2017-01-03 14:07:00

Papa: më 5 janar, në audiencë, italianët e dëmtuar nga tërmeti


Më 5 janar, një ditë para Solemnitetit të Dëftimit të Zotit,  Papa Françesku do të presë në audiencë 800 të shpërngulur nga Italia qendrore, e dëmtuar rëndë  nga tërmeti. Shtegtarët, të shoqëruar nga ipeshkvi i Spoleto-Norcias, imzot Renato Boccardo, do të priten në Sallën e Palit VI, në orën 11.00.

Është takim - shpjegon kryeipeshvi Boccardo në një notë - kushtuar posaçërisht atyre, që humbën të dashurit, shtëpinë, sigurinë ekonomike; atyre, që u detyruan të shpërngulen nga trojet e veta. Takim,  në të cilin Papa dëshiron të ngushëllojë ata që, në mënyra nga më të ndryshmet, u plagosën rëndë nga tërmeti e, me të drejtë, kanë nevojë për mbështetje e  shpresë. Në emër të tyre, Papën do ta përshëndesë don Luciano Avenati, famullitar i Abacisë së Shën Euticit, në Preci, dëmtuar rëndë nga lëkundjet, që vijojnë.

Takimi me Papën - nënvizon akoma ipeshkvi i Norcias - do të jetë shprehje e detyrës kryesore, që duhet të kryejë Kisha ndërmjet të dëmtuarve nga tërmeti, domethënë, mbështetjes së tyre në ripërtritjen shpirtërore-morale.

Shprehje konkrete e afërsisë së Papës me popullin amatriçian e akomulez, është edhe njoftimi tjetër, që jep imzot Domenico Pompili, ipeshkëv i Rietit, sipas të cilit Papa ka shprehur dëshirën të pagëzojë, më 14 janarin e ardhshëm, të lindurit e parë  të dy komuneve të goditura nga tragjedia:

“Gjesti i Atit të Shenjtë që dëshron t’i pagëzojë fëmijët tanë në Vatikan  - pohon kryebashkiaku i Amatrices, na jep një sinjal të rëndësishëm shprese, ashtu si dhe dëshira e Françeskut për të pritur popullsitë tona. Do të jenë dy çaste tejet prekëse për njerëzit tanë që, me guxim të pashoq, përballuan e vijojnë të përballojnë çdo ditë kushtet tejet të ashpra të jetesës, plot me prova e vështirësi”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.