2017-01-05 12:21:00

Evalda Paci: Meshari i Gjon Buzukut, një çelës për leximin e teksteve biblike në gjuhën shqipe


Meshari i Gjon Buzukut, një çelës për leximin e teksteve biblike në gjuhën shqipe nga Evalda Paci

Një vepër që përmbledh në vetvete një kompleks modelesh librore me një lidhje tematike mes tyre të orientuar si nga koha në të cilën u përpilua, si nga modelet tekstore analoge të një tradite shkrimore që rreh të pasqyrojë shkrimet e shenjta në pikëpamje të zbatimit kateketik dhe të përditshmërisë së praktikës së liturgjisë, ofron dhe sot e kësaj dite një sërë çështjesh të diskutueshme e aspak të prapambetura nga pikëpamja e aktualitetit.

Një traditë e shëndoshë studimesh që nuk mjaftohet vetëm me evidentime të pjesshme mbi elemente të veçuara të këtij libri, por synon dhe në aspekte që mëtojnë të gjejnë vijimësi në pikëpamje të mjeteve të shtypshkrimit që zbulojnë njëkohësisht dhe përpjekje mbi përfshirjen e librit shqip në një kontekst të rëndësishëm kulturor e jo vetëm kulturor në arealin evropian, la të hapur një rrugë diskutimesh që në kohën kur u iniciuan.

Shekulli i kaluar përfaqësohet në këtë pikëpamje me sprova falë të cilave gjurmimet mbi këtë libër u shënuan nga hapa të rëndësishëm në disa këndvështrime. Studiues seriozë të teksteve të vjetra shqipe drejtuan vëmendjen ndaj realizimeve më të përshtatshme nëse kemi parasysh kontribute që qasën librin e Buzukut ndaj një tradite shkrimore që kishte gjetur pasqyrim në kulturën evropiane e gjithashtu dhe në historinë e shtypshkrimit evropian.[1]

Një punë e palodhur shkencore që lehtësoi afrimin me librin të lexuesit, studentit dhe studiuesit të fushës përkatëse të studimeve, u konkretizua njëkohësisht në një sërë pikëpyetjesh që sigurisht presupozonin të merrej parasysh një problematikë e gjerë që më shumë se veprat pasardhëse të kësaj letërsie të shkruar, prek pikërisht këtë libër. Kompleksiteti i modelit përmbajtësor dhe larmia e teksteve që dëshmojnë dhe për konsultim burimesh të ndryshme, (e që për më tepër nuk paraqiten unike) mbeten dy faktorë të rëndësishëm që shënojnë njëkohësisht dhe historikun e studimeve mbi këtë libër.

Në këtë aspekt, punimi i Martin Camajt mbi librin në fjalë e i botuar në dekadën e parë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, shënoi një arritje jo vetëm me synime të qarta gjithëpërfshirëse që morën parasysh nënsisteme themelore në përmbajtjen e librit, por dhe një qasje të guximshme për kohën dhe për vetë arritjet e deriatëhershme të studimeve mbi këtë libër. Të gjitha elementet tekstore që ky studiues shfrytëzoi në sythet përkatëse të punimit të tij nuk janë aspak të një zgjedhjeje rastësore dhe i shërbejnë përherë përvijimit të një diskutimi që mund të kishte marrë përmasat e duhura nëse vetë autori dhe studiues të tjerë po aq të interesuar dhe të përfshirë ndaj librit në fjalë do të kishin jetuar në të tjera rrethana jetësore.I ndjeshëm ndaj çështjes së diversitetit të qartë gjuhësor dhe larmisë së elementeve tekstore në pjesë të caktuara të librit të Buzukut, autori orientohet drejt shtrimit të një pikëpamjeje që në përfundim të kësaj trajtese të përmasave të një punimi të mirëfilltë shkencor do të paraqitet e formuluar qartë dhe në mënyrë koncize.

