2017-01-15 15:05:00

Papa: të merren të gjitha masat për të mbrojtur emigrantët e mitur


“Vëllezërit tanë të vegjël” “vihen përballë shumë rreziqeve”. Kështu u shpreh Papa pas lutjes së Engjëllit të Tënzot për emigrantët e mitur e të pashoqëruar. Françesku i kujtoi të miturit pikërisht sot, kur kremtohej Dita Botërore e Emigrantit dhe e Refugjatit, kushtuar temës: “Emigrantët e mitur, të brishtë e pa zë”. Pastaj pohoi se është shumë e nevojshme të vijojë kumtimi i Krishtit, duke theksuar: “Mjerë Kisha, kur kumton vetveten...,sepse e humbet busullën”.

Shtohet gjithnjë më shumë numri i emigrantëve të mitur, të pashoqëruar, që synojnë të arrijnë në Evropë ose në troje të tjera, në kërkim të një ardhmërie më të mirë. Papa foli për ta menjëherë pas Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar vuajtjet e shumta, që duhet të pësojnë gjithnjë më shpesh:

“Këta vëllezërit tanë të vegjël, posaçërisht nëse të pashoqëruar, vihen përballë shumë rreziqeve. Është e nevojshme të merret çdo masë e mundshme për t’u garantuar emigrantëve të vegjël mbrojtjen dhe integrimin”.

Në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërmjet turmës, ishin të pranishëm edhe  shumë përfaqësues të bashkësive etnike, posaçërisht atyre katolike, që banojnë në Romë. Papa u kujtoi se integrimi, respekti reciprok, ballafaqimi ndërmjet kulturave, janë aspektet më themelore të të gjitha shoqërive:

“Të dashur miq, ju uroj të jetoni paqësisht në vendet që ju mirëpresin, duke respektuar ligjet e traditat e, njëkohësisht, duke ruajtuar vlerat e kulturave tuaja të origjinës. Takimi ndërmjet kulturave të ndryshme është gjithnjë pasurim për të gjithë”.

Papa falënderoi edhe Zyrën për Emigrantët pranë Dioqezës së Romës si dhe të gjithë ata, që punojnë në ndihmë të mërgimtarëve, që i presin e i shoqërojnë për të kapërcyer vështirësitë, duke i inkurajuar ta vijojnë këtë veprimtari e duke kujtuar shembullin e Shën Françeska Saverio Kabrinit, Pajtore e emigrantëve, në njëqind vjetorin e vdekjes. Kjo Murgeshë guximtare - pohoi Papa – e shkriu gjithë jetën për t’ua çuar dashurinë e Krishtit atyre, që ishin larg nga atdheu e nga familja. Dëshmia e saj na ndihmoftë që të kujdesemi për vëllain e huaj, në të cilin është i pranishëm vetë Jezusi,  shumë shpesh i vuajtur, i përjashtuar, i përbuzur.

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku u ndalua posaçërisht tek fjalët e Shën Gjon Pagëzuesit, që e kumtonte Jezusin me fjalët: “Ja Qengji i Hyjit, ai që shlyen mëkatin e botës!”. Është skenë vendimtare, nuk është anekdotë, theksoi Ati i Shenjtë:

“Vendimtare për fenë tonë; e vendintare është edhe për misionin e Kishës. Kisha, në çdo kohë, është e thirrur të bëjë atë, që bëri Gjon Pagëzuesi, duke ua treguar Jezusin njerëzve e duke thënë: ‘Ja Qengji i Zotit. Ai që shlyen mëkatin e botës!’. Ai është i vetmi Shëlbues! Ai është Zoti, i përvuajtur ndërmjet mëkatarëve, por është Ai, eh? Ai! Nuk vjen ndonjë i pushtetshëm tjetër! Jo! Jo! Është Ai!”.

Pastaj,  misteri i Kishës, përmbledhur në gjestin kryesor liturgjik...:

“Këto janë fjalët, që ne meshtarët i përsërisim çdo ditë gjatë Meshës, kur ia paraqesim popullit bukën dhe verën të shndërruara në Korpin e në Gjakun e Krishtit. Ky gjest liturgjik përfaqëson gjithë misterin e Kishës, e cila nuk kumton vetveten”...

....e domethënia e gjithë misionit të Kishës:  

“Mjerë! Mjerë! Kur Kisha kumton vetveten, e humbet busullën: nuk e di më se ku shkon! Kisha kumton Krishtin; nuk u çon njerëzve vetveten, u çon Krishtin”.

E në përfundim, edhe një herë nënvizimi se “është Ai e vetëm Ai që e shpëton popullin e vet nga mëkati, e çliron dhe i prin në tokën e jetës e të lirisë së vërtetë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.