2017-01-08 00:00:00

Shenjtorët e javës 8 -15 janar


E diel 8 janar, Kisha katolike kremton festën e Pagëzimit të Jezu Krishtit Zot. Gjithnjë më 8 janar, kalendari kishtar përkujton edhe shën Severinin abat.
Pagëzimi i Krishtit është dëftimi i misionit të tij në botë. Ati Qiellor shpall dashurinë e tij për Të.  Shpirti i Shenjtë e shndrit me dritën e vet. Jezusi “i zhytur” në ujë nga shën Gjon Pagëzuesi, me vdekjen dhe ngjalljen e tij, do të na “zhysë” edhe ne në jetën e amshuar
Festa e Pagëzimit të Zotit Jezu Krisht na ndihmon ta kërkojmë fytyrën e Hyjit jo në vështrimin e kupës së qiellit, as në studimet e filozofëve, mirëpo në vetë personin e Zotit që ka fyutyrën e Jezusit. Kisha na fton ta përkujtojmë edhe ditën e Pagëzimit tonë e ta jetojmë në jetën e përditshme.

Të hënën më 9 janar, kalendari kishtar përkujton shën Marçelinin; shën Adrianin e shën Fillanin. Liturgjia e ditës na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi. Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin.

Të martën më 10 janar, kalendari kishtar përkujton shën Gregorin nga Nissa, shën Miziade-n; të Lumin Gregorin X, papë.  Liturgjia e ditës na kujtojnë se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurtë në rrugët që çojnë drejt qiellit.

Të mërkurën më 11 janar, kalendari kishtar përkujton shën Igjinin; shën Paolonin nga Akuilea e të Lumin Bernardino Skamaka. Në liturgjinë e ditës, Ungjilli i Hyjit na thotë: Mbretëria Qiellore është afër, kthehuni e besoni në Fjalën e Zotit.

Të enjten më 12 janar, kalendari kishtar përkujton shën Arkadin, shën Cezaren, shën Ernestin e shën Andon M. Puçin. Liturgjia e ditës na mëson se Jezu Krishti nuk është një skrib i çfarëdoshëm, apo thjesht një ekspert i Shkrimit Shenjt. Ai mëson me autoritet, një doktrinë të re. Zemra ime galdon në Zotin, shpëtimtari im.

Të premten më 13 janar, kalendari kishtar përkujton shën Hilarin; shën Goffredin, shën Remigjin. Ungjilli i ditës na tregon se si Jezusi përshkoi të gjithë Galilenë për t’u mësuar njerëzve punët e Hyjit e për të dikuar mrekullitë e Zotit në secilin prej atyre që e dëgjonin.

Të shtunën më 14 janar, kalendari kishtar përkujton shën Gëzimin apo Feliksin nga Nola, shën Nino-n e shën Malakinë profet. Liturgjia e ditës nënvizon se mëshira e Jezusit për të gërbulurin,  u tregon të gjithëve afërsinë dhe dhembshurinë që Zoti ka për çdo njeri që Atij i drejtohet me lutje e zemër.

Të dielën e ardhshme më 15 janar, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën II gjatë vitit liturgjik. Gjithnjë më 15 janar, kalendari kishtar përkujton shën Palin vetmitar, Maurin, shën Probo-n e shën Sekondinën. Ungjilli përshkruan mrekullitë e Jezusit, që rriten nga dita në ditë dhe nënvizon se si njerëzit i besonin gjithnjë e më tepër Birit të Zotit. Do të këndoj në amshim dashurinë për Zotin








All the contents on this site are copyrighted ©.