2017-01-13 16:44:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me  Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së II gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Pas festës së Pagëzimit të Jezu Krishtit, kremtuar të dielën e kaluar, që mbylli periudhën e Krishtlindjes, me këtë të diele hyjmë në kohën e rregullt a të zakonshme gjatë vitit kishtar, që vijon ta tërheq vëmendjen tonë  mbi Epifaninë – Dëftimin e Zotit, duke vijuar me dëftimin e misterit të Jezu Krishtit.

Këtë diel, fragmenti i Ungjillit (Gjn 1,29-34) na fton ta njohim në Jezusin Qengjin e Hyjit, që i heq mëkatin botës duke e marrë mbi vete. Pikërisht këtë kundron dhe na tregon Gjon Pagëzuesi, i cili soditë marrëdhëniet ndërmjet Jezusit e Shpirtit Shenjt. Gjon e sheh Shpirtin duke zbritur e ndenjur mbi Jezusin, ashtu si dëshmitari tjetër i madh i Ungjillit të IV, nxënësi dashur, Gjoni ungjilltar, duke ndenjur tek këmbët e Kryqit do ta shohë Shpirtin që përhapet nga Jezusi mbi të gjithë ne, në shenjën e ujit e të gjakut shpërthyer nga kraharori i hapur i Krishtit të kryqëzuar.

Gjon Pagëzuesi na fton të vështrojmë Jezusin - Qengjin e Hyjit  ashtu siç na fton edhe nxënësi dashur ta drejtojmë shikimin drejt “Atij që e shporuan”. Vetëm te këmbët e Kryqit do të kujtojmë se në çfarë kuptimi Jezusi është vërtetë qengji i flijuar që na liron nga mëkati. Përmes Krishtit, “Shërbëtorit” të Hyjit, vepra shpëtimprurëse mbërrin deri në skajet e tokës ( Leximi I Is 49,3.5-6), e madje edhe ne, siç u kujton shën Pali Korintianëve ( Leximi II 1Kr 1,1-3) kemi mundësinë të shenjtërohemi.

Pra, liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele të dytë gjatë vitit, na paraqet Jezusin si “Qengjin e Hyjit, që shlyen, do të thotë merre mbi vete mëkatin e botës”. Ky imazh ungjillor na kujton imazhin profetik të “Shërbëtorit të Hyjit”, vegël çlirimi e shembull i jetës së re dhuruar për të tjerët. ‘Qengji i Zotit’ e ‘Shërbëtori i Hyji’ na kujtojnë Qengjin pashkor, Jezusin shpëtimtar, i cili përmes mundimeve, vdekjes mbi kryq e Ngjalljes së Tij ka rivendosur shpresën e popullit të ri  të Zotit.

Gjon Pagëzuesi, siç thotë pjesa e Ungjillit, di ta shquajë e ta kuptojë në personin e Jezusit thelbin e mistershëm të misionit të Tij Hyjnor e bëhet zë që i orienton njerëzit tek Ai, prandaj edhe sot na fton ta ndjekim Mësuesin e Shpëtimtarin e jetës, Jezu Krishtin Qengjin e Hyjit.

Nga Ungjilli Shenjt sipas Gjonit (Gjn 1, 29.34)

Në atë kohë, Gjoni e pa Jezusin duke ardhur kah ai e tha; “Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës! Ky është ai, për të cilin tashë: ‘Pas meje vjen një njeri, i cili është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!’ Nuk e kam njohur as vetë, por arsyeja pse erdha e jam duke pagëzuar me ujë është që ky t’i zbulohet Izraelit”.

Gjoni dëshmoi edhe: “E pashë Shpirtin Shenjt tek zbriti prej qiellit porsi pëllumb dhe zuri vend mbi të. Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt’. Unë e pashë dhe dëshmoj: Ky është Biri i Hyjit”. Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.