2017-01-11 00:00:00

Gjermani: kardinali Marx përuroi dje nismën Bah2017, për të përkujtuar Reformën


Në Kishën e Shën Mëhillit, në Munih të Bavarisë, kardinali Marx Reinhard përuroi një nismë të re, që do t’i shoqërojë besimtarët gjatë përkujtimit të Reformës, në vitin 2017. Titullohet “Bach2017”. Në praninë e më se pesëqind vetëve, të cilët sfiduan stuhinë e dëborës që reshej mbi Munihun, kardinali Marks hapi manifestimin e menduar nga Shoqëria e Jezuitëve si “burim i vogël ekumenik”.

Muzika e Johann Sebastian Bach: pikë takimi

Manifestimi do të vijojë nëntë të diela me radhë. Nëntë të diela, për nëntë kantatat e Bachut, muzika e të cilit ka rëndësi të madhe për origjinën e tij protestante, por edhe për Kishën katolike, në çastin kur nisi të rilindë pas Reformës luterane: e jezuitët qenë ata, që e nxitën këtë përtëritje, të vënë në dukje nga protestantizmi. “E pranova me kënaqësi ftesën për të hapur këtë cikël koncertesh - deklaroi kardinali Marks në revistën e kryedioqezës së Munihut - sepse  ndërmjet veprimtarive për vitin 2017, është diçka me të vërtetë e veçantë. E edhe drejtori i korit dhe drejtori artistik i Shën Mëhillit, Frank Höndgen, e pranoi me entuziazëm këtë nismë. “Na u mbush shtëpia plot me dashuronjës të muzikës – pohoi me kënaqësi kardinali, duke hapur ciklin. - E ndjejmë veten tejet mirë ndërmjet tingujve të muzikës, që u folën shpirtrave ndoshta më shumë e më mirë sesa fjalët”.

Fillesë e mbarë, kjo, për një projekt, që nuk është parë kurrë në Munih. Sipas Höndgen, Kishat do të bënin mirë të mendonin për gjëra që i bashkojnë, e jo që i ndajnë. Si kjo veprimtari!

E prandaj u zgjodh si pikë takimi, Johann Sebastian Bachu (Eisenach, 31 mars 1685- Lajpcig, 28 korrik 1750) kompozitor e muzikant gjerman, që konsiderohet universalisht si gjenia më i madh i muzikës, bir i një familjeje, që i fali këtij arti të fisëm, gjashtë breza artistësh, gjë e pashembullt në historinë e muzikës. Ishte aq i madh, sa, kur deshi të largohej nga Weimari, ku shërbeu për disa kohë, një ta marrë vesh duka, e burgosi menjëherë, nga frika se mund t’i ikte. Edhe kështu burgosen artistët e mëdhenj, që ndikojnë mbi shpirtin e njerëzve shumë më tepër se dukë e princër...

Jezuitët e zgjodhën Bach-un si pikë takimi ndërmjet katolikëve dhe protestantëve në kremtimet e Reformës edhe pse, duke qenë për një kohë të gjatë muzikant i princit Leopold, u detyrua të kompozonte muzikë të thjeshtë, pa stërhollime, sipas shijes së kalvinistëve. E edhe më shumë muzikë me natyrë shekullare. Prej këndej, tejet i përshtatshëm për t’i  shoqëruar besimtarët gjatë veprimtarive përkujtimore të Reformës, sepse vetë jeta, frymëzimi e muzika e tij janë një pikë e këndshme takimi, që nuk i ndan besimtarët protestantë nga ato katolikë, por përkundrazi, i bashkon tejet këndshëm, duke i lidhur me fillin e artë të tingujve, me vetëdijen se tingulli u flet zemrave më mirë se çdo fjalë.

U flet! Sepse qëllimi i muzikës është ta lavdërojë Zotin përmes këngës e tingujve çdo ditë e çdo orë. Të gjitha artet e tjera, përveç teologjisë e së bijës, muzikës, janë vetëm predikatarë të heshtur. Nuk arrijnë kurrë t’i prekin zemrat deri në thelbin e tyre.

Ashtu si i prek Bach, në kompozimet e të cilit ndjehet vazhdimisht prania e Zotit, për lavdi të të cilit u kompozuan veprat e muzikantit gjenial: “Për Bach-un muzika ishte fe; të kompozonte, besojmë; ta luante muzikën, detyra e tij fetare”. Për ata që festojnë jubileun e madh të Reformës, ta dëgjojnë këtë muzikë, është “burim i vogël ekumenik”.








All the contents on this site are copyrighted ©.