2017-01-08 13:46:00

Papa Françesku: të ndihmojmë të pastrehët këto ditë të ftohta


Gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, ku uji i shatërvaneve është ngrirë në hej akulli, mendimi i Papës Françesku shkoi tek të pastrehët, që po vuajnë nga të ftohtët e këtyre ditëve. Ati i Shenjtë u kërkon të gjithëve t’i ndihmojnë e lutet për ata, që kanë ndërruar jetë e kanë pasur vështirësi të mëdha nga ngrica. Thirrja e Papës ndjek impenjimin e vetë Françeskut për të pastrehët:

         “Këto ditë të ftohti të madh mendoj e ju ftoj të mendoni për të gjithë njerëzit, që jetojnë në rrugë, në vështirësi nga të ftohtët e shpesh, edhe nga indiferenca. Fatkeqësisht, disa prej tyre nuk ia dolën dot. Të lutemi për ta e t’i kërkojmë Zotit të na ngrohë zemrat, që të jemi në gjendje t’i ndihmojmë”.

         Para se të fliste për të pastrehët, Papa Françesku u ndal në Pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan, për të cilin flet Ungjilli i kësaj së diele. Ngjarje, pohoi, me të cilën kuptojmë butësinë e përvuajtërinë e Jezusit, solidaritetin e tij me njeriun e zakonshëm, mëkatar.

Kumtimi i Ungjillit nuk është prozelitizëm

         Misioni i Krishtit, nënvizoi më tej Ati i Shenjtë, karakterizohet nga stili i shërbëtorit të butë e të përvujtë, i cili përdor vetëm forcën e së vërtetës, ashtu siç pati profetizuar Isaia:

         “Ja stili i Jezusit e, edhe stili misionar i dishepujve të Krishtit: të kumtojnë Ungjillin me butësi e vendosmëri, pa bërtitur, pa kritikuar askënd, pa arrogancë e imponim. Misioni i vërtetë nuk është kurrë prozelitizmi, por tërheqja e njerëzve kah Krishti. E si? Si mund t’i tërheqim njerëzit kah Krishti? Me dëshminë personale, duke filluar nga bashkimi i fuqishëm me Të në lutje, në adhurim e në bamirësinë konkrete, që është shërbim për Jezusin e pranishëm në më të voglin e vëllezërve”.

Jemi popull të pagëzuarish

         Duke imituar Jezu Krishtin e me hirin e Tij, theksoi Papa Françesku, jemi të thirrur ta shndërrojmë jetën tonë në dëshmi të gëzueshme, e cila shndrit atë udhë, që çon drejt shpresës dhe dashurisë:

         “Kjo festë na bën ta rizbulojmë dhuratën dhe bukurinë e të qenit popull të pagëzuarish, pra, mëkatarësh – jemi që të gjithë – mëkatarë të shpëtuar nga hiri i Krishtit; të hyrë me të vërtetë, për vepër të Shpirtit Shenjt, në marrëdhëniet bijnore të Jezusit me Atin Qiellor; të pranuar në prehrin e Kishës Nënë; të aftë për një vëllazërim, që nuk njeh kufij e pengesa”.

Të bashkohemi me Rjetin botëror të lutjes së Papës

         Ati i Shenjtë kujtoi se para Engjëllit të Tënzot, në Kapelën Sikstine, kremtoi pagëzimin e një grupi fëmijësh të sapolindur, ndërsa një ditë më parë, atë të një të riu katekumen. Prandaj, u lut për të gjithë prindërit, që në këtë periudhë, po përgatiten për pagëzimin e fëmijës së tyre, ose sapo e kanë kremtuar atë:

         “Përveç kësaj, dua t’ju ftoj të bashkoheni me Rrjetin Botëror të Lutjes së Papës, që përhap, edhe përmes rrjeteve shoqërore, ndjetet e lutjes, të cilat i propozoj çdo muaj për gjithë Kishën. Kështu, ecën përpara apostullimi i lutjes dhe jemi gjithnjë e më të bashkuar”.

         Së fundi, inkurajimi për të rinjtë e Cagliari-t, nga Sardenja, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa u uroi të vijojnë rrugën e nisur me Sakramentin e Krezmimit, i cili, nënvizoi, nuk është sakramenti i lamtumirës në Kishë, por i pikënisjes për jetën e krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.