2017-01-07 12:40:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit – solemniteti i Pagëzimit të Jezusit


Ja sërish në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës. Kësaj radhe do t’i dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Solemnitetit të Pagëzimit të Zotit.   

Me festën e pagëzimit të Jezusit mbyllet cikli i dëftimeve të Zotit, filluar me Krishtlindjen. Kështu, pas Krishtlindjes, që tani nisemi udhës sonë shpirtërore drejt Pashkëve. E Pagëzimi i Jezusit përmban fatin e Jezusit, thirrjen apo misionin e tij. Në këtë periudhë të Krishtlindjes, deri dje kemi dëgjuar tregimin e Ungjillit se si ka lindur, prej kujt ka lindur, ku ka lindur dhe në çfarë kushtet ka lindur Mesia. Pjesa e Ungjillit të kësaj feste na tregon arsyen pse çka lindur Jezusi: për shpëtimin e njerëzimit.

Pra në solemnitetin e Pagëzimit të Jezu Krishtit kemi pohimin e Atit që Qiellor që na siguron Ai, Jezusi është shpëtimtar i njeriut, shenjtëria e familjes dhe paqja e botës.Në fillim të misionit të publik, Jezusi u pagëzua nga Gjoni në lumin Jordan. Pagëzimi, që merr, për të përmbushur çdo drejtësi, është pagëzim i pendesës, për pastrimin e shpirtit e të jetës. Me këtë rast, Jezusi zbulohet para Gjonit e para popullit të Izraelit, si Mesia i shumëpritur. 

Megjithatë, pranë lumit Jordan, Jezusi dëftohet me një përvujtëri të jashtëzakonshme. Është përvujtëria, që kishte karakterizuar lindjen e tij dhe që do të shënjojë edhe ditët e fundit të ekzistencës së tij tokësore, kur, në dhomën e darkës së fundit, do t’u lajë këmbët apostujve dhe, mbi të gjitha, kur do të shkojë drejt poshtërimit të skajshëm të vdekjes në kryq, e pastaj drejt Ngjalljes.

Jezusi përzihet me turmën e mëkatarëve, që shkojnë tek Gjoni për të marrë pagëzimin. Në të, Hyji, “i pasur me mëshirë”, “i ngadaltë në zemërim e i madh në dashuri”, tregon afërsinë e vet me mëkatarët dhe me më të fundmit e tokës. Në Jezusin e zbritur në ujërat e Jordanit, Hyji përkulet mbi njerëzimin e vuajtur, të poshtëruar nga mëkati, dhe merr përsipër sëmundjen e tij, i lidh plagët dhe kujdeset për lëndimet e zemrës së tij të copëtuar (khs Is 61,1).

Në Jezusin, Hyji solidarizohet me njeriun dhe me gjendjen e tij vdekatare. Për këtë arsye, duke u pagëzuar në Jordan, Jezusi i paraprin në mënyrë simbolike mundimit të vet dhe vdekjes në kryq, të pësuar për ne “kur ishim ende mëkatarë” (khs. Rom 5,8). Ai, në të vërtetë, ka marrë përsipër mëkatet e njeriut, që njeriu të mund të rilindte nga uji dhe nga Shpirti i Shenjtë (Gj 3,5), për të kremtuar lindjen e tij si i shpëtuar. 

Pagëzimi i Jezusit në Jordan paralajmëron pagëzimin e Tij me gjak mbi Kryq, simbol i mbarë veprimtarisë sakramentore përmes së cilës Shëlbuesi realizoi shpëtimin e mbarë njerëzimit. Kështu, Kisha e vënë në dukje lidhjen e ngushtë ndërmjet pagëzimit të Krishtit e pagëzimit tonë. Këtë, sepse përmes Tij ne bëhemi pjesë e Korpit mistik të Krishtit, që është Kisha, vdesim e ringjallemi me Të, vishemi me Të, siç përsërit disa herë Shën Pali Apostull. Nga pagëzimi buron impenjimi për ta dëgjuar Jezusin, do të thotë për të besuar në Të dhe për ta ndjekur pas pa fjalë, duke bërë vullnetin e Tij. 

                 Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Is 42, 1-4.6-7

Isaia flet për një shërbëtor misterioz dhe të përvuajtur, i thirrur shërbëtori i Jahveut. Ky merr shpirtin e Hyjit dhe do t’u sjellë zbulimin të gjithë popujve, do të realizojë këtë misionin e tij me sukses, edhe pse do të duhet të eksperimentojë shumë vuajtje dhe vështirësi. Ai do të jetë një mjet shpëtimi mes njerëzve dhe Hyjit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah, i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im, mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim: ai do t’ua japë të drejtën popujve. Ai s’do të bërtasë, s’do ta lartësojë zërin, zëri i tij s’do të dëgjohet në sheshe. Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues, dhe pa u trembur ai do ta shpallë të drejtën. S’do të lodhet as nuk do të ndalet derisa ta ketë vendosur të drejtën në tokë. Ishujt e presin me afsh mësimin e tij. Unë, Zoti, të thirra në drejtësi e për dore të kam marrë; të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit edhe dritë për të gjithë popujt: që t’ua hapësh sytë të verbërve, që t’i nxjerrësh të burgosurit nga burgu, prej shtëpisë së burgut ata që rrinë në terr.” Fjala e Zotit Falënderojmë Hyjin.

 Psalmi 28/29

Lavdi i qoftë emrit tënd, o Zot

 

Jepni Zotit, o bijtë e Hyjit,

jepni Zotit lavdinë e fuqinë!

Jepni Zotit nderin e Emrit të tij,

adhurojeni Zotin në shkëlqimin e

shenjtë!

 

Dëgjo! Zoti gjëmon mbi ujëra,

Hyji i madhërishëm gjëmon,

Zoti bubullon mbi ujëra të mëdha!

 

Dëgjo! Zoti gjëmon fuqishëm,

Zoti gjëmon me madhëri!

Ndërkaq në Tempullin e tij të gjithë thonë: “Lavdi!”

Zoti e ka fronin përmbi përmbytje,

Zoti mbretëron përgjithmonë e jetë!

 

Leximi dytë Vp 10,34-38

Shpirti i Hyjit ka dërguar Pjetrin në shtëpinë e Centurionit Kornelio, një pagan. Pjetri pohon se Hyji nuk bën dallime dhe parapëlqime mes njerëzve, pra nuk bën dallime mes popujve dhe racave.  Mbi bazën e këtij besimi ai shpall se Jezusi ka ardhur të shpëtojë edhe paganët.  Jezusi është shërbëtori i Jahveut në të cilin banon Shpirti: ai ka vdekur dhe është ringjallur për të na çliruar nga djalli dhe për të falur mëkatet.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, shi përkundra – në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë. Ai u dërgoi fjalën e vet Izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve. Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, sesi Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtet të djallit, sepse Hyji ishte me të.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.

Ja, po vjen një më i fortë se unë, thotë Gjoni; Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr.

Aleluja.

Ungjilli    Mt 3, 13-17

Jezusi është Mesia që paraqitet në përvujtërinë e natyrës njerëzore për të kryer planin e shpëtimit të Hyjit.  Për këtë pranon të pagëzohet nga Gjon Pagëzuesi për të qenë afër çdo njeriu mëkatar. Me këtë zgjedhje Jezusi, shërbëtori dhe Mesia i Hyjit afron njerëzimin me Hyjin.

Lexim i Ungjillit Shenjt sipas Mateut

Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?” Por Jezusi i përgjigji: “Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.” Atëherë e lejoi. Fill pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!” Fjala e Zotit! Lavdi ty, o Krisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.