2017-01-06 13:59:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: të ndjekim yllin e Krishtit


Të gjithë me kapuçë në kokë për t’u mbrojtur nga i ftohti, që këto ditë ka mbërthyer edhe Romën, por të gjithë të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit për të thënë Lutjen e Engjëllit të Tënzot me Papën Françesku, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Rreth 35 mijë vetë dëgjuan Atin e Shenjtë, që i ftoi besimtarët ta zgjedhin mirë yllin për t'u ndjekur në jetë, ashtu si Mbretërit Dijetarë zgjodhën yllin, që i udhëhoqi drejt Betlehemit, drejt Zotit të gjallë:

“Ka drita farfuritëse, që shkojnë e vijnë, si kënaqësitë e vogla të jetës: janë të mira, por nuk mjaftojnë, sepse e kanë jetën e shkurtër e nuk na lënë paqen, që kërkojmë. Pastaj, kemi dritat verbuese të skenës, të parave e të suksesit, që premtojnë gjithçka e menjëherë: na joshin, por me forcën e tyre na i lëbyrin sytë e na flakin nga ëndërrat për lavdi, në errësirën më të dendur. Ndërsa Mbretërit Dijetarë na ftojnë të ndjekim një dritë të qëndrueshme e të butë, që nuk perëndon, sepse nuk është e kësaj bote: vjen nga qielli e shkëlqen në zemra”.

Të ndjekim shembullin e Mbretërve Dijetarë

Kjo dritë, vijoi reflektimin Papa, është drita e Zotit e madje, Hyji vetë. Ai është drita jonë, nënvizoi, duke shtuar herë pas here fjalë pa letër, si zakonisht. Kjo dritë nuk të verbon, por të shoqëron e të jep një gëzim krejt të veçantë. Po ku ta gjejmë këtë dritë, pyeti Ati i Shenjtë. Çohu e vishu me dritë, përsëriti Papa thirrjen e Isaisë profet. Mos kini frikë nga Foshnja Hyjnore, theksoi, duke iu drejtuar edhe atyre, që e kanë humbur shpresën. Aty ku është Zoti, është gëzimi. Hyji di t’i shpërndajë edhe retë më të errta:

“Të ndjekim shembullin e Mbretërve Dijetarë, që Ungjilli i përshkruan gjithnjë në lëvizje. Vërtet, kush e do dritën del dhe e kërkon: nuk rri mbyllur, pa lëvizur, duke parë ç’ndodh përreth tij, por vë në lojë jetën”.

A ka lindur Krishti në zemrën tënde?

Jeta e krishterë, vijoi Papa Françesku, është rrugë shprese e kërkimi; është rrugë që vazhdon edhe kur, ashtu siç u ndodhi Mbretërve Dijetarë, ylli zhduket papritmas për një periudhë të caktuar. Në këtë rrugë ka kurthe, që duhen shmangur, si thashethemet e kësaj bote, që e pengojnë hapin; kapriçiot paralizuese të egoizmit; gropat e pesimizmit, që e mbërthejnë shpresën në darën e tyre. Këto pengesa i bllokuan edhe skribët, për të cilët flet Ungjilli i sotëm. Ata, vërejti Ati i Shenjtë, e dinin ku ishte drita, por nuk lëvizën. E Papa iu drejtua secilit prej të pranishmëve, duke theksuar: “nuk mjafton të dimë se Zoti ka lindur, nëse nuk festojmë bashkë me Të Krishtlindjen në zemra”. “A ka lindur Krishti në zemrën tënde? A je ndalur për të kremtuar me Foshnjën Hyjnore”, pyeti çdo besimtar:

“Mbretërit Dijetarë e bënë këtë: pasi gjetën Foshnjën, ‘u përulën dhe e adhuruan’(v. 11). Jo vetëm e panë, jo vetëm thanë një lutje për atë rast e pastaj ikën, jo… e adhuruan. Hynë në bashkim personal dashurie me Jezusin. Pastaj, i dhuruan ar, temjan e mirrë, ç’kishin më të çmuar. Të mësojmë nga Mbretërit Dijetarë të mos i kushtojmë Jezusit vetëm tepricat e kohës e ndonjë mendim nganjëherë, përndryshe nuk do ta fitojmë dritën e Tij. Ashtu si Dijetarët, të vihemi për udhë, të vishemi me dritë, duke ndjekur yllin e Jezusit e, ta adhurojmë Zotin me gjithë vetveten”.








All the contents on this site are copyrighted ©.