Është po ky autor që vë në dukje një tepri elementesh gjuhësore që dëshmojnë një mungesë përpunimi të mjaftueshëm të lëndës përmbajtësore në pjesë të caktuara të librit[2] dhe po më tej po ai që vë theksin mbi elemente me një formësim të konsoliduar të një regjistri terminologjik liturgjik me prejardhje të qartë nga latinishtja.[3] Është po ky studiues që nënvizon faktin që çdo autor, dhe pse mund të shkruajë në kushtet e një gjuhe letrare deri në njëfarë shkalle të unifikuar, dëshmon në të shkruarit gjurmët e së folmes së vendlindjes së vet. Duke qenë dhe Meshari bartës elementesh dhe shprehjesh që mund të dëshmojnë ndikim nga zona e prejardhjes së autorit/shkruesit të vet, Camaj veçon pikërisht gjuhën e psalmeve, si tekste në të cilat gjen shprehje stili i përpiluesit të tyre.[4]

Kësisoj, hap pas hapi në proces të shtjellimit të përmbajtjes së këtij punimi arrin drejt një shprehjeje eksplicite dhe krejt të natyrshme çështja e autorësisë së hartuesit të veprës, çështje që sigurisht studiuesi do të kishte dashur së tepërmi ta shtronte dhe në tribuna shkencore të gjera. Jo vetëm në lidhje me këtë çështje, sigurisht përherë aktuale sa i takon rëndësisë që paraqet për studimet mbi librin, por dhe në raste të tjera shihet qartë prirja e autorit të këtij punimi për të shtruar pikëpyetje nëse një interpretim i caktuar kërkon alternativë gjykimi apo zgjidhjeje. Detaje të caktuara, si shprehja e një qëndrimi kritik ndaj interpretimeve të filologut frëng Mario Roques ndërsa mëton të ngulitë vendin e mundshëm të botimit të librit të Buzukut, apo dhe ndonjë elementi transkribimi që studiuesi ka vënë re ndërkohë që konsultonte botimin kritik të këtij libri realizuar nga Namik Ressuli pak kohë para botimit të këtij punimi të tij, dëshmojnë vëmendjen e qartë që ai kishte për çdo hollësi që lidhet drejtpërdrejt si me historinë e shtypjes së librit, ashtu dhe me aspekte gjuhësore që qëndrojnë në themel të përmbajtjes së tij.[5] Veçanërisht në drejtim të sqarimit të vendit të mundshëm të botimit të librit dhe elementeve që merren në shqyrtim prej tij, Camaj diferencohet qartë nga gjurmuesit e tjerë, jo vetëm nga Mario Roques, i cili, për hir të së vërtetës sa u takon elementeve teknike dhe ikonografike që shoqërojnë paraqitjen e teksteve, solli për studiuesit burime të mirëfillta bibliografike në lidhje me këtë çështje.

Martin Camaj i përket një radhe studiuesish që pavarësisht sa mbetën realisht të afruar nga rrethanat jetësore dhe ndaj kontekstit shqiptar të kohës në të cilën jetoi, themeluan një orientim a disiplinë studimore që dhe sot e kësaj dite pret të pasurohet nga kërkime të mëtejme në fonde arkivore që duhet të mëtojnë të sqarojnë në mënyrë sa më të përafërt modelet librore të konsultuara, ndikimet konkrete nga ngjarjet e kohës në të cilat libri u përpilua, vendin që një libri të tillë i takon realisht dhe në pikëpamje të një areali më të gjerë, që duhet të përfshijë e të marrë parasysh në veçanti traditën e përkthimit të shkrimit të shenjtë dhe të librave a doracakëve kateketikë në vise të afërta e që janë marrë parasysh nga studiuesit e librit që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.Kontributi konkret i tij në lidhje me studimin e librit të Buzukut qëndron dhe në faktin se mëton të dallojë konkretisht shkallën e ndikimit të gjuhës së autorit nga tradita shkrimore të përafërta gjeografikisht, duke u paraqitur njëkohësisht si një njohës i mirë i arritjeve në këtë drejtim dhe në studimet shqiptare, pavarësisht se ai nuk jetonte në Shqipëri.Citimi korrekt i traditës shqiptare të kërkimeve mbetet element qenësor i metodës së punës së studiuesit në gjithë vazhdën e shtjellimit të këtij punimi.

