2017-01-09 13:33:00

Papa: ta njohim, ta adhurojmë e ta ndjekim Jezusin, të vetmin Shëlbues


Jeta e krishterë është e thjeshtë, nuk ka nevojë për gjëra të çuditshme a të vështira. Mjafton ta vëmë Jezusin në qendër të ditëve tona. Këtë kujtoi Papa Françesku sot, duke rinisur Meshët në Shtëpinë e Shën Martës, në fillim të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.

Pas Krishtlindjes fillon një kohë e re liturgjike, koha e zakonshme: por në qendër të jetës - vërejti Papa -  është gjithnjë Jezusi, fjala e parë dhe  fundme e Atit, “Zoti i universit, Shëlbuesi i botës”. Nuk ka asnjë tjetër, është një i vetëm.

"Ai është qendra e jetës sonë: Jezu Krishti! Jezu Krishti, që dëftohet, që shihet e që ne mund ta njohim gjatë jetës, në rrethana nga më të ndryshmet: ‘Po unë, o Atë , njoh  jetën e këtij shenjti, të atij tjetrit, e edhe dukjet e këtij e të atij..'. ‘Kjo është gjë e  mirë, shenjtorët janë shenjtorë, janë të mëdhenj! Ndërsa dukjet nuk janë të gjitha  të vërteta, eh! Janë të rëndësishëm shenjtorët, por Jezu Krishti është qendra, pa Jezusin nuk ka shenjtorë!'. E këtu lind pyetja: 'Qendra e jetës sime është Jezu Krishti! Po ç’lidhje kam unë me Jezusin?'”.

Janë tri, detyrat - pohoi Papa – që na sigurojnë se Jezusi është në qendër të jetës sonë: detyra e parë është ta njohim Jezusin, për ta pranuar. Në kohën e Tij shumëkush nuk e pranoi: “doktorët e ligjit, krypriftërinjtë, skribët, saduçenjtë, disa farizenj”. E jo vetëm që nuk e pranuan, por edhe  e persekutuan, e mbytën. Duhet pyetur vetja: “Mua, a më intereson ta njoh Jezusin? Apo ndoshta më intereson më shumë telenovela, më interesojnë  përgojimet, ambiciet ... më pëlqen më shumë të fus hundët në jetën e të tjerëve?”.

Nëse duam ta njohim e ta pranojmë Jezusin - kujtoi Papa - kemi lutjen, kemi Shpirtin Shenjt, por kemi edhe Ungjillin, që duhet mbajtur gjithnjë pranë, për të lexuar nga një fragment ditë për ditë. E vetmja mënyrë për ta njohur Jezusin. Pastaj është Shpirti Shenjt, që bën punë të dyfishtë. Kjo është fara. Por është Shpirti Shenjt ai, që e bën të mbijë e të rritet.

Detyra e dytë është ta adhurojmë Jezusin e jo vetëm t’i kërkojmë hire e pastaj edhe ta falënderojmë. Për Papën, dy janë mënyrat për ta adhuruar Zotin: “lutja dhe adhurimi në heshtje”, e pastaj, pastrimi i shpirtit tonë nga sendet e tjera, që i adhurojmë, që na interesojnë më shumë! Jo, në shpirtin tonë duhet të jetë vetëm Zoti! Vetëm ai na duhet! Të tjerat na vlejnë nëse jemi të aftë të adhurojmë vetëm Zotin:

“Është një lutje e shkurtër, që ne e themi tek Lavdia: ‘I qoftë lavdi Atit, Birit e Shpirtit Shenjt’, por shpesh e themi si papagaj, duke harruar se kjo lutje është adhurim! Lavdi: unë adhuroj Atin; Birin e Shpirtin Shenjt! Të adhurojmë pra, me lutje të vogla, me heshtje përballë  Zotit, ta adhurojmë Jezusin e të themi: ‘Ti je i vetmi, je  fillimi e mbarimi; me ty dua të rri gjithë jetën e gjithë amshimin. Ti je i vetmi Zot'”.

Kështu duhet të themi e t’i flakim jashtë shpirtit tonë të gjitha sendet e fjalët, që na pengojnë ta adhurojmë Jezusin!

Detyra e tretë është ta ndjekim Jezusin - nënvizoi Papa - siç na e kujton edhe Ungjilli i sotëm, në të cilin Zoti thërret dishepujt e Tij të parë. Do të thotë ta vëmë Jezusin në qendër të jetës sonë:

“Është e thjeshtë jeta e krishterë, tejet e thjeshtë, por kemi nevojën e hirit të Shpirtit Shenjt, që ta zgjojë në shpirtin tonë dëshirën për ta njohur Jezusin, për ta adhuruar Jezusin, për ta ndjekur Jezusin. E prandaj në lutjen e parë që i drejtuam sot Zotit, e pyetëm ç’duhet të bëjmë e i lypëm edhe forcën, që të mund të bëjmë çka dëshiron Ai”.

Që në thjeshtësinë e çdo dite  - sepse për të qenë i krishterë nuk duhen bërë çdo ditë gjëra të çuditshme, të vështira, të tepërta, jo, - "Zoti të na japë hirin  ta njohim Jezusin, ta adhurojmë Jezusin, ta ndjekim Jezusin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.