2017-01-05 14:39:00

Papa: popullsive të dëmtuara nga tërmeti, ndërtoni me guxim e duke ëndërruar


Shoqëruar nga notat e këngëve të Krishtlindjes kështu e filloi Papa Françesku audiencën me popullsitë italiane të goditura nga tërmeti në Lazio, Marche, Umbria e Abruzzo, ardhur në Sallën Pali VI në Vatikan bashkë me ipeshkvijtë e dioqezave dhe kryetarët e bashkive të prekura nga tërmeti, si edhe me komisarin e jashtëzakonshëm të qeverisë italiane për rindërtimin, Vasco Errani e me kreun e departamentit të Mbrojtjes Civile, Fabrizio Curcio.

 “Në situatën tuaj, gjëja më e keqe që mund të bëhet është t'ju mbaj predikim”. Papa Françesku e shpjegoi kështu vendimin e tij për të mos e shqiptuar sot fjalimin e përgatitur për takimin me popullsitë e Italisë qendrore të goditura nga tërmeti. Ati i Shenjtë Françesku preferoi t’i komentonte me pak fjalë dëshmitë, që posa i dëgjoi në Sallën Nervi, duke u ndalur në mënyrë të veçantë mbi fjalën ‘plagë’.

“Të rindërtohen së pari zemrat e pastaj shtëpitë”. Kështu u tha mes tjerash Papa afër 7 mijë personave nga zonat e e Italisë qendrore të goditura nga tërmeti, në audiencën e sotme në Vatikan. Papa, në fjalën e tij jashtë tekstit zyrtar, foli mbi vuajtjen, respektin, plagët e atyre që kanë derdhur lot për humbjen e dashurve e për dëmtimin e çdo gjëje, përveç shpresës.

“Të rindërtosh, të rifillosh, të rifillosh nga e para, por edhe të rifillosh pa humbur aftësinë për të ëndërruar, duke pasur guximin për të ëndërruar edhe një herë më shumë”. “Për të rindërtuar lypen zemrat dhe duart e të gjithëve”. Kështu u tha Papa 7 mijë qytetarëve italianë nga zonat e Italisë qendrore, pra, nga dioqezat e Rieti-t, Spoleto-Norcia-s dhe Ascoli-Piceno-s, shoqëruar nga ipeshkvijtë e tyre, pasi dëgjoi dëshmitë prekëse të dy prej tyre në sallën Pali VI.

“Ne kemi mbetur aty për të mos e plagosur edhe më shumë tokën tonë’, tha prifti famullitar. Mos plagos (lëndo) me fjalë boshe, e pra, sa e sa herë jemi ndeshur me lajme, që nuk e respektonin e nuk kishin dhembshuri para dhimbjes”.

“Çdonjëri ka vuajtur nga diçka, disa kanë humbur shumë: bij, prindër e shtëpi. Mos i plagos më: heshtja, përkëdheljet, përdëllimi i zemrës na ndihmojnë të mos lëndojmë e madje, në çastet e dhimbjes ndodhin edhe mrekulli”. ”Ka pasur shumë pajtime”, tha prifti famullitar. Lamë anash shumë histori dhe u gjendem sërish të bashkuar në një situatë tjetër, u gjetëm sërish në përqafime, në puthje, në ndihmën e anasjelltë. E edhe në vaj. Të qash me lot të  bën mirë, është një mënyrë për t'u shprehur para vetvetes dhe para Zotit, e sigurisht që të vajtosh së bashku është më mirë. Kështu u gjendem së bashku në vajtim. Këto janë gjërat që më përshkuan zemrën kur i lexova dhe i dëgjova këto dëshmi”.

Papa Françesku pastaj shtoi, duke iu drejtuar 5 mijë të pranishmëve: “...ju e dini sa afër jush jam, u them një gjë: kur e kuptova se çfarë kishte ndodhur, atë mëngjes (24 gusht) posa u zgjova, kur gjeta një copë letër ku flitej për dy lëkundje të tokës, ndjeva dy gjëra: e para është ‘më duhet të shkoj’, e tjetra është dhimbja: kam ndjerë shumë dhimbje, shumë dhimbje e me këtë ndjenjë shkova për të kremtuar Meshën e asaj dite. Ju falënderoj për praninë tuaj sot e në disa audienca të këtyre muajve, ju falënderoj për gjithë atë që keni bërë për të ndihmuar, për të ndërtuar, për t’i rindërtuar zemrat, shtëpitë, indin shoqëror, e edhe për të na shkundur, me shembullin tuaj, brenda vetes, për ta lëkundur egoizmin e zemrave tona, që nuk e kanë përjetuar këtë vuajtje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.