2017-01-04 14:40:00

Identifikohet në Turqi atentatori i masakrës së Vitit të Ri


Autoritetet turke arritën të identifikojnë atentatorin e natës së Vitit të Ri, i cili shkaktoi vdekjen e 39 personave në klubin Reina të Stambollit. Ndërkaq, rritet numri i të arrestuarve, që akuzohen se kanë gisht në masakër.

 Lajmin e identifikimit të atentatorit e dha ministri i jashtëm i Ankarasë, Kavusoglu, megjithëse tani për tani, nuk njoftohen as emri e as prejardhja. Duhet të ketë ardhur në Stamboll disa ditë para atentatit e sipas gjasave, i ka harruar dokumentet në një taksi. Në ambientet e ekstremizmit islamik janë arrestuar edhe pesë vetë, që duhet të kenë pasur kontakte me terroristin, ndërsa në Izmir, 40 të tjerë, që dyshohet të kenë lidhje me Shtetin Islamik. Nga ana tjetër, lirohet 28 vjeçari kirgiz, i arrestuar gjatë ditëve të kaluara, sepse nuk ka përgjegjësi për këtë krim, me të cilin nisi trishtueshëm viti 2017.

Ndërkaq, në vend, u shty edhe tre muaj të tjerë gjendja e emergjencës. Në fjalimin e tij të parë publik për këtë vit, kryeministri turk Erdogan, nënvizoi: “Qëllimi kryesor i sulmeve terroriste është shkatërrimi i ekuilibrit tonë, vënia e njërit kundër tjetrit… Turqia nuk do të dorëzohet para terrorizmit e nuk do të lejojë që terroristët të shfrytëzojnë dallimet brenda shoqërisë, për ta polarizuar atë. E kemi aftësinë për t’u bërë ballë këtyre sulmeve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.