2017-01-11 16:23:00

“Dyer të Hapura” për persekutimin e të krishterëve: 1207 martirë gjatë 2016-ës


Rritet persekutimi i të krishterëve në botë, siç dëshmon Raporti 2017 i organizatës ndërkombëtare “Dyer të Hapura”, e cila çdo vit harton një listë të zezë me 50 vende, ku të krishterët shtypen, persekutohen, diskriminohen e bëhen objekt abuzimesh e dhune, për shkak të fesë. Nga ky raport del një kuadër shqetësues: 215 milion besimtarë të persekutuar, ndër të cilët, 1/3 rëndë. Të dëgjojmë drejtorin italian të organizatës, Cristian Nani:

Nga Raporti i këtij viti shihet qartë rritja e nacionalizmit fetar në disa zona të Azisë. E kjo është ndoshta, pjesa që të befason më shumë: një shtet si India ndodhet në vendin e 15-të për shkak të nacionalizmit hinduist, që shtyp jetën shoqërore të të krishterëve. Por edhe në vende si Laosi, Bangladeshi, Vietnami, Butani, që kanë origjinë dhe tipologji shoqërore krejt të ndryshme, nacionalizmi fetar po gjen hapësira. Elementi tjetër themelor, që përbën burimin kryesor të persekutimit të të krishterëve, mbetet ai që e quajmë ‘shtypja islamike’, ekstremizëm i mirënjohur nga faqet e para të gazetave e nga reportazhet radiofonike e televizive. Është fjala për Boko Haramin, al-Shabbatin, ose Isisin e deri për persekutimet në jetën shoqërore të përditshme në të paktën 35 nga 50 vendet e listës.

Në vend të parë gjejmë, që prej 15 vjetësh, Korenë e Veriut: e këtu problemi është i tipit politik…

Po. Atje ekziston ideologjia komuniste, që qeveris jetën shoqërore të koreanoveriorëve e që kërkon adhurimin e plotë për liderin Kim Jong-un. Në Korenë e Veriut, dhunimi i të drejtave të njeriut është masiv: dihet se ekzistojnë kampet e riedukimit e të punës së detyruar, të ngjashme me lagerat naziste, në të cilat, vlerësojmë se janë burgosur nga 50 deri në 70 mijë të krishterë, thjesht për faktin se janë të tillë, ose se kanë Biblën në shtëpi.

A njihet mjaftueshëm ky persekutim nga opinioni publik ndërkombëtar?

Besoj se vitet e fundit është shtuar vëmendja. Kujtoj se 7-8 vjet më parë ishte mjaft e vështirë të flisje për persekutimin e të krishterëve, megjithëse kurrë si në këtë epokë nuk janë përsekutuar kaq shumë. Por flitet akoma shumë pak e ndoshta në mënyrë sipërfaqësore, sidomos kur ka të vdekur, pra, burra e gra, që vriten për faktin se besojnë në Zotin. Sipas vlerësimeve tona, janë 1207, martirët e vitit që sapo kaloi, gjatë të cilit janë sulmuar më se 1300 kisha. Dua të nënvizoj faktin se pikërisht diskriminimi i lidh njerëzit me një jetë pa të ardhme, pa mundësi për shkollim, pa mundësi për punë e madje, edhe për kura mjekësore, vetëm e vetëm sepse besojnë në Jezu Krishtin. Kjo është diçka, që duhet ta shkundë mirë të paktën botën perëndimore!

Këto persekutime shtohen gjithnjë e më tepër e ndoshta, janë sinjali se në botë po respektohen më pak edhe të drejtat e tjera njerëzore…

Sigurisht që është shenjë e kohrave. Ka një shpërbërje shoqërore në shumë nivele. Pa dyshim, persekutimi, gjaku i martirëve si farë e Kishës, nuk është risi e këtyre viteve: risi është se po shtohet pak si tepër.








All the contents on this site are copyrighted ©.