2017-01-08 12:29:00

Papa pagëzon 28 fëmijë e, me shaka, pohon: vaji, predikimi i parë i Jezusit


Në kornizën solemne të Kapelës Sikstine u harmonizuan sot gugatjet e ferishteve, që morën Pagëzimin, me himnet e Meshës, kryesuar nga Papa. U mbyll kështu, Koha e Krishtlindjes, në të dielën e parë pas Dëftimit të Zotit, në kujtim të Pagëzimit të Jezusit në brigjet e Jordanit, nga Shën Gjon Pagëzuesi.

“Kërkuat për fëmijët tuaj fenë”: kështu Françesku, me stilin e tij të thjeshtë, u foli lirisht prindërve të emocionuar të 28 fëmijëve: 13 vajza e 15 djem, nën qemeret mikelanxholeske, ditën e Pagëzimit të Zotit, në pritje për të marrë dhuratën e fesë. Fe që duhet jetuar - kujtoi Papa - duke ecur e duke e dëshmuar gjatë rrugës. Nuk mjafton të thuash “Besojmën” të dielave:

“Fe do të thotë ta besoj Atë, që është e Vërteta; Zotin Atë, i cili e dërgoi Birin e vet dhe Shpirtin jetëdhënës. Por fe do të thotë edhe të lëshohesh në dorë të Zotit, e këtë duhet t’ua mësoni fëmijëve, me shembullin tuaj, me jetën tuaj”.

“Feja është dritë”, vijoi të shpjegojë akoma Françesku. E simbolizon qiriu i ndezur, që dorëzohet ditën e Pagëzimit, të cilin Kisha e ditëve të para e  quante “ndriçim”...

“... sepse feja shndrit zemrën, të bën t’i shikosh sendet me një dritë tjetër”.

Françeskut iu përgjigjen ferishtet, me vajin e tyre, që i ngjet më shumë këngës, duke dhënë kështu, në Kapelën madhështore, koncertin e tyre të parë, siç e quajti Papa, pa e cënuar aspak shenjtërinë e ritit:

“Më pëlqen të mendoj se predikimi i parë i Jezusit në stallë, ishte vaji; i pari. E pastaj, me që ceremonia zgjatet pakëz, ndokush qan nga uria; nëse është kështu, ju, nëna, mëkojini, eh? Pa frikë e pa droje, normalisht. Si e mëkonte Zoja Jezusin...”.

Së fundi, ftesa e Françeskut drejtuar nënave e baballarëve:

“Mos harroni: kërkuat fenë, e detyra juaj është ta ruani fenë, ta bëni të rritet, që të jetë dëshmi për ne të gjithë, edhe për ne, priftërinjtë, meshtarët, ipeshkvijtë, për të gjithë. Faleminderit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.