2017-01-02 13:55:00

Mattarella: ftesa e Papës për mospërdorimin e dhunës është e çmuar


Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, në fjalimin e tij të fundvitit, i drejtoi përshëndetjet më të përzemërta Papës Françesku, duke uruar që “mesazhi i Jubileut dhe thirrjet e tij të ngutshme për paqen të dëgjohen, në një botë të dërmuar nga konfliktet dhe të sfiduar nga një mori të panjohurash. Pastaj Presidenti Italian i dërgoi Papës edhe një mesazh, me rastin e Ditës Botërore të Paqes, duke vërejtur se ftesa e tij për mospërdorimin e dhunës, si stil i politikës për paqen, përbën një rast të ri, të çmuar reflektimi mbi disa parime, që janë në themel të bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve.

Plotësisht aktuale – shkruan Mattarella – tingëllon thirrja e Papës Pali VI që, duke e themeluar këtë Ditë, i lidhte pazgjidhshmërisht progresin njerëzor e paqen, i bindur se të gjitha konfliktet ndërkombëtare mund të zgjidhen me rrugën e arsyes, e jo me përdorimin e forcës. Nga një vështrim global mbi shumëllojshmërinë e konflikteve të hapura në botë, në mënyra e nivele të ndryshme, që na bëjnë ta përkufizojmë këtë situatë – siç na kujton Shenjtëria Juaj - “luftë botërore copa-copa”, mospërdorimi i dhunës spikat si sintezë e një force aktive, shumë më të fuqishme sesa konflikti.

Rruga e përgjegjësisë konstruktive, duke u nisur së pari nga familja, siç e kujton Shenjtëria Juaj - vijon Kreu i Shtetit - i nxit pozitivisht qytetarët dhe institucionet të bëhen artizanë të paqes e të kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të lirë nga dhuna, duke promovuar ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë ose janë viktima të formave të ndryshme të skllavërive dhe të torturës. Presidenti kujton se mospranimi i luftës, si mjet që fyen lirinë e popujve të tjerë e rrugë për t’i zgjidhur kundërvëniet ndërkombëtare, si dhe gatishmëria për kufizimin e sovraniteteve të nevojshme në dobi të një rendi, që siguron paqen e drejtësinë ndërmjet Kombeve, janë në qendër të Kushtetutës së Republikës Italiane e se nga këto orientime frymëzohet gjithnjë  çdo veprimtari  e vendit.

I sigurt se po shpreh ndjenjat e popullit italian - përfundon mesazhi i Mattarell-ës - i drejtoj Shenjtërisë Suaj një urim të ngrohtë e të sinqertë për vitin e ri dhe për vijimin e misionit Tuaj të lartë  apostolik” 








All the contents on this site are copyrighted ©.