2017-01-14 19:19:00

Papa: ekonomia që mënjanon është bumerang, kush përjashton, përjashtohet.


Globalizmi duhet të jetë kooperativ e jo i indiferencës. Këtë theksoi Papa në fjalimin, drejtuar sot paradite rreth 85 anëtarëve të Global Foundation, të cilët i priti në audiencë, në Vatikan. Organizata u mblodh dje e sot  për “Tryezën e Rrumbullakët” të Romës, duke zgjedhur si temë: “Së bashku angazhohemi për të mirën e përgjithshme globale”. Ai, që i mënjanon të tjerët, bëhet si makina pa shpirt – qortoi Françesku -  e  ata që mënjanojnë, rrezikohen edhe të mënjanohen, kur t’u vijë radha e të mos jenë më të nevojshëm.

Globalizimi duhet të jetë solidar e me frymë bashkëpunimi, e jo globalizim i indiferencës. Kjo, zemra e nxitjes së Papës si dhe angazhimi, me të cilin u mblodh Global Foundation në këtë takim të ri të “Tryezës së Rrumbullakët” të Romës. Qëllimi i takimit është të gjinden udhë të drejta  për të arritur në globalizimin kooperativ, duke realizuar objektivat ndërkombëtare të deklaruara, për shembull, nga Agjenda 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm.

Poltikanët  dhe ekonomistët ta korrigjojnë orientimin e globalizmit e jenë të matur

Papa, duke paraqitur shembullin e Shën Nënë Terezës, nënvizoi se pikërisht dhembshuria mund të ndihmojë për ta korrigjuar sjelljen e politikanëve dhe të ekonomistëve, duke i frymëzuar me virtytin e maturisë:

“Kjo dhembshuri do të bëjë që veprimtarët ekonomikë e politikë të mund t’i përdorin inteligjencën dhe burimet jo vetëm për të kontrolluar e për të monitoruar efektet e globalizimit, por edhe për t’i ndihmuar drejtuesit e fushave të ndryshme politike - rajonale, kombëtare, ndërkombëtare  - për t’i korrigjuar orientimet sa herë të jetë e nevojshme. Politika dhe ekonomia  duhet ta kuptojnë virtytin e maturisë”.

Mënjanimi i njerëzve i çnjerëzon sistemet ekonomike e politike

Fjalimi i Papës ishte një fotografi e vërtetë e pasojave të kulturës së hedhurinës. Është i papranueshëm, sepse çnjerëzor - theksoi Françesku - një sistem ekonomik botëror, që i flak njerëzit, sepse nuk duken më të nevojshëm, sipas kritereve  të leverdisë. I fortë, qortimi i Françeskut:

“Pikërisht mënjanimi i njerëzve çon në rënien dhe çnjerëzimin e çdo sistemi politik dhe ekonomik: ata, që e shkaktojnë ose që e lejojnë përjashtimin e të tjerëve – të refugjatëve, fëmijëve të shpërdoruar a të skllavëruar, të varfërve që vdesin në rrugë të madhe kur bën ftohtë - bëhen ata vetë si makinat pa shpirt, duke e pranuar heshturazi  parimin që edhe ata, heret a vonë, do t’i përjashtojë – është bumerang ky, eh? Por është e vërtetë: heret a vonë do të përjashtohen. Kur nuk do të jenë më të nevojshën, në një shoqëri që ka vënë në qendër paranë”.

Gjon Pali II i pati kuptuar rreziqet e ideologjisë kapitalistike

Françesku kujtoi Enciklikën “Centesimus annus”. Në fakt, që në vitin 1991, kur u shembën sistemet politike shtypëse dhe nisi integrimi progresiv i tregjeve  - gjë që tashmë e quajmë globalizim - Shën Gjon Pali II e pati kuptuar rrezikun  e përhapjes së “ideologjisë kapitalistike”, që do t’i kushtonte pak e aspak vëmendje fenomeneve të përjashtimit, për t’i besuar vetëm zhvillimit të lirë të forcave të tregut. Gjon Pali II e kuptoi se ky nuk ishte model për një progres të vërtetë ekonomiko-shoqëror.

Të promovohet globalizimi solidar i udhëhequr nga Doktrina shoqërore e Kishës

Françesku e përfundoi fjalimin, duke kujtuar se Kisha  nuk e humbet kurrë besimin në njeriun, sepse i njeh mirë mundësitë e inteligjencës njerëzore, që e lë Zotin t’i prijë. E inkurajoi, prandaj Global Foundation të promovojë globalizmin kooperativ, së bashku me shoqërinë civile, qeveritë e bashkësitë akademike, të udhëhequra gjithnjë - këshilloi - nga Doktrina shoqërore e Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.