Pikëpamjes së shprehur prej tij në lidhje me faktin që libri nuk duhet të jetë shkruar apo përpiluar nga një dorë e vetme, i duhen shoqëruar patjetër një sërë mendimesh të shprehura në lidhje me këtë çështje, disa në një kohë të afërt me vetë punimin e Camajt, disa të përpiluara e të rishprehura vite më vonë pas këtij fakti.[6]

Kjo çështje është rrahur nga studiuesit kryesorë të librit të Buzukut, të cilët i kushtuan kësaj vepre mjaft të rëndësishme për historinë e shkrimit por dhe për historinë e librit shqip studimet më të mira të tyre, studime që shënuan për brezat gurë themeli në pikëpamje të vijimësisë së disa pistave apo linjave që synojnë në disa aspekte gjurmimi, ndër të cilat nga më të rëndësishmet dhe njëkohësisht më interesantet mbetet ajo e një këndvështrimi në raport qasjesh me të tjera variante, saktësimi i të cilave do të sqaronte në të njëjtën kohë dhe mjaft pikëpyetje që janë ngritur në lidhje me veprën: përmbajtjen, kushtëzimin eventual të autorit të saj nga një sërë rrethanash të supozuara dhe vetë impostimin e librit në fjalë në një kontekst konkret, sa shqiptar aq dhe ballkanik dhe evropian.

Periudha në të cilën sheh dritën e shtypit punimi i sipërcituar i Martin Camajt përkon me realizime të tjera gjithnjë në lidhje me librin e Buzukut e që të rimarra pas kaq vitesh duket qartë se koha i deshi në një afërsi konkrete jo thjesht kronologjike. Në një vështrim ndoshta tepër kritik për më të parin botim të plotë të librit të Buzukut, (të realizuar nga Namik Ressuli në vitin 1958), të shkruar nga Atë Marlekaj O.F.M. e të botuar në revistën Shêjzat në vitin 1959, ndeshim vërejtje që kanë të bëjnë dhe me një orientim eventual e metodik për si duhet lexuar e interpretuar në pikëpamje tekstologjike e përmbajtësore libri i këtij prelati. Modeli ekdotik i përzgjedhur për ta sjellë librin e Gjon Buzukut në një variant të plotë të konsultueshëm dhe në pikëpamje shënimesh shpjeguese e saktësuese të çdo konteksti konkret të tij, i mundësoi Eqrem Çabejt që të vinte në vendin e duhur metodikisht dhe shkencërisht të tilla aspekte të leximit dhe interpretimit të duhur tekstologjik e përmbajtësor.[7]

Në vitet ’50 të shekullit të kaluar Eqrem Çabej realizon një sërë shkrimesh që pasojnë njëri-tjetrin e që përbëjnë në fakt më të arrirat sprova që synojnë jo thjesht nga historia e librit të Gjon Buzukut, por nga historia e letërsisë së shkruar shqipe e nga historia e kulturës dhe e shtypshkrimit në kontekstin shqiptar, prirje kjo që vihet re më së pari dhe nga vetë formulimet e këtij autori, pikërisht ndërsa parashtron pikëpamjet  e tij në lidhje me librin. Janë pikërisht këto sprova të cilat zbulojnë qartë orientimin e këtij studiuesi ndaj interpretimesh të karakterit historik por dhe socioletrar, pa lënë aspak jashtë vëmendjes rëndësinë që libri në fjalë paraqet për një sërë disiplinash gjuhësore, nga dialektologjia e leksikologjia historike në fusha të tjera të përafërta në të cilat të dhënat nga Meshari iniciojnë një sërë trajtesash themelore.

Është krejt e qartë dhe në këto studime të Eqrem Çabejt vetëdija që dhe gjendja gjuhësore që pasqyrohet në përmbajtjen e Mesharit, bashkë me faktin e nënvizuar prej tij që mjaft lutje themelore janë praktikuar dhe më parë në shqipe[8], është rezultat i një pocesi të gjatë, që i paraprin kohës në të cilën sheh dritën e shtypit ky libër. Gjithashtu gjejmë të formuluar shprehimisht në disa vise të shkrimeve të tij që libri është punë individuale e  një shkrimtari.[9]

Në këto gjykime studiuesi shprehet konkretisht duke mos ndarë kësisoj dhe çështjen e autorësisë së përpiluesit të veprës dhe teksteve që përmbahen në të. Bëhet fjalë për pikëpamje të shprehura në disa vise të shkrimeve të këtij studiuesi(pikërisht në këto vite) dhe që zbulojnë njëkohësisht se në këndvështrim të konsiderimit të lëndës gjuhësore që përmbahet në këtë vepër dhe gjykimit të shkallës së heterogjeneitetit të saj, mjaft të dukshëm dhe pse shtrohet në mënyra të ndryshme nga studiuesit kryesorë të këtij libri, vetë studiuesit nuk kanë qenë plotësisht të të njëjtit mendim e të së njëjtës bindje.[10]

