2017-01-07 18:35:00

Françesku: t’i kujtojmë të krishterët e Lindjes, që kremtojnë Këshndellat


Të krishterët, që ndjekin kalendarin julian, e festuan sot Lindjen e Zotit. Papa Françesku, përmes një tweet-i, ftoi për t’i kujtuar këto bashkësi, si katolikët, ashtu edhe ortodoksët. Ndërsa dje, në Engjëllin e Tënzot, u uroi një festë, “që t’i mbushë me gëzim e me dritë”. E kujtoi gjithashtu se  Krishtlindjen e kremtojnë edhe të krishterët, që jetojnë prej vitesh në rrethana të vështira, për të mos thënë, në kushte persekutimi.

Është Krishtlindje sot, për besimtarët e Kishave katolike lindore dhe për  ato ortodokse, që ndjekin kalendarin julian, e jo atë gregorian. Nësa e kujtojnë në data të ndryshme, të dyja palët i urojnë njëra-tjetrës që një ditë ta kremtojnë së bashku të vetmin mister të Mishërimit të Krishtit dhe të ardhjes së Tij mes nesh. Ky edhe urimi i imzot Ambroggio Spreafico, kryetar i Komisionit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane për  Ekumenizmin dhe Dialogun Ndërfetar. Prelati i fton gjithë të krishterët t’i hapin portat e ta kremtojnë Krishtlindjen në një përqafim vëllazëror me emigrantët, të detyruar të festojnë larg trojeve e familjeve të tyre.

Shenjtëria e Tij Tawadros: Krishti Fëmijë na mëson t’i besojmë qiellit

Ardhja e Shëlbuesit në botë, përkujtohet edhe në vende,  ku  të krishterët jetojnë në kushte vërtet të vështira, me një shpresë të vetme, me sytë  kah qielli. E kjo, edhe përmbajtja e mesazhit të Krishtlindjes drejtuar besimtarëve nga Shenjtëria e tij, Tawadros, patrik i Kishës kopto-ortodokse në Egjipt, që fton për të ndjekur shembullin e Tre Mbretërve, por edhe, e sidomos, të Marisë që, duke iu përgjigjur pozitivisht Engjëllit, ia fali jetën qiellit. Të dëshirosh qiellin, do të thotë të dëshirosh dritën e Zotit, që shndrit zemrat; të dëshirosh paqen, që të bën veprimtar të paqes në botë; gëzimin qiellor, që nuk shuhet shpejt, si ai tokësor.

Patriku Kirill: t’i shtojmë në zemra dhuratat e Shpirtit Shenjt

“Të ndjekin ideale morale, duke u angazhuar në vetën e parë, për t’i mishëruar në jetën e përditshme” – kjo qendra e mesazhit të Krishtlindjes drejtuar besimtarëve nga Patriku ortodoks i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill, i cili i nxiti besimtarët  të punojnë për t’i shtuar në zemra dhuratat e Shpirtit Shenjt, si dashuria, durimi, mirësia e edhe për t’i vënë jetë, në shërbimin ndaj të afërmit. 2017-ta në Rusi është vit i njëqindvjetorit të ngjarjeve, të cilat ia ndryshuan faqen historisë: “Humbjet e gjëmët, që i ranë mbi kokë popullit tonë - shton patriku - u shkaktuan kryesisht nga shkatërrimi i një sistemi politik, që kishte ekzistuar për një mijë vjet, por dhe nga lufta kundër fesë së njerëzve. Po Krishtlindja mbeti ajo që ishte: festa, që na kujton përmbushjen e premtimeve të lashta të shëlbimit për gjininë njerëzore.

Ukraina, kryeipeshkvi Shevchuk: Jezusi na fton të mos kemi frikë!

Ipeshkvi i madh i Kievit, Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës greko-katolike në Ukrainë, e kremtoi Natën e Solemnitetit me refugjatët e konfliktit e, sot paradite, e kryesoi Meshën në Katedralen  e Ngjalljes së Krishtit. Krishtlindja është rast për të zbuluar Zotin e pranishëm në historinë tonë – kujtoi - por Jezusi vjen në këtë ditë të na thotë të mos kemi frikë, sepse Ai është me ne deri në fund të fundit të kohëve. Ne na takon vetëm ta mikpresim Krishtin Fëmijë!








All the contents on this site are copyrighted ©.