2017-01-12 12:55:00

Papa në Shën Martë: në zemër luhet e sotmja e jetës sonë


Jeta jonë është një “sot”, që nuk përsëritet kurrë më. Gjatë Meshës së mëngjesit, në shtëpinë e Shën Martës, Françesku kujtoi se jeta jonë është një “sot” dhe nxiti për ta pasur zemrën të hapur për Zotin e jo të bërë gur e të pa fe. E kjo, sepse pikërisht në zemrën tonë luhet e sotmja, në emër të së nesërmes së pasosur.

“Sot, nëse e dëgjoni zërin e Tij, mos i bëni gur zemrat tuaja”. U nis nga ky fragment i Letrës drejtuar Hebrenjve, kujtuar në Leximin I,  homelia e Françeskut, që u mbështet mbi dy fjalë “sot” e “zemër”.

E sotmja, në të cilën morëm dashurinë e Zotit

E sotmja, për të cilën flet Shpirti Shenjt në fragmentin e Letrës drejuar Hebrenjve, është “jeta jonë”, një ‘sot’ përplot me ditë, por pas së cilës nuk do të ketë më përsëritje, nuk do të ketë të nesërme; është ‘një e sotme’, në të cilën kemi marrë dashurinë e Zotit, premtimin e Zotit se do ta takojmë - shpjegoi Papa - një ‘sot’, një ditë, në të cilën mund ta përtërijmë besën e lidhur me Zotin. Por, kujdes: është  vetëm një  e sotme në jetën tonë e është edhe tundimi, që na shtyn të themi ‘do ta bëj nesër’”.

Tundimi i së nesërmes, e cila nuk do të jetë, siç na e shpjegon Jezusi në shëmbëlltyrën e dhjetë virgjërave: pesë marroçet, që kishin harruar të merrnin me vete edhe vajin, bashkë me llambat, shkojnë me vrap ta blejnë, por, në kthim, e gjejnë portën të mbyllur. Kjo ndodh në shëmbëlltyrën e virgjërave marroçe, pas së cilës Papa kujtoi edhe shëmbëlltyrën e atij, që troket në portë e i kujton Zotit: “Hëngra me ty, isha me Ty” – e merr gjegjen: “Nuk të njoh, erdhe tepër vonë...”:

“Këtë nuk e them për t’ju trembur, por thjesht për t’ju kujtuar se jeta  jonë e shkurtër, sa një ditë e vetme, është një “sot”: sot a kurrë. Kështu mendoj unë. Dita tjetër do të jetë e nesërmja e amshuar, pa perëndim, me Zotin, përgjithmonë e jetës. Thua jam besnik në këtë ‘të sotme’? E pyetja që bëj, është ajo e Shpirtit Shenjt: ‘Si e jetoj unë këtë sot?’”.

Zemra jonë të jetë gjithnjë e hapur për Zotin

Fjala e dytë, që përsëritet në Lexim, është zemër. Përsëritet, sepse pikërisht me zemër e takojmë Zotin, e shpesh Jezusi na qorton e na quan “njerëz  me zemra të vonuara, të ngadalshëm në të kuptuar”. Prej këndej, ftesa për të mos e bërë zemrën gur e për ta pyetur veten nëse jeni të pafe a të joshur nga mëkati:

“Në zemrën tonë vihet në lojë e sotmja. A e kemi zemrën të hapur për Zotin? Unë prekem thellë kur  takoj ndonjë të moshuar - shpesh meshtarë a motra – që më thonë. ‘Atë, lutu të mos heq dorë deri në fund të fundit’. ‘Po ti e ke bërë këtë gjithë jetën, e ke bërë mirë, ditë për ditë, të gjitha ditët e “së sotmes” sate janë në shërbim të Zotit, e prap ke  frikë?’... ‘Jo, jo, por jeta ime nuk ka perënduar akoma, e unë dua ta jetoj plotësisht. Lutuni, pra, që e sotmja të jetë plot, plot, me zemër të fortë në fe, e jo të rrënuar nga mëkati, nga veset, jo zemër e prishur...”.

Ta pyesim gjithnjë veten për të sotmen e për zemrën tonë

Papa na nxit ta pyesim veten për të sotmen tonë, për zemrën tonë. Kjo ‘sot’ është përplot me ditë, por ‘nuk do të përsëritet kurrë më’. Ditët do të vijojnë të përsëriten njëra pas tjetrës, derisa Zoti do të thotë ‘mjaft!’:

“Po e sotmja nuk përsëritet, kështu është jeta. E zemra, zemra duhet të jetë gjithnjë  e hapur, e hapur për Zotin, jo e mbyllur, jo e bërë gur, jo e pa fe, jo e prapë, jo e joshur nga mëkati. Zoti takoi shumë nga ata, që e kishin zemrën të mbyllur: doktorët e ligjit, të gjithë ata, që e persekutonin, e vinin në provë, për ta dënuar... e në fund të fundit edhe ia dolën mbanë ta dënojnë.... Të shkojmë në shtëpi vetëm me këto dy fjalë në kujtesë: si është e sotmja ime? E sotmja, që mund të përfundojë pikërisht sot, nesër a vetëm disa ditë më pas... Si e jetoj të sotmen time para syve të Zotit? E zemra ime, si është? E hapur? E fortë në fe? E gatshme për dashurinë e Zotit? Me këto pyetje t’i kërkojmë Zotit hirin, për të cilin ka nevojë secili”.








All the contents on this site are copyrighted ©.