Në studimet tona mbi librin e Buzukut nuk ka munguar diskutimi mbi çështje të përfshirjes së tij nga ngjarjet që shënuan në një mënyrë të ndjeshme historinë e Kishës së Romës e pikërisht një periudhë kohore në të cilën ky libër(nëse i referohemi datimit që na ofron vetë autori në pasthënie të veprës së tij) qëndron në një moment të ndërmjetëm në pikëpamje kronologjike.Dhe në këtë pikë, gjykimet e Eqrem Çabejt mbeten ndër më gjithëpërfshirëset, jo vetëm se nuk humbasin nga vëmendja optikën aq të rëndësishme të kontekstualizimit të çështjes në kuadrin e historisë së shkrimit shqip, por dhe se sqarojnë me detajet e duhura ato modele librore që gradualisht iu nënshtruan një revizionimi të domosdoshëm nga ana e hierarkisë kishtare të kohës.[11]

Në këtë pikëpamje, dhe pjesë të caktuara të librit të Buzukut që mund të përkojnë qoftë dhe pjesërisht me të tilla modele tekstore, mund të shihen pikërisht në këtë funksion dhe në këtë këndvështrim.

Sa do t’i shërbente një diskutimi të tillë hulumtimi tekstologjik i pjesëve të veçanta që qëndrojnë në përmbajtje të librit e shënojnë njëkohësisht natyrën tekstore të tij si një libër orësh shoqëruar nga një meshar në vijim të kësaj përmbajtjeje? Cilat mund të jenë tekstet më tipike në këtë pikëpamje? Cilat janë pjesët më të denja për vëmendje gjithnjë në këtë pikëpamje? Ç’vend i duhet lënë në kontekstin e këtij diskutimi aspektit të shqyrtimit tekstologjik të pjesëve të veçanta të librit?[12]

Çështja e ndikimit të autorit të librit nga variante të tjera referenciale duhet parë e pandarë nga diskutimi i mësipërm, aq më tepër që tashmë të tilla qasje duhet të kenë objekt vëmendjeje pikërisht tekste më specifike të tij.

Ky libër(kujtojmë pikërisht definicionin e Çabejt që e cilëson ndër të tjera si shënues të një fillimi të një tradite letrare në Shqipëri[13], dhe autorin e saj si themelues të letërsisë së shkruar shqipe)[14], ofron ndër të tjera variante biblike në të cilat pavarësisht elementeve që zbulojnë qartë ndikimin e autorit nga gjuhë të tjera, përmbajnë dhe përdorime që në fakt përfaqësojnë format më të hershme që disponojmë mbi elemente të jetës mendore dhe kulturore të asaj kohe. Mjafton të kujtojmë sa interpretime të natyrës etimologjike kanë zënë fill pikërisht duke pasur të parin burim referimi tekstet e këtij libri e aq më tepër elemente vërtet unike si në pikëpamje të dendurisë së përdorimit, aq dhe në atë të veçantisë kuptimore. Mjafton të kujtojmë gjithashtu sa elemente të një prerjeje të qartë poetike dhe letrare ofrojnë dhe sot e kësaj dite inicimin e një diakronie të mirëfilltë në përbërje trajtesash mbi tekste të caktuara që në fakt janë dëshmuar së pari në përmbajtje të Biblës e në veçanti në Besëlidhjen e Vjetër.

Një aspekt aspak për t’u lënë jashtë vëmendjeje mbetet dhe fakti i vlerësimit të teksteve të këtij libri në pikëpamje të realizimit të dhënies së kuptimit të fjalës dhe tekstit në një përmasë të mëtejme, në kuptimin e brendësimit semantik dhe kontekstual.

Ky aspekt gjen vëmendjen e duhur dhe falë kontributit të deritashëm të dhënë nga një brez studiuesish që pavarësisht se punuan dhe në kushte të një mungese reale kontakti e afërsie, drejtuan theksin ndaj çdo elementi që duhej vlerësuar dhe bërë objekt i një përkujdesjeje hulumtimi dhe gjurmimi të thelluar.

Vëmendja ndaj tekstit, ndaj gjurmimit të varianteve të ndryshme të të njëjtit himn, ndaj varianteve të së njëjtës lutje themelore në praktikën e liturgjisë, ndaj rimarrjes së të njëjtës pjesë biblike në pjesë të ndryshme të librit, por me diferencime të qarta në detaje kryesisht semantike, vëmendja ndaj referimit të qartë të autorit në drejtim variantesh të tjera në gjuhë të tjera, dhe pse në studiues të ndryshëm është pasqyruar në vija metodike të ndryshme, inicioi kësisoj në mënyrë të pashmangshme një rrugë gjurmimesh ndaj tekstit në përbërje të këtij libri, por dhe në përbërje të veprave të mëvona, pasuese të Mesharit në pikëpamje kronologjike.

I konsideruar me të drejtë si i pari libër që dëshmoi mundësitë e mjeteve të shqipes në përftimin e mjaft zgjidhjeve jo thjesht leksikore apo letrare, por dhe si model i veçantë në pikëpamje të ndërtimit dhe të integritetit tekstor, Meshari përfaqëson dhe sot e kësaj dite të parin burim të referimit për tekstet biblike dhe librat e liturgjisë së orëve.

[1] Roques M., Recherches sur les anciens textes albanais, Paris, 1932, f.14; Camaj M., Il “Messale” di Gjon Buzuku, contributi linguistici allo studio della genesi, Shêjzat, Romë, 1960, Introduzione, f.8-9.

[2] Camaj M., punim i cituar, Capitolo III, Aspetti della lingua di Gjon Buzuku, Shêjzat, Romë, 1960, f.33: Come si è già notato, molti brani del Vangelo e del Vecchio Testamento, eccettuando qualche salmo, differiscono in lingua e stile in primo luogo dalle preghiere di tutta l’opera e poi dagli Uffici e dal Rituale cum catechesi. Difatti le preghiere del “Messale” risentono molto dell’influsso del testo latino sia nel lessico, sia nella costruzione, così che assomigliano più a un primo abbozzo che a una vera e propria traduzione.

[3] Camaj M., punim i cituar, Capitolo IV, Influssi stranieri nella lingua del “Messale”, f.54: L’opera del Buzuku, eccetto qualche parte del Rituale(cfr.Buz.pp.53-61) e il colophon in fondo, è precipuamente traduzione dal latino. Però anche prima del Buzuku, giudicando dalla forma albanesizzata di alcuni vocaboli, questa lingua aveva già mutuato dal latino quasi tutta la terminologia liturgica, come p.es. meshë=missa, hostja=hostia, sakramend=sacramentum, peendohem=poenitet me, shëlbues=salvator, ecc.ecc.

[4] Camaj M., punim i cituar, Capitolo III, Aspetti della lingua di Gjon Buzuku, Shêjzat, Romë, 1960, f.50: È evidente che gli elementi delle parlate soprascutarine abbondano, e questo infonde allo stile del Buzuku una vigoria rude e schietta, la quale si riflette soprattutto nei salmi.

[5] Botimi i librit të Buzukut nga Ressuli(Romë, 1958) është i afërt në kohë me punimin e Camajt dhe në mjaft pikëpamje, qoftë dhe për faktin se ishte i pari botim i plotë i librit i realizuar mbi kritere të caktuara, ka qenë shtysë dhe për të tjera shkrime kritike në atë periudhë.

[6] Po citojmë ndër të tjera në këtë rasë mendimin që Injac Zamputi formuloi disa vite më vonë: Përsa i përket autorit tonë një studim i thelluar i këtij problemi, do të na sqaronte qoftë për formacionin e tij, qoftë për praktikën e shkrimit të shqipes. Buzuku duhet të ketë pasur një formacion jo të zakontë për klerin e kohës dhe, nga ana tjetër, sado “i zdritur” prej ideve që pushtuan Evropën në atë shekull(dhe shokë të tjerë duhet të ketë pasur), nuk mund ta kishte marrë në dorë gjithë atë punë, kolosale për kohën dhe për gjendjen e gjuhës shqipe, sikur të mos kishte qenë aktive në mjedisin e tij shoqëror, praktika e të shkruarit shqip. Shih pikërisht Zamputi I., Mbi rrethanat historike të botimit të “Mesharit” të Gjon Buzukut, në Studime filologjike, n.3, 1986, f.201.Shih dhe riformulimin përkatës të këtij studiuesi në Çështje të shkrimit dhe të fillimit të letërsisë në gjuhën shqipe, në Hylli i Dritës, n.1-2, 1995, f.14.

 

[7] Meshari i Gjon Buzukut(1555), botim kritik punuar nga E.Çabej, Tiranë, 1968.

[8] Çabej E., Shqipja në kapërcyell/Epoka dhe gjuha e Gjon Buzukut, Botime Çabej, Tiranë, 2006, f.42-43.

[9] Çabej E., Shqipja në kapërcyell/Epoka dhe gjuha e Gjon Buzukut, Botime Çabej, Tiranë, 2006, f.72: E para gjë që do shënuar këtu është fakti se ky libër, edhe pse duke gjykuar pas gjithë gjendjes bazohet në një traditë, është vepra individuale e një shkrimtari.Nga një studim i gjatë i këtij kemi sjellë bindjen se autori i tij zotëronte kulturën humaniste të kohës bashkuar me një njohje të plotë të ligjërimit të vendit.

[10] Çabej E., Gjon Buzuku(karakteri i përgjithshëm i gjuhës), në Buletin i Shkencave Shoqërore, n.2, 1955, f.76; shih gjithashtu Çabej E., Shqipja në kapërcyell/Epoka dhe gjuha e Gjon Buzukut, Botime Çabej, Tiranë, 2006, f.72: E para gjë që do shënuar këtu është fakti se ky libër, edhe pse duke gjykuar pas gjithë gjendjes bazohet në një traditë, është vepra individuale e një shkrimtari. Shih dhe pikëpamjen përkatëse të shprehur në Camaj M., punim i cituar, Romë, 1960, Kapitulli III, Aspetti della lingua di Gjon Buzuku, f.33.

[11] Çabej E., Shqipja në kapërcyell/Epoka dhe gjuha e Gjon Buzukut, Botime Çabej, Tiranë, 2006, f.55: Siç dihet, Koncili tridentin u muar dhe me çështjen e reformimit të libravet liturgjikë, duke synuar në një redaktim tekstesh tipike e me një përhapje të përgjithshme; dhe më 1562 iu përvesh punës së hartimit të një meshari të këtillë. Këtë punë e kreu pastaj papa Pius V, më bazë të së drejtës së Vatikanit për interpretim të vendimeve të Koncilit. Më 1568 u revidua kështu breviari, më 1570 katekizmi edhe meshari, ky i fundit në bazë të mesharit të Milanit hartuar më 1474. Kjo reformë e brendshme e kishës katolike përfshiu pra gjithë manualet e mëparshme, të cilat natyrisht s’kishin si të pajtoheshin me gjendjen e re; kështu këto vetvetiut mbetën jashtë përdorimit, me përjashtim të atyre që pëlqeheshin shprehimisht. Nuk është çudi që edhe libri i autorit shqiptar, i cili si një botim i mëparmë u mbështet sigurisht në ndonjë model më të vjetër, të jetë përfshirë bashkë me shumë libra të tjera nga kjo rregullore e mëpastajme. Në asnjë rasë nuk ka si të mendohet që ky libër të ketë rënë në kundërshtim që në fillim me preskripcionet e kishës romake në lidhje me librat liturgjike. Edhe po të lëmë mënjanë rrethanën që pa lejën e të parëve libri nuk mund të shtypej e të shtihej në përdorim, besojmë se për të zhdukur çdo dyshim mjafton të përmendet lutja që bën autori për papën(f.XIX), lutje e zakonshme, e cila pas shenjavet që e përcjellin duket se ka qenë caktuar për t’u kënduar nga kori në kishë: Lutemi për papene tane. Zotune ateh ruoitete e ateh segntofteh e becuo ateh bafte enbe dheet: e ateh mos e dhasteh ender duor teh anemiqet tii.

[12] Kësaj çështjeje të iniciuar prej vitesh dhe së cilës mbi të gjitha i shërben më së miri aparati kritik (që në fakt plotëson përmasat e një studimi më vetë dhe të mirëfilltë shkencor), me të cilin Eqrem Çabej bëri të lexueshëm e të afërt me çdo studiues këtë libër të rëndësishëm për historinë e shkrimit shqip, mund t’i vijnë në ndihmë dhe plotësime nga qasje me modele të cilat janë konsultuar dhe së fundmi nga gjurmues të teksteve të veçanta të librit.

[13] Çabej E., Shqipja në kapërcyell/Epoka dhe gjuha e Gjon Buzukut, Botime Çabej, Tiranë, 2006, f.15.

[14] Çabej E., Shqipja në kapërcyell/Epoka dhe gjuha e Gjon Buzukut, Botime Çabej, Tiranë, 2006, f.36. 








All the contents on this site are copyrighted ©.