2017-01-02 12:32:00

50 mijë besimtarë në Sheshin e Shën Pjetrit: më shumë dashuri, më pak egoizëm


Shumë. Më se 50 mijë, besimtarët e mbledhur dje në Sheshin e Shën Pjetrit që, në një ditë të ndritshme dimërore, morën pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot me Papën. E turmat e shtegtarëve vijojnë të dynden  drejt këtij Sheshi, zemër e krishterimit e simbol botëror i Festave të mëdha të dimrit, me Shpellën e Betlehemit e Bredhin vigan të Krishtlindjes në mes. Festat nuk kanë përfunduar. Tani këtu pritet të arrijnë Tre Mbretërit Dijetarë…Në këtë atmosferë ne, duke u përzjerë me turmën në festë me mikrofonin tonë, mblodhëm disa zëra, që i urojnë Viitn e Ri  2017 Papës e mbarë botës:

- Urimi im është natyrisht që të gjithë të jemi më pak egoistë e të kënaqemi me atë, që kemi. Politikanëve u uroj të jenë më të ndershëm, më parë me ndërgjegjet e tyre, pastaj edhe me qytetarët.

 - Qoftë një vit më i mbarë se ai që kaloi, posaçërisht në frontin sirian; besoj se paqja mund të sigurohet! Por me angazhim ama, e jo vetëm të politikanëve italianë, por të mbarë botës e, sidomos, të atyre rusë e amerikanë.

- Po t’i kishe këtu, para teje, ç’do t’u thoshe?

 - Ja, t’i japin fund shitjes së armëve! Ndoshta tingëllon si utopi. Por utopi a jo, kjo duhet bërë…

- Në botë ka shumë vende në luftë, e edhe ne duhet të luftojmë. Për paqen, natyrisht! Si mendoni se mund të fillohet kjo luftë? E nga duhet t’ia nisim?

- Sipas meje duhet bërë një rrëmim i vërtetë i ndërgjegjes. E kjo do të thotë se çdo njeri, posaçërisht liderët, ata që i prijnë botës – duhet ta kuptojnë se kështu nuk mund të shkohet më përpara!

 - Por, megjithëkëtë, siç na kujton Françesku, shpresa nuk duhet humbur, sado e rëndë të jetë situata…

 - Jo, nuk duhet humbur. Absolutisht. Duhet të shpresojmë, gjithnjë!

- Cili është urimi juaj për këtë vit, që shpresojmë të vijë me paqe?

- Uroj që njerëzit të mësohen ta duan njëri-tjetrin. A ka gjë më të mirë se dashuria, nëse duam të gëzojmë sadopak paqe  në këtë botë?

 - Prej nga duhet të nisemi, për ta siguruar paqen?

- Duhet të nisim duke i dhënë të hajë mëngjesin atij, që nuk e ka, t’i japim një pjatë me gjellë të ngrohtë, sepse, siç po e shikoni, bën ftohtë…

 - Ç’mund të na thoni për indiferencën, për të cilën flet Françesku?

- Ja, të fillojmë të mendojmë se nuk jemi vetëm ne në botë, është edhe tjetri.

 - Ju, a shpresoni në një vit me paqe, me më shumë paqe?

- Natyrisht: të gjithë shpresojnë! Si mund të jetosh pa shpresë?

 - Përveç shpresës, si mund të ndërtohet paqja. Nga mund e duhet t’ia nisim?

 - Duke ndihmuar njerëzit që kanë nevojë, apo jo?

- Eh, mendoj se gjithçka duhet ta nisim në radhë të parë nga vetvetja, nga njerëzit e thjeshtë…

 - Një përshëndetje Papës?

 - Shumë urime!

 - Të duam shumë!

 - (një fëmijë) Urime Papë!  Rroftë paqja në botë!








All the contents on this site are copyrighted ©.