2017-01-13 17:56:00

Papa, policisë: ju, “engjëjt roje” të Sheshit të Shën Pjetrit


Vlerësim e mirënjohje për shërbimin e vigjilencës, që kryejnë çdo ditë në Sheshin e Shën Pjetrit: këtë u shprehu Papa Françesku drejtuesve dhe personelit të Inspektoriatit të Sigurisë Publike pranë Vatikanit, të cilët i priti sot në audiencë për shkëmbimin e urimeve të Vitit të Ri.

Papa: ju falenderoj nga zemra

         Jeni “engjëjt e rojes” së Sheshit të Shën Pjetrit, u tha Ati i Shenjtë, duke i lavdëruar për shërbimin e tyre bujar, jo pa rreziqe, në qendrën e krishterimit:

         “E sidomos gjatë kohëve të fundit, keni treguar aftësi e guxim në përballimin e shumë sfidave dhe rreziqeve, duke u impenjuar me bujari në parandalimin e krimeve. Kështu, e keni bërë të sigurtë hyrjen e shtegtarëve në Bazilikë, si edhe  takimet me Pasardhësin e Pjetrit. Për të gjitha këto, ju falenderoj shumë! E ju falenderoj – nuk janë vetëm fjalë këto, eh! – nga zemra: ju faleminderit!”

Impenjimi i policëve gjatë Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës

         Ati i Shenjtë përmendi impenjimin e policëve gjatë Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës, ngjarje me rëndësi të madhe shpirtërore, që solli në Romë shtegtarë nga mbarë bota:

         “Edhe juve u është dashur të impenjoheni më shumë nga pikpamja operative, për të mundësuar kremtimin e ngjarjeve jubilare me siguri e qetësi. Rendi publik i jashtëm, mbi të cilin ju keni vigjëluar me zell të madh, me vëmendje plot kujdes e me gatishmëri të vazhdueshme, kontribuoi në favorizimin e rendit të brendshëm të shtegtarëve, që kërkonin paqen në takimin me mëshirën e Zotit”.

Hapjani zemrën mikpritjes, solidaritetit dhe faljes së vëllezërve

         Duke kujtuar Krishtlindjen, me vështrimin kah Betlehemi, kah “ajo tokë e ajo familje, që u bënë banesa e Jezusit”, Ati i Shenjtë i nxiti të pranishmit ta kenë parasysh “përuljen e Birit të Zotit” për të dëshmuar dashurinë e Tij për njeriun:

         “Kjo dashuri e pamasë është ftesë e vazhdueshme për t’ia hapur zemrën mikpritjes, solidaritetit dhe faljes së vëllezërve. Kështu, mund të provojmë brenda nesh atë paqe, që engjëjt e Betlehemit shpallën për njerëzit vullnetmirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.