2017-01-13 13:06:00

Papa: të rrezikojmë për ta ndjekur Krishtin, jo ta kemi shpirtin “të ndenjur”


Për ta ndjekur Krishtin, duhet të lëvizim, jo ta kemi “shpirtin të ndenjur”. Me një neologjizëm, Papa Françesku komentoi sot në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Ungjillin e ditës, i cili tregon për të paralizuarin, që e zbritën përmes çatisë, në shtëpinë ku ishte Jezusi. Ati i Shenjtë nënvizoi se feja, nëse është e njëmendtë, na bën të rrezikojmë shpesh, por na jep shpresën e vërtetë.

Njerëzit e ndjekin Jezusin për interes, ose për një fjalë ngushëllimi. Megjithëse mendojmë se mund të përfitojmë diçka duke ndjekur Jezusin, theksoi Papa, është e nevojshme ta ndjekim, të ecim pas gjurmëve të Tij. Njerëzit tërhiqeshin nga autoriteti, nga gjërat që thoshte, nga shërimet që bënte. Nganjëherë, edhe i qortonte njerëzit, sepse e ndiqnin për interes e jo për të dëgjuar Fjalën e Zotit.

Të krishterët të mos gjykojnë të tjerët, kur rrinë duarkryq vetë

“Herë të tjera – shtoi Ati i Shenjtë – njerëzit donin ta bënin Jezusin mbret, sepse mendonin: ‘Ky është politikan i përsosur!’”, por Jezusi fshihej, ikte. E megjithatë, Biri i Zotit i linte të gjithë t’i afroheshin, sepse e dinte se të gjithë ishin mëkatarë. Prandaj, tha Papa, nuk ishin problem ata, që e ndiqnin Krishtin, por ata, që rrinin pa lëvizur, pa bërë asgjë:

“Të palëvizshmit! Ata që, gati për të ecur, vetëm shikonin. Rrinin ndenjur, vërtet ndenjur. Ishin ulur aty disa skribë: këta nuk ndiqnin, shikonin. Shikonin nga ballkoni. Nuk ecnin në jetë: e linin jetën në ballkon! Pikërisht aty: nuk rrezikonin kurrë! Vetëm gjykonin. Ishin të pastër e nuk përziheshin. E gjykimet e tyre ishin të ashpra, apo jo? Në zemër thoshin: ‘Ç’njerëz injorantë! Ç’njerëz supersticiozë!’ E sa herë edhe neve, kur shohim përshpirtërinë e njerëzve të thjeshtë, na vjen në mend ai klerikalizmi, që i bën kaq keq Kishës”.

Për ta takuar Jezusin duhet rrezikuar

Ka edhe të tjerë, që rrinë vendnumëro në jetë, shtoi Papa, duke iu referuar 38-vjeçarit pranë pishinës: pa lëvizur, i trishtuar, pa shpresë. S’bënte tjetër, veçse ushqehej me hidhërimin e tij. Ky është një lloj tjetër njeriu, që nuk lëviz, tha Papa, por për ta takuar Jezusin duhet vënë në rrezik diçka, ashtu siç bënë njerëzit, për të cilët flet Ungjilli i sotëm:

“Këta të sotmit, këta njerëz rrezikuan kur hapën vrimën në çati: rrezikuan që pronari i shtëpisë t’i hidhte në gjyq, t’i çonte para gjykatësit e t’i bënte të paguanin. Rrezikuan, por donin të shkonin tek Jezusi. Ajo gruaja e sëmurë prej 18 vjetësh rrezikoi kur, fshehtazi, deshi të prekte vetëm cepin e  mantelit të Krishtit: mund të turpërohej. Rrezikoi: donte shëndetin, donte të arrinte te Jezusi. Le të mendojmë për kananeasen… gratë rrezikojnë më shumë se burrat, eh! Kjo është e vërtetë: janë më trime! E këtë duhet ta pranojmë”.

“Jo” shpirtit “të ndenjur”, të mbyllur, pa shpresë

Papa Françesku përmendi edhe rastin e mëkatares në shtëpinë e Simeonit dhe atë të samaritanes. Të gjitha rrezikuan e gjetën shpëtimin. “Të ndjekësh Jezusin – reflektoi – nuk është e lehtë, por e bukur!” Nganjëherë bëhemi edhe qesharakë, por gjejmë vërtet atë, që ka rëndësi më të madhe: na falen mëkatet. Sepse, pas atij hiri që kërkojmë – shëndeti apo zgjidhja e ndonjë problemi – qëndron dëshira për shërimin e shpirtit, dëshira për t’u falur. Të gjithë e dimë se jemi mëkatarë, theksoi Papa, prandaj e ndjekim Jezusin dhe duam ta takojmë, pavarësisht nga rreziku:

“Ta ndjekim Jezusin, sepse kemi nevojë për diçka, ose ta ndjekim Jezusin duke vënë në rrezik diçka, do të thotë ta ndjekim Atë me fe: kjo është feja. Ta lëshojmë veten në dorën e Jezusit, t’i besojmë Jezusit e me këtë fe, njerëzit [e Ungjillit të sotëm] hapën një vrimë në çati për të zbritur barelën para Jezusit, që Ai të mund ta shëronte [të sëmurin]. ‘A i besoj Jezusit, a ia besoj jetën Jezusit? A ndjek gjurmët e Jezusit, pavarësisht se nganjëherë bëhem qesharak? Apo rri ulur, duke parë ç’bëjnë të tjerët, duke e shikuar jetën, ose rri ulur me shpirt ‘të ndenjur’ – të themi kështu – me shpirt të mbyllur për shkak të trishtimit, të mungesës së shpresës?’. Secili prej nesh, le t’i bëjë sot këto pyetje vetes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.