2017-01-11 10:19:00

Më 11 janar kalendari kishtar përkujton Shën Igjinin, Papë


Më 11 janar martirologu romak përkujton Shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare. Vetë veprat dhe vdekja e tij si martir gjatë persekutimeve të perandorit romak Antonino Pio na sjellin ndërmend se sa sakrifica duhen për të mbrojtur besimin në Zotin.

Për Shën Igjinin dihet pak e me siguri vetëm se e drejtoi Kishën universale për katër vjet nga viti 138 deri në vitin 142. Mendohet se ishte me origjinë nga Athina. Vdiq gjatë persekutimit të Antonit Pio.  Aty nga fundi i shekullit të 11-të, Shën Ireneu, duke u kthyer nga një udhëtim në Romë, hartoi listën e 12 ipeshkvijve, që pasuan njëri-tjetrin në Selinë romake, duke nisur nga Shën Pjetri deri në ditët e tij. Igjini ishte i nënti në radhë, i vetmi që mbante këtë emër, pasardhës i Telesforit, që dha një dëshmi të shkëlqyer, domethënë u martirizua nën perandorin Adrian.

Libri i Papëve si dhe Martiriologu Romak pohojnë se edhe vetë Igjini pësoi martirizimin më 11 janar të vitit 140 (?), gjatë persekutimit të Antonit Pio dhe u varros pranë trupit të të lumit Shën Pjetër, në kodrën e Vatikanit.  Megjithatë, mund të themi se nuk ka prova të sigurta që Ingjini të ketë vdekur martir. Të tjera ishin meritat e Papës athiniot.

Gjatë papnisë së tij të shkurtër, u pakësuan sulmet e paganëve kundër racës së re të “njerëzve pa atdhe”, siç quheshin të krishterët, ndërsa Kisha u kërcënua nga përhapja e sekteve heretike, në vetë gjirin e saj. Kështu Igjinit iu desh t’i bënte ballë për katër vjet me radhë, herezisë njostike të Valentinit e të Çedonit, sipas të cilëve, besimtarëve të thjeshtë u mjaftonte feja, ndërsa shkenca, që mund të shpjegojë nivelin filozofik të fesë, u përkiste dijetarëve. 

Igjini, që ishte vetë filozof, i shkishëroi heretikët. Vërejmë se pikërisht atëherë kur Barka e Shën Pjetrit kërcënohej nga dallgët e herezisë, me prirjen ta bënte Zbulesën hyjnore një filozofi të thjeshtë fetare, në fronin e Princit të Apostujve u ul një filozof, që u përpoq me të gjitha forcat për ruajtjen e tërësisë së mësimit të vërtetë ungjillor. 

Duke ndjekur shembullin e Adrianit, që kishte krijuar një aparat efikas burokratik, i cili siguronte mbarështimin e perandorisë së pakufishme romake, ndërhyri në strukturën hierarkike, duke themeluar Urdhrat e vegjël, sepse krijonin mundësinë për t’i shërbyer më mirë Kishës e për t’i përgatitur kandidatët për meshtari, duke i afruar pak nga pak tek Misteret e shenjta. Nga koha e tij arrin deri tek ne edhe prania e nunëve në Sakramentin e Pagëzimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.