2017-01-04 14:07:00

Françesku: në jetë shpesh lotët janë farë shprese


Në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI, duke vijuar katekizimin kushtuar temës së shpresës së krishterë, Françesku paraqiti figurën biblike të Rakeles, që qan të bijtë në mërgim. E mendimi i Papës nuk mund të mos shkonte tek të gjithë ata, që edhe sot janë larg atdheut. Mateu Ungjilltar – kujtoi - citon fragmentin e Jeremisë Profet, për të përshkruar masakrimin e fëmijëve të pafajshëm, gjithnjë aktual, pasojë e pushtetit, që e përbuz dhe e vret jetën.

Në qendër të vëmendjes, në audiencë, një figurë gruaje, që flet për shpresë, e mbytur në lot: është Rakela, gruaja e Jakobit, që vdes duke nxjerrë në dritë fëmijën e saj të dytë. Në fragmentin e sotëm biblik, nga i cili e mori shtytjen Papa, Jeremia profet i kushton fjalë të ngarkuara me poezi e me emocion Rakeles, duke iu drejtuar izraelitëve mërgimtarë për t’i ngushëlluar. Kështu, përmes Rakeles, paraqet një realitet  dhimbjeje e vaji, nga buron një perspektivë e pamenduar: Rakela qan bijtë e saj që, në një farë mënyre, vdiqën duke shkuar në mërgim:

“Kështu thotë Zotynë:

‘Po dëgjohet një zë në Ramë!

Vajtim, gjëmë edhe dënesje:

vajton Rakela bijtë e vet!

E s’mund të pajtohet,

pse ata nuk janë më!’” (Jer 31,15)

Pas këtij citimi biblik kaq prekës, Papa pohoi:

“Përballë tragjedisë së humbjes të të bijve, një nënë nuk mund të pranojë fjalë a gjeste ngushëllimi, gjithnjë të papërshtatshme, të paafta për ta lehtësuar dhimbjen e një plage, që nuk mund e as nuk do të mbyllet. Një dhimbje që, ashtu si dashuria, nuk shprehet dot me fjalë. Të gjitha nënat e dinë mirë këtë: e janë shumë edhe sot, nënat që vajtojnë e s’ka gjë që t’i ngushëllojë për humbjen e fëmijëve të tyre”.

Rakela, vijoi Papa, nuk dëshiron të ngushëllohet. E kjo na  tregon sa delikatë duhet të jemi përballë dhimbjes së të tjerëve:

“Nëse dëshiron t’i flasësh njeriut të dëshpëruar për shpresë, duhet ta jetosh dëshpërimin e tij; e për të terë një lot nga fytyra e njeriut, që vuan, duhet të lotosh bashkë me të. Vetëm kështu fjalët tona mund të jenë vërtet të afta të japin sadopak shpresë. E nëse nuk mund të themi fjalë të tilla, kështu, me vaj, me dhimbje, është më e mirë heshtja. Përkëdhelja, gjesti, pa asnjë fjalë”.

Nëna, e cila kishte pranuar të vdiste në çastin e lindjes, vetëm e vetëm që t’i rronte i biri, me vajin e saj është tani zanafillë e jetës së re për fëmijët e mërguar, të burgosur, larg Atmes:

“Dhimbjes dhe vajit të hidhur të Rakeles, Zoti i gjegjet me një premtim, që mund të jetë për të shkas ngushëllimi: populli do të mund të kthehet nga internimi e ta jetojë në fe, krejtësish i lirë, lidhjen e tij me Zotin. Lotët e nënës lindën shpresë. Gjë aspak e lehtë për t’u kuptuar. Por gjithsesi, e vërtetë. Shpesh herë në jetën tonë, lotët mbjellin shpresë, shndërrohen në farë shprese”.

Teksti i Jeremisë - vijoi Papa - përsëritet tek Shën Mateu Ungjilltar, kur përshkruan masakrën e fëmijëve të pafajshëm, qenie të pambrojtura, të mbytura pa mëshirë nga të pushtetshmit, që e nëpërkëmbin dhe e vrasin jetën. Fëmijët e Betlehemit u mbytën për shkak të Jezusit. Të Atij, Qengjit të pafajshëm, që do të vdiste, më pas, për të gjithë::

“Biri i Zotit hyri në dhimbjen e njerëzve; mos e harroni këtë! Kur ndokush më drejtohet mua e më bën pyetje të vështira, për shembull: ‘Më thuaj, o Atë, pse vuajnë fëmijët?’, të them të drejtën, nuk di t’u përgjigjem. U them vetëm: ‘Shikoje Krishtin e kryqëzuar: Zoti na dha të Birin, Ai vuajti, e ndoshta do ta gjesh përgjigjen. Po përgjigjja për këtë nuk gjindet. Vetëm duke parë dashurinë e Zotit, që dha të Birin, i cili flijoi jetën e vet për ne, mund të flitet për ndonjë udhë ngushëllimi’. Prandaj themi se Biri i Zotit hyri në dhimbjen e njeriut; e ndau me të dhimbjen e pranoi vdekjen; Fjala e Tij  është përfundimisht fjalë ngushëllimi, sepse lind nga vaji”.

Të shumtë, edhe sot,  fëmijët që vijojnë të jenë viktima të dhunës: në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve të gjuhës arabe, Papa iu drejtua posaçërisht  atyre, që kishin ardhur nga Jordania, Iraku e, në përgjithësi, nga Lindja e Mesme, ku fëmijët vijojnë të masakrohen. Së fundi shtegtarëve polakë Françesku u kujtoi se pasnesër do të kremtohet Dëftimi i Zotit:

“Nëpër rrugët e qyteteve tuaja e nëpër shumë vise të vendit tuaj, do të parakalojnë varganet solemne të paraprira nga Tre Mbretërit Dijetarë. Duke marrë pjesë në këto manifestime, kujtojuni të gjithë se Jezusi, i lindur në Betlehem e i pranishëm në botë, është gjithnjë pranë nesh, na sjell shëlbimin e dëshiron të banojë në zemrën e secilit prej nesh”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.