2017-01-07 00:00:00

Patriku i Moskës kujton njëqindvjetorin e Revolucionit rus


“Nuk bëhet fjalë për ta kremtuar njëqindvjetorin e tragjedisë, por për ta përkujtuar këtë datë me vetëdije, duke e shoqëruar me reflektime të thella  e lutje të sinqerta, në mënyrë që gabimet e bëra në shekullin e kaluar, t’i mësojnë popujt tanë, në fazën e sotme të zhvillimit të tyre, të mos lejojnë të përsëriten më tmerre të tilla. Të mos e harrojmë: tragjedia nuk mund të quhet festë! Aq më pak, të kremtohet”. Duke kryesuar, këto ditë, seancën e Këshillit të Lartë të Kishës Ortodokse ruse, Patriku i Moskës Kirill - njofton L’Osservatore Romano - e kujtoi kështu njëqindvjetorin e revolucionit që, ndërmjet shkurtit e tetorit 1917, shkaktoi rrëzimin e perandorisë ruse të carëve. 2017-ta na kujton se kanë kaluar tashmë njëqind vjet nga ngjarjet tragjike të historisë së atdheut tonë. Këtë vit duhet të lutemi posaçërisht për popujt tanë, për vendin që ishte një shtet i vetëm e sot përbëhet nga shtete sovrane, por të bashkuara ndërmjet tyre nga lidhje të forta historike e kulturore- kujtoi Patriku.

T’i kushtohet 2017-ta reflektimit mbi çka i ndodhi popullit rus

Patriku Kirill nënvizoi se është e nevojshme t’i kushtohet 2017-ta  reflektimit mbi çka i ndodhi popullit rus, mbi kuptimin e gjithë atyre tronditjeve, që nuk prekën vetëm popujt e Rusisë, por edhe të shumë vendeve të tjera satelite, mbi kuptimin e tyre e përfundimet që mund të nxjerrim nga gjithë kjo histori tragjike e shekullit të kaluar. Prej këndej, Patriku e quan të papërshtatshëm termin “kremtim”, sepse nuk është aspak normale të kremtohet gjithë ajo gjëmë, që u përhap nga Rusia në një pjesë të mirë të botës, duke lënë pas vetëm gjurmë gjaku! Gjatë takimit, patriku i Moskës foli edhe për veprimtaritë gjatë vitit 2016, në sfondin e ngjarjeve botërore më impenjative. Duke vërejtur se Rusia si dhe vendet e tjera mbi të cilat shtrihet përgjegjësia kanonike e Kishës ortodokse ruse, kaluan gjatë këtij viti situata vërtet të vështira, kujtoi, në mënyrë të posaçme, situatën e  rrezikshme në Siri dhe në të gjithë Lindjen e Afërme. Gjithsesi - shpjegoi -pavarësisht nga vështirësitë dhe vuajtjet, pati edhe disa ndryshime, disa rrugëzgjidhje të kësaj krize, që ndoshta do të mund ta shpëtojnë gjithë gjininë njerëzore nga zhvillime politike shumë të rrezikshme.

Kujtimi i situatës në Ukrainë

Duke folur për Kishën ortodokse ruse, Patriku Kirill nënvizoi: “Gjithë ç’themi e ç’ bëjmë,  duhet të ketë një objektiv të vetëm: të mirën e  mbarë popujve, mbi të cilët shtrihet përgjegjësia kanonike e patriarkanës”. E duke ripohuar edhe vështirësitë ndërmjet të cilave u krye ky shërbim, kujtoi se, me hirin e Zotit, u shmangën disa veprime, të cilat do ta kishin keqësuar më tej situatën. Shumë u bë gjatë 2016-tës për të vijuar ecjen në rrugë të drejtë si dhe për të ruajtur paqen e Kishës sonë, vijoi Patriku rus. E në këtë panoramikë, ishte i pashmangshëm kujtimi i krizës së dhunshme në Ukrainë, shoqëruar me urimin që konflikti të zgjidhet e të rikthehet sa më shpejt paqja.  Lidhur me këtë, Kisha ka një rol e një synim të vetëm, të shërbejë, edhe me lutje, për pajtimin e popullit ukrainas, vërejti primati ortodoks. Këshilli i lartë dëgjoi, pastaj, referatet kushtuar riorganizimit të departamenteve  dioqezane, statutin për punën e këshillave  dioqezane  dhe veprimtaritë e asistentëve në zyrat lokale të Shërbimit federal për zbatimin e dënimeve.








All the contents on this site are copyrighted ©.