezmohen ose që sapo janë krezmuar, gjatë vizitës së tij të djeshme në famullinë e Shën Marisë në Setteville të Guidonias, afër Romës. E bashkë me ta, duke folur haptas, nuk iu shmang temave delikate edhe për një papë e, iu përgjigj lirshëm pyetjeve të tyre. “Feja – shpjegoi Ati i Shenjtë – nganjëherë, për disa ditë nuk duket, sheh vetëm zi. Për shembull – tregoi – kur dje kremtova pagëzimin e 13 fëmijëve të lindur në zonat e Italisë Qendrore, goditur nga tërmeti i kohëve të fundit, ndër ta ishte edhe një baba, që kishte humbur të shoqen e, ti mendon: a mund të ketë fe ky njeri? Kuptohet se përjeton errësirën e duhet respektuar ai terr i shpirtit”.

“Nuk studiojmë për të pasur fe – nënvizoi më tej Françesku – atë e marrim dhuratë”. Por Papa deshi edhe t’u paraqiste të rinjve një anë tjetër të medaljes, atë të “të krishterëve papagaj”, të cilët, theksoi, “thonë se janë katolikë, shkojnë çdo të dielë në meshë, por pastaj, nuk flasin me prindërit, nuk ndihmojnë gjyshërit, nuk ndihmojnë të varfërit, nuk shkojnë për vizitë tek të sëmurët. Kjo nuk është dëshmi, nuk duhet gjë”. Dëshmia e vërtetë, vërejti Ati i Shenjtë, është ajo që jepet “me fjalë, me zemër e me duar”, përmes veprave të mëshirës e duke u lënë një vend të veçantë në familje pikërisht gjyshërve.

Gjatë kremtimit të meshës, në vizitën e tij të parë italiane për këtë vit, pas ndërprerjes jubilare, Papa Françesku iu rikthye temës së dëshmisë duke kritikuar ashpër “thashethemexhinjtë”, që flasin tepër e sjellin armiqësi e tensione në famulli. “Ka një mëkat, që nuk e gjej ndër mëkatet e apostujve, për të cilët tregon Ungjilli – tha Bergoglio. Janë tradhtarë, frikacakë, por nuk flasin keq për njëri-tjetrin”. “Tradhtuan Zotin – shtoi – por këtë jo,…fjalët. Jemi të gjithë mëkatarë, por një bashkësi me llafazanë e thashethemexhinj nuk është e aftë të japë dëshmi. Ju them vetëm këtë: a doni një famulli të përsosur? Asnjë thashetheme, asnjë… nëse ke diçka shko e thuaja tjetrit në sy”.

Çast prekës gjatë vizitës në famullinë e Setteville ishte takimi privat me zv.famullitarin, don Giuseppe Berardino, meshtar 47-vjeçar, i sëmurë rëndë nga skleroza amiotrofike laterale që prej 3 vjetësh. Gjatë takimit 10 minutësh, Papa e ngushëlloi dhe e inkurajoi, duke e siguruar për mbështetjen dhe lutjet e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.