2017-01-05 14:59:00

Papa: thirrja, impenjim që kërkon pasion e dashuri për Zotin


Brenda bashkësive të krishtera, duhet krijuar një “kulturë e re për thirrjet”, duke treguar e dëshmuar bukur dashurinë për Zotin. Kjo është thirrja e Papës Françesku në fjalën, që u dorëzoi rreth 800 pjesëmarrësve në Konferencën e organizuar nga Zyra kombëtare për baritorinë e thirrjeve të Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Ati i Shenjtë i priti në audiencë sot paradite në Sallën Pali VI, në përfundim të takimit triditor me temë “Ngrehu, shko e mos ki frikë”.

“Kam përgatitur një fjalim: janë pesë faqe – e filloi me të qeshur Papa. Është pak si shpejt për të fjetur edhe një herë, prandaj po ia dorëzoj kopjen sekretarit e po përpiqem t’iu them ç’më vjen ndërmend e në gojë”.

Mbani dyert e hapura

Duke e lënë mënjanë fjalën e përgatitur, Ati i Shenjtë e nisi reflektimin me çastin kur engjëlli liron shën Pjetrin nga burgu. I thotë “Ngrehu!”, njëlloj si tema e kuvendit, ku morën pjesë të pranishmit. Por kur mbërriti në një shtëpi romake, ku po luteshin për të, nuk ia hapën derën, sepse menduan mos ishte ndonjë fantazmë. E Papa komentoi:

“Unë pyes sa të rinj, djem e vajza, sot e ndjejnë në zemër atë ‘ngrehu!’ e, sa priftërinj, të shuguruar, murgesha, ua mbyllin derën. E ata përfundojnë të zhgënjyer, apo jo? E kishin dëgjuar atë ‘ngrehu!’, e trokisnin në derë… por ‘po, po, po lutemi; tani nuk mundemi’. …Lutja duhet, por të lutemi me derën e hapur, eh!”.

Rruga për ta kuptuar thirrjen e Zotit është lutja

Edhe vetë Krishti, vijoi Papa, na ka mësuar se rruga për ta kuptuar thirrjen e Zotit është lutja. Ajo vjen e para. Në lutje, Hyji na thotë të ngrihemi e ta ndjekim, të shohim ku banon. Françesku dha shembullin e disa dioqezave, ku thirrjet janë të shumta. Aty, ipeshkvijtë u dërgojnë një letër të gjithë njerëzve, që luten për thirrjet. Pavarësisht se ipeshkvijtë kanë shumë detyra, nënvizoi Ati i Shenjtë, detyra e tyre e parë, është lutja:

“Të lutemi për thirrjet. Mendoni nëse mund të bëni një gjë të tillë, si këta ipeshkvij për njerëzit e thjeshtë… ‘Merre përsipër këtë detyrë: çdo ditë thuaj një lutje’ e ushqeje këtë detyrë vazhdimisht. Sot një librec, muajin që vjen një letër, pastaj një fugure, në mënyrë që njerëzit të ndjehen të lidhur në lutje, sepse lutja e të gjithëve ka shumë forcë: na e thotë vetë Zoti”.

Të ‘humbim kohë’ pas të rinjve

 Papa Françesku lavdëroi punën e famullitarëve italianë, që kanë krijuar shumë organizata të vyera e rrjete vullnetarësh si në asnjë vend tjetër. Por kujdes, paralajmëroi Ati i Shenjtë famullitarët e gjithë botës: është portë e mbyllur ajo, ku është shkruar “hajde në këtë orë e në këtë ditë e rrëfeu vetëm në këtë orë”. Portat e kishave duhen mbajtur gjithnjë hapur, e kjo është detyra e dytë për t’u plotësuar në kuadrin e baritorisë së thirrjeve për t’ia kushtuar jetën Zotit. Së treti, nënvizoi Papa, duhen dëgjuar të rinjtë:

“Është e rëndësishme të ‘humbim kohë’ pas të rinjve. Nganjëherë na mërzisin, sepse thonë gjithnjë të njëjtën gjë, por duhet të kemi kohë për ta. Më shumë se sa t’u flasësh, duhet t’i dëgjosh e t’u thuash vetëm pak fjalë, para se të largohen. Ajo do të jetë fara, që punon brenda tyre… Edhe një gjë tjetër: duhet të kemi kujdes se ç’kërkojnë ata vetë, sepse të rinjtë ndryshojnë me kohën, apo jo?”

Të rinjtë ndryshojnë me kohën

Dikur, përmendi Françesku kohën e rinisë së vet, ishim të kënaqur me një takim tematik, për të cilin përgatiteshim të gjithë, flisnim e pastaj, secili në punë të vet. Sot, të rinjtë kanë nevojë të bëjnë diçka, të ecin, prandaj u duhet dhënë një punë – të shkojmë në spital, të ndihmojmë të pastrehët, të shkojmë për mision gjatë verës – duhet të ndjehen në lëvizje, theksoi Papa. Ka edhe të rinj, që ndjehen pensionistë dhe e kanë jetën të siguruar që në fillim, por edhe ata duhet t’i shkundim, t’i vemë në lëvizje… të ecin:

“E për udhë bëjnë pyetje, pyetje, të cilave është e vështirë t’u përgjigjesh eh? Kur bëj vizita nëpër vende të ndryshme, gjithnjë e lë një takim, ose një drekë me një grup të rinjsh. Pyetjet që të bëjnë, ta luajnë tepelekun e kokës, sepse nuk di si t’u përgjigjesh. Sepse të rinjtë janë të shqetë e ky shqetësim i tyre është hir prej Zotit”.

Ta shohin se e jetoni atë që predikoni

E këtë shqetësim, tha Papa, duhet ta udhëheqim, ta lëmë të punojë në zemrën e të rinjve. Ata, vuri në dukje Françesku një aspekt tjetër, kanë nevojë për dëshmi, sepse thirrja është gjithnjë konkrete, është ndjekje e shembullit të dikujt:

“…ta shohin se e jetoni atë që predikoni. Atë që ju ka bërë meshtarë, murgesha, edhe laikë, që punojnë me përkushtim në Shtëpinë e Zotit. E jo njerëz, që kërkojnë siguri, që mbyllin dyert, që frikësojnë njerëzit, që flasin për gjëra jo interesante, që mërziten me të rinjtë, që nuk kanë kohë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.