2017-01-07 14:39:00

Papa pagëzon këtë të diel 28 fëmijë në kapelën Sikstine


Nesër, Solemniteti i Pagëzimit të Krishtit, Papa Françesku  do të kryesojë, sipas traditës, Meshën, në Kapelën Sikstine, duke nisur nga ora 09.30.

Gjatë ritit, do të pagëzojë 28 fëmijë: 13 vajza e 15 djem, shumica bij të punonjësve të Vatikanit. Ky kremtim, i nisur me Gjon Palin II, i vijuar me Benediktin XVI, tashmë u bë traditë me Papën Françesku, që e kryeson Meshën e Solemnitetit për të tretën herë.

E nuk do të jenë këta fëmijë, të vetmit që do të pagëzojë Papa Françesku: vetëm në harkun e më pak se një jave, Papa do të pagëzojë, në Kapelën e Shën Martës, edhe tetë fëmijë të tjerë, të lindur në Amatrice e në Accumoli, pas tërmetit të 24 gushtit të kaluar. Njoftimin e dha ipeshkvi i Rietit, imzot Domenico Pompili:

“Më 14 janar, Papa – shpjegoi prelati - duke iu përgjigjur ftesës së një nëne, që ia pati paraqitur fëmijën e vet, kur pati ardhur nga Amatrice, krijoi mundësitë që ta pagëzonte jo vetëm këtë fëmijë, por edhe të tjerë, të lindur në të njëjtën kohë".

Prej këndej, pasditen e 14 janarit, në Kapelën e Shën Martës do të pagëzohen të posalindurit pas tragjedisë së tërmetit të 24 gushtit, që në viset e Amatrices e të Accumolit, la pas, përveç rrënojave, edhe më se 260 të vdekur. Por edhe shumë fëmijë, shenjë shprese e vazhdimësie të jetës. Këta fëmijë do të pagëzohen nga vetë Papa, gjithnjë pranë njerëzve që vuajnë, me mënyra e forma nga më të ndryshmet. Të shtunën e ardhshme, përmes hirit të Sakramentit të parë të Krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.