2017-01-04 13:23:00

Papa Françesku: viti 2017 do të ketë sfida të mëdha e të shumta


Ky vit për Papën Françesku do të  jetë me impenjime të shumta. Një front “i brendshëm”, ku bëjnë pjesë si Kuria Romake, ashtu edhe Kisha në tërësinë e saj, e ku duhet të plotësohen reformat e strukturës qeverisëse, baritore e misionare, në shenjën e “mëshirës”, në qendër të Jubileut të jashtëzakonshëm të sapopërfunduar. E një front “i jashtëm”, po aq i mbushur me objektiva, në të cilin radhiten njëra pas tjetrës, dosjet e ndryshme të diplomacisë vatikanase. Nuk do të jetë vit i thjeshtë për Papën Françesku ky, që sapo ka filluar, pasi pikërisht në këto 365 ditë do të shihet nëse mesazhi i tij revolucionar për t’u kthyer në rrënjët e Ungjillit ka hyrë vërtet në zemrat e besimtarëve, por sidomos në sjelljet e në qëndrimet e hierarkisë kishtare.

Por çfarë e pret Atin e Shenjtë Bergoglio gjatë vitit 2017, më 13 marsin e të cilit do të kremtojë 4-vjetorin e papnisë? Sot, Papa argjentinas rifilloi audiencat e përgjithshme, ndërsa nesër, 5 janar 2017, në Sallën Pali VI, do të takohet me popullsitë e prekura nga tërmeti në Itali. Më 6 janar, kremtimi i Dëftimit të Zotit, ndërsa të dielën, më 8 janar 2017, pagëzimet e fëmijëve në Kapelën Sikstine në festën e Pagëzimit të Zotit.

Papa Françesku hap kështu serinë e takimeve dhe të impenjimeve të këtij viti, që do të jenë të shumta, mjafton të mendojmë se do t’i duhet të dyfishojë pritjet e ipeshkvijve në vizitat ad Limina Apostolorum, të cilat u pezulluan vitin e kaluar për shkak të Jubileut të jashtëzakonshëm. Javën që vjen, një takim tepër i rëndësishëm: ai me Trupin Diplomatik, për shkëmbimin e urimeve për Vitin e Ri. Në një nga fjalimet më në shenjë të vitit, Ati i Shenjtë Françesku do të paraqesë çështjet ndërkombëtare, që presin zgjidhje.

Në këtë kapitull mjaft të gjatë, vendin e parë e zë me siguri zgjidhja e krizës siriane, për të cilën diplomacia vatikanase ka punuar jashtëzakonisht, duke impenjuar personalisht Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, që në fillim të dhjetorit, për dy ditë me radhë, priti në Selinë e Shenjtë, ministrat e jashtëm të SHBA-ve, Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Shihet me shpresë të madhe marrëveshja e arritur më 30 dhjetor, falë ndërmjetësimit të Rusisë e të Turqisë, me pëlqimin e Iranit. “Shpresojmë që viti 2017 të shënojë vërtet një kthesë! Natyrisht, ka shumë për të bërë, por e rëndësishme është të ndalet dhuna”, thekson nga Damasku, nunci apostolik, kardinali Mario Zenari.

Dosja tjetër, që spikat, është ajo e marrëdhënieve me Kinën, nga ku vijnë lajme të kundërta për shugurime nga ipeshkvij të paligjshëm e për një lloj dëshire për “autonomi” nga Roma, shprehur nga Shoqata patriotike e katolikëve kinezë, pra, nga ajo që ka pëlqimin e qeverisë së Pekinit. Nga ana tjetër, është për t’u parë nëse vërtet qeveria kineze ka dëshirë të vijojë të ashtuquajturin “dialog konstruktiv” me Selinë e Shenjtë, që duhet të çojë drejt përmirësimit të marrëdhënieve.

Në sfond të impenjimeve ndërkombëtare, edhe marrëdhëniet ndërmjet Vatikanit e Rusisë, pozitive në planin politik, por për t’u thelluar më tej në planin fetar, pas takimit historik ndërmjet Papës Françesku dhe Patriarkut ortodoks Kirill.

Këtë vit, Ati i Shenjtë Bergoglio do të rifillojë edhe udhëtimet brenda Italisë: më 25 mars shkon në Milano, ndërsa më 27 maj në Gjenovë. Përsa u përket shtegtimeve ndërkombëtare, tani për tani, e sigurtë është vetëm vizita në Fatima të Portugalisë, më 12 e 13 maj, me rastin e 100-vjetorit të dukjeve të Zojës. Ndërkaq, akoma nuk janë caktuar datat për udhëtimin në Indi e në Bangladesh, i cili është lajmëruar, e as për vizitën e mundshme në Afrikë, ku Papa mund të kalojë në dy-tre shtete, edhe në gjendje konflikti, si Sudani Jugor, për shembull, ose Republika e Afrikës Qendrore, në të cilën hapi Portën Shenjte të Jubileut të Mëshirës më 29 nëntor 2015.

Në planin ekumenik, Papa Françesku dëshiron afrimin me Lefebvrianët, duke i dhënë fund skizmës me ta. E rëndësishme në këtë drejtim, njohja e vlefshmërisë së rrëfimeve në Kishat e tyre. Ndërsa, në planin ndërfetar, pritet akoma një vizitë e Atit të Shenjtë Bergoglio në Xhaminë e Madhe të Romës, ftesën e së cilës Papa e ka pranuar tashmë.

Përsa i përket reformës së Kuries Romake, pas shkrirjes së disa dikasterve e pas krijimit të institucioneve të reja, po ecet drejt përfundimit e drejt një Kushtetute të re, që do të zëvendësojë Kushtetutën “Pastor Bonus”. Nga 13 deri më 15 shkurt do të mblidhet sërish Këshilli i nëntë kardinajve, së bashku me Françeskun. Për udhën e ndërmarrë, vetë Papa Françesku, në audiencën e fundvitit me Kurien, kritikoi “kundërshtimet keqdashëse, që lindin nga mendje të sëmura, e paraqiten kur djalli frymëzon qëllime jo të mira”. Kujtojmë se vitin e kaluar, disa kardinaj paraqitën një letër të hapur me “dyshime” rreth disa pikave të Nxitjes Apostolike “Amoris Laetitia”, si për shembull, dhënia e Kungimit për të divorcuarit e rimartuar. Një këmbanë alarmi për pengesat, që nuk do t’i mungojnë Papës Bergoglio, në udhën e ndërmarrë.








All the contents on this site are copyrighted